Lajme Shqip Monday, 12 December 2011 08:50

Librazhd – Zbehja e rolit të sindikatave gjatë dhjetë viteve të fundit, në Shqipëri, ka sjell për pasojë shkeljen e të drejtave të punonjësve të sektorit publik dhe të atij privat.

Ky, ka qenë thelbi i diskutimeve të zhvilluara sot, nga drejtuesit e 11-të seksioneve të Konfederatës së Sindikatave të Librazhdit, gjatë një takimi pune rreth  shqetësimeve dhe problemeve të  shumta me të  cilat po përballen  punonjësit e shëndetësisë, arsimit, si dhe të gjithë sektorëve të tjerë shtetërorë e privat.

Duke bërë thirrje, për ringjalljen e lëvizjes sindikaliste në mbrojtje të të drejtave të punonjësve, është theksuar se besueshmëria ndaj Sindikatave në Shqipëri ka rënë në minimumin e mundshëm  të tyre, që nga  koha kur ato kanë marrë jetë në vendin tonë.

Si institucioni i vetëm që duhet të mbrojnë të drejtat e punonjësve, ato nuk po e ngrenë zërin dhe nuk po bëjnë as minimumin e mundshëm në rastet më flagrante, ku nëpërkëmben dhe shkelen të drejtat e punonjësve.

Lidhur me këtë, shefi i sektorit të Organizimit në Konfederatën e Sindikatave të Shqipërisë,  Agim Vargu u shpreh se  “duke qenë një institucion në opozitë të përjetshme me qeveritë, misioni ynë është i vështirë por jo i pamundur. Koha e kërkon që kjo lëvizje të ringjallet e të forcohet për të mos e lënë më politikën dhe jo vetëm, të nëpërkëmbë të drejtat dhe interesat e punonjësve”.

Ndërsa, Kreu lokal i K.S.SH  Fatmir Roçi u shpreh mjaft kritik me veprimet arbitrare të institucioneve shtetërore ndaj punonjësve të cilët largohen nga puna dhe pa u respektuar kontrata e punës e cila kurrë nuk është korrekte.