Lajme Shqip Tuesday, 12 July 2011 19:42

Tiranë – Poligoni ushtarak i Bizës, rreth 50 kilometra larg Tiranës, u shndërrua sot në një qendër të madhe stërvitore për Forcat e Armatosura Tokësore dhe Ajrore, të cilat demonstruan përkushtim dhe seriozitet të lartë në operacionet e simuluara, si ato në luftën kundër terrorizmit edhe për emergjencat civile.  
Të pranishëm në këtë seancë stërvitore të rëndësishme për pergatitjen e trupave ushtarake, ishin ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, Leonard Demi, Ilir Bano etj, si dhe drejtues të lartë të ushtrisë, të cilët përgëzuan arritjet e shënuara në këtë fushë.  
Ministri Imami, duke përshëndetur Forcat e Armatosura, u shpreh se, “është kënaqësi e madhe që asistuam në një stërvitje që dëshmon punën e bërë gjatë këtyre muajve për të cilën jemi krenar, pasi është një tregues i arsyes pse Forca jonë e Armatosur është një anëtare e denjë e Aleancës së Atlantikut të Veriut. 
“Ky demostrim stërvitor, që përfshiu të gjithë spektrin operacional, duke treguar më së miri kapacitetet
profesionale të Forcave të Armatosura, në ndërveprim me njera- tjetrën në një teatër të imituar luftimi, kërkim- shpëtimi dhe zbulimi është garancia e aftësimit profesional dhe të qëndrueshëm të forcës tonë. Ky është motivi që ne e kemi konsideruar strëvitjen, krahas arsimimit dhe trajnimit, si prioritetin parësor”, tha Imami. 
Kreu i Ministrisë së Mbrojtjes, Imami, duke vlerësuar profesionalizimin e forcave të ushtrisë theksoi se, seancat  stërvitore janë parapërgatitja më e mirë për operacionet e së ardhmes si dhe për të kontribuar për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në botë. “Ju garantoj se në këtë rrugëtim tonin, kemi të gjithë mbështetjen e Parlamentit dhe Qeverisë për të kryer me sukses dhe me profesionalizëm detyrat tona”, tha ai. 
Duke shfrytëzuar takimin me Forcat e Armatosura, ministri Imami i’u shprehu atyre mirënjohjen për angazhimin dhe përballimin me sukses të situatave të emergjencës civile gjatë vitit të kaluar në Shkodër dhe Lezhë. “Niveli i lartë i stërvitjes për përballimin e emergjencave civile sot është garancia më e mirë për qytetarët e këtij vendi për të menaxhuar me sukses situata të vështira. Forca jonë ka shkëlqyer në të dyja situatat e emergjencës në Shkodër dhe Lezhë”, tha ai. 
Ministri i Mbrojtjes Imami, u ndal te misionet paqeruajtëse, duke vënë në dukje rritjen e angazhimit të Forcave tona të Armatosura në këto misione. “Si pasojë e një baze të fortë dhe të konsoliduar stërvitore jemi të aftë të kontribuojmë me rreth 330 ushtarakë për sigurinë në Afganistan si dhe në vende të tjera. Kemi rritur prezencën, kontributin sasior, por veçanërisht kemi ngritur kapacitete të reja për këtë Forcë të Armatosur dhe sigurisht kemi ngritur nivelin, cilësinë e kontributit që në japim në Afganistan”, tha ai.   
Kreu i Ministrisë së Mbrojtjes, duke folur për veprimtarinë e dikasterit dhe ushtrisë, e cilësoi këtë vit, si një vit suksesi për to.  “Kemi shumëfishuar numrin e personelit të përfshirë në stërvitje, me qindra dhe mijëra ushtarë nënoficerë dhe oficerë. Kemi demontuar mbi 10 mijë ton municione, ose 2 mijë ton më tepër municione se 6 muajt e parë të vitit të kaluar dhe sidomos kemi rritur veçanërisht kontributet tona për misionet në Afganistan”, tha ai. 
Në seancën stërvitore të zhvilluar sot në bazën e Bizës, forcat ushtarake tokësore dhe ajrore, realizuan operacione të shumta sidomos në luftën kundër terrorizmit, duke dëshmuar përgatitje të lartë profesionale në zbulimin, gjurmimin dhe neutralizimin e elementit terrorist në terrene të stimuluara.  
Forcat Komando të mbështetura nga ajri me helikopterë zhvilluan operacione luftarake për asgjësimin e elementit terrorist. Po aq profesionalizëm, forcat ushtarake dëshmuan edhe në operacionet e tjera si ato të kërkim-shpëtimit dhe emergjencave civile, edhe ato pas një shpërthimi në një ndërtesë të banuar, apo një aksidenti të rëndë automobilistik në një terren të thyer malor.