Lajme Shqip Tuesday, 24 April 2012 09:37

Tiranë  – Qytetarë, përfaqësues të medias dhe shoqërisë civile përzgjodhën sot me short 192 zyrtarë që do t’i nënshtrohen investigimit të hollësishëm të pasurisë së tyre nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.

Procedura e shortit ishte pjesë e aktivitetit “ILDKP me dyer të hapura”, e cila shënon transparencën më maksimale të aktivitetit të institucioneve kontrolluese në Shqipëri.
Në përfundim të shortit, nga e cila sipas ligjit përzgjidhen 4% e totalit të rreth 4360 subjekteve deklarues, u përzgjodhën për kontroll 2 ministra, një zv.ministër, 29 gjyqtarë dhe prokurë, 9 nëpunës të nivelit të lartë, 6 deputetë, 55 nëpunës të nivelit të mesëm, 17 drejtues të pushtetit lokal dhe 73 punonjës të administratës tatimore dhe doganore.

Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP, z. Adriatik Llalla, në fjalën hyrëse të aktivitetit, falenderoi qytetarët dhe aktorët e shoqërisë civile për bashkëpunimin e ngushtë me Inspektoratin e Lartë lidhur me denoncimet e rasteve korruptive në administratën publike.

Duke vënë theksin në amendimet e fundit të Kodit Penal, në bazë të të cilave ILDKP-së i krijohen mundësi më të mëdha investigimi për pasuritë e paligjshme, z. Llalla inkurajoi të gjithë ata që synojnë forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri “ të jenë sa më aktivë në bashkëpunimin me Inspektoratin e Lartë”. Në këmbim të këtij bashkëpunimi- theksoi kreu i Inspektoratit të Lartë, ”sigurojmë opinionin publik se do të vijojmë me vendosmëri luftën kundër korrupsionit dhe konfliktit të interesave”. (Sh.C)