Lajme Shqip Thursday, 07 July 2011 19:50

Prishtinë – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, takoi sot drejtorin ekzekutiv të Bankës Botërore, Konstantin Huber, për të diskutuar për bashkëpunimin e mëtejshëm ndërmjet Bankës Botërore dhe Kosovës.

Zyra për mediat dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit bëri të ditur se në këtë takim u fol me theks të veçantë për ligjet e aprovuara nga ana e Kuvendit të Kosovës nga fusha e ekonomisë dhe financave.

“Të gjitha ligjet që kanë të bëjnë me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, duke ditur rëndësinë e tyre, janë shqyrtuar e miratuar me ritëm të shpejtuar nga ana e Kuvendit”, thuhet në njoftim.

Në takim u tha se Kosova ka siguri ekonomike dhe politike, që janë parakushte të  rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të vendit. Po kështu, Kosova ka popullsi të re, që është një potencial shumë i rëndësishëm në rrjedhat shoqërore e ekonomike.