Lajme Shqip Wednesday, 31 August 2011 09:57

Prishtinë – Dje, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Pagjetur, zv/kryeministri dhe ministri i Drejtësisë në qeverinë e Kosovës, Hajredin Kuçi, u takua me përfaqësuesit eKëshillit Koordinues të Asociacionit të Familjarëve te të Pagjeturve.

Pas këtij takimi, Kuçi u shpreh se duhen shtuar përkushtimet si individë dhe si qeveri që të dihet fati i personave të pagjetur.

“Kosova ka arsye që ta shënojë këtë dite, që t’i shtojmë përkushtimet tona edhe si qeveri edhe si individë, por edhe përkushtimin dhe presionin ndërkombëtar mbi Serbinë, që të dihet fati i personave të pagjetur të cilët i mungojë familjeve të tyre, ndaj unë e quaj një dhimbje të pambyllur”, tha kreu numër dy i qeverisë së Kosovës.

Po ashtu, Kuçi tha se janë zhvilluar bisedime për mundësitë që ka Qeveria e Kosovës dhe në veçanti angazhimin për Ligjin për personat e pagjetur, i cili është në leximin e dytë në Kuvendin e Kosovës dhe pritet që brenda javës të miratohet. Ky ligj ka një status të veçanet të organizimit të familjeve të personave të pagjetur.

Kryetari i Këshillit Koordinues të Asociacionit të Familjarëve të të Pagjeturve, Haki Kosumi, takimin me zv/kryeministrin Kuçi e cilësoi si më të rëndësishmin të zhvilluar deri me tani me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.

Zv/kryeministri Kuçi tha se me këshillin kanë rënë dakort që fotografitë që janë vendosur prej vitesh në rrethojën para Kuvendit të Kosovës të largohen nga aty, pasi qeveria e Kosovës do të financojë vendosjen e tyre në një vend tjetër në kryeqytet dhe për ngritjen e një memoriali për personat e pagjetur.

Në Kosovë me aktivitetet e filluara që dje u përkujtua Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve, me qëllim të sensibilizimit, ndërgjegjësimit dhe informimit të opinionit vendor e ndërkombëtar për procesin e ndriçimit të fatit të më shumë se edhe 1800 personave ende të pagjetur.

Forcat serbe, në vitet 1998-’99, vranë e masakruan rreth 12 mijë shqiptarë,  e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur. Menjëherë pas luftës kanë rezultuar 5.650 persona të zhdukur. Në Kosovë është kërkesë e vazhdueshme zbardha e fatit të të zhdukurve të luftës.