Lajme Shqip Tuesday, 13 August 2013 16:50

Tiranë – Një nga ish- themeluesit e Partisë Demokratike, në një intervistë për Shqiptarja.com, analizon arsyet që sollën humbjen e Partisë Demokratike në zgjedhje.
“Shkaku kryesor që solli humbjen e Partisë Demokratike dhe të djathtës në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit është mungesa e rrotacionit mes elitave drejtuese dhe sidomos i kryetarit në Partinë Demokratike. Por dhe largimi i tij dhe i drejtuesve kryesorë nga anëtarët e thjeshtë të partisë dhe mosmarrja në konsideratë e kontributeve dhe arsimit real në ndarjen e posteve drejtuese shtetërore. Gjithashtu forumet e partisë nuk funksiononin, si rezultat i eliminimit të demokracisë së brendshme në parti dhe sidomos humbja e identitetit ndaj të djathtës me mosdëmshpërblimin e ish-të përndjekurve dhe të persekutuarve politikë, moskthimin dhe kompensimin e pronave për ish-pronarët dhe aleanca me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Të gjithë këtyre elementëve negativë, shtoju dhe largimin e shumë figurave të njohura të Partisë Demokratike gjatë 20 viteve, që dobësuan dhe shuan mendimin kritik brenda partisë dhe sollën kthimin e saj në një ‘domen’ të një njeriu që nuk përfaqësonte më as lirinë e mendimit më të thjeshtë në parti, ku dhe zgjedhjet e strukturave drejtuese në bazë dhe sidomos në qendër paracaktoheshin, ndërsa zgjedhjet ktheheshin në një farsë që humbën besimin e anëtarësisë tek Partia Demokratike, sollën dhe këtë situatë që është sot,” thotë Çela.
Sipas tij, nëse PD vazhdon me modelin e Berishës, do e ketë të gjatë rrugën në opozitë.
“Reformimi nuk mund të bëhet si me Partinë e Punës së Shqipërisë që u bë Partia Socialiste nga Ramiz Alia në vitin 1991. Ajo duhet të reformuar që në themele, duke nxjerrë në pah figura të spikatura nga vetë baza e partisë, e jo me zgjedhje farsë siç u veprua dhe në zgjedhjet e fundit në krye të PD. Asnjë nga ne të vjetrit nuk duhet qasur më në strukturat dhe forumet drejtuese të së djathtës në Shqipëri. Pasi ne, ashtu si partia që themeluam e mbyllëm ciklin tonë, nuk përjashtoj këtu as kryetarin e dorëhequr të Partisë Demokratike dhe as ata që ishin në krye të partisë dhe e çuan atë në humbje më 23 qershor të këtij viti. Të gjithë ne jemi përgjegjës që mbollëm modelin e “njëshit” në parti. Po vazhdoi më ketë model, PD dhe e djathta e ka rrugën shumë të gjatë në opozitë”.