Lajme Shqip Monday, 10 September 2012 10:01

Ish-trajneri i Liverpulit, Rafael Benitez, nuk ka fshehur çudinë e tij për faktin se askush nuk e kontaktoi për t’i ofruar një vend pune në këtë klub kur u shkarkua nga puna trajneri Keni Dalglish. 53 vjeçari, i cili drejtoi Liverpulin në suksesin si në Ligën e Kampioneve, ashtu edhe në Kupën FA, mendon se edhe tifozët do të ishin dakort me kthimin e tij në klub.

“Ishte e çuditshme që nuk më kontaktuan. Unë dhe stafi im e njohim klubin, lojtarët, akademinë dhe tani kemi më shumë eksperiencë… tifozët ishin pozitiv rreth idesë së rikthimit”, tha ai për “Irish Independent”.

Benitez u largua nga kjo skuadër në verën e vitit 2010, pasi në atë sezon Liverpuli e mbylli kampionatin në vendin e 7-të, duke mos u kualifikuar në Ligën e Kampioneve. Por pavarësisht largimit të tij, Benitez preferon të kujtojë arritjet në drejtimin e këtij klubi në 6 sezone.

“Luanim aq shumë ndeshje të rëndësishme sa filloi të na dukej normale, edhe pse nuk ishte një gjë e tillë. Njerëzit filluan të flasin për “të kaluarën” por vetëm pak vite më parë, Liverpuli ishte numri 1 në Evropë”, deklaroi trajneri spanjoll. (LajmeShqip.com)