Lajme Shqip Monday, 03 June 2013 14:55

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ) vendosi të hënën për shpërndarjen e fondit publik për subjektet zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. 
Sipas aktit, sasia e fondeve publike që do t’u shpërndahet si paradhënie këtyre subjekteve për fushatën zgjedhore të 23 qershorit është 65 milionë lekë. Nga ky fond, PD dhe PS do të përfitojnë pjesën dërrmuese. Kështu, Partia Socialiste, e cila është renditur e para në zgjedhjet e 2009-s për numrin e votave, do të sigurojë 26.115.596 lekë, ndërsa Partia Demokratike, e renditur e dyta me 10 mijë vota më pak, do të marrë 25.688.615 lekë, raporton BW. 
Lëvizja Socialiste për Integrim do të përfitojë 3.1 milionë lekë. Mbi 1 milion lekë arrijnë që të sigurojnë edhe dy parti të tjera politike, Partia Republikane dhe Partia Socialdemokrate. Me vlera më të ulëta vijojnë partitë e tjera, të cilat kanë siguruar një numër më të vogël votash në zgjedhjet e kaluara, si Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, etj. 
Të 13 subjektet politike kanë siguruar në 2009-n 1.467.424 vota dhe në total do të përfitojnë 61.750.000 lekë. Pjesa e mbetur nga fondi 65 milionë lekë do t’u shpërndahet 53 partive të tjera politike. Të gjitha këto parti të mbetura do të marrin nga 61 mijë lekë.