Lajme Shqip Friday, 19 August 2011 12:19

Tiranë – Minatorët e Bulqizës ndodhen në ditën e 26-të të grevës së urisë, ndërkohë që memorandumi i mirëkuptimit nuk u pranua nga kreu i konfederatës së sindikatave.

Në memorandumin e saj ACR-së thekson se “kompania Albanian Crom pajtohet për të përmbushur kërkesën për rritjen e pagës me 20%, duke filluar nga data e nënshkrimit të tij, po ashtu kompania pajtohet për të bërë transparent të gjitha investimet, për të përmirësuar kushtet e punës, duke përfshirë sigurinë me të gjitha standartet si dhe rregulloren e sigurimit teknik për sigurinë në punë, do të sigurojë të gjithë ndihmën për sindikatën e re që do të krijohet pas nënshkrimit të këtij memorandumi”.
Në dokumentin e publikuar nga kompania konçesionare ACR nënvizohet se “të gjithë punonjësit duhet të marrin përsipër që menjëherë të rinisin punën dhe të lirojnë të gjitha ambientet e minierës.”

Ndërsa Kryetari i konfederatës së Sindikatave, Kol Nikollaj, deklaroi dje në një intervistë për mediat se memorandumi ka disa shtesa antiligjore. Ai ka theksuar se sindikata është e gatshme për një marrëveshje, e cila do të bënte të mundur plotësimin e kërkesave të minatorëve.

Ndërkohë, një ditë më parë Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës kërkoi ndërprerjen e grevës së minatorëve dhe nxjerrjen e tyre jashtë galerisë pasi rrezikohet jeta e tyre, kërkesë e mbështetur edhe nga gjykata e qarkut Dibër.

Ndërkaq 14 minatorë të Bulqizës vijojnë ditën e 26-të të grevës së urisë në nivelin e 14-të të minierës. Ata shprehen të vendosur se nuk do ta ndërpresin grevën e urisë derisa të plotësohen kërkesat e tyre.

Minatorët kërkojnë rritje page në masën 40%, përmirësim të kushteve të punës, ulje të moshës së daljes në pension dhe largimin e përfaqësuesit të kompanisë ACR.