Lajme Shqip Tuesday, 19 February 2013 14:06

MITROVICE – Banesa e një polici të Kosovës në pjesën veriore të Mitrovicës ka rënë pre e sulmit të radhës me mjet shpërthyes. Ky është sulmi i dytë brenda 24 orëve, në veri të Mitrovicës, e cila është shndërruar në një zonë të shpërthimeve të shpeshta.

Sipas forcave të rendit, shtëpia e kolegut të tyre që gjendet në rrugën Mesha Selimoviq, është sulmuar rreth orës 01:30, ndërsa fatmirësisht nuk ka patur të lënduar.

Zëdhënësi i policisë, Avni Zahiti, tha për Radion Evropa e Lirë, se polici i nacionalitetit boshnjak ka qenë në gjumë gjatë kohës së incidentit.

Ai sqaroi se shpërthimi është shkaktuar nga “një mjet me mbushje” e jo granatë dorë. Zahiti tha se polica ende nuk ka një motiv për këtë incident.

“Nuk mundemi me u thirr në atë drejtim, se a ka qenë qëllimi frikësim apo diçka tjetër, derisa nuk kemi një motiv zyrtar që e sjellin hetimet. Por,ky [sulm] dallon prej atyre që kanë qenë paraprakisht, për faktin se është pjesëtar i policisë në veri,” tha Zahiti.

Prona e policit të sulmuar gjendet në afërsi të konvikteve të studentëve të Universitetit të veriut të Mitrovicës veriore.(lajmeShqip.com)