Lajme Shqip Friday, 15 July 2011 20:45

Girokastër – Gjashtë vjetori i certifikimit të Gjirokastrës në listën e trashëgimisë kulturore – botërore të UNESKO-s, u përkujtua sot me mjaft aktivitete të organizuara nga bashkia e qytetit të gurtë, prefektura dhe organizatat për ruajtjen e vlerave të Gjirokastrës.

Ceremonitë festive nisën në vendin ku është vendosur pllaka që përkujton këtë ditë të shënuar për qytetin e gurtë, në sheshin “Çerciz Topulli”, për të vazhduar më pas në rrugën që të çon në lagjen “Pazari i vjeter”, i cili është edhe simboli i qytetit muze.

Kreu i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime, evidentoi punën për ringritjen e qytetit në këto 6 vjet si dhe investimet që ka kryer dhe do të vazhdojë të kryejë qeveria shqiptare në zonën muzeale, me qëllim ringritjen e saj dhe thithjen e sa me shumë turistëve vendas dhe të huaj.

Qe pas pranimit të Gjirokastrës në listën e trashëgimisë kulturore botërore të UNESKO-s, më 15 korrik të viti 2005 janë investuar 5,4 milionë dollarë, por megjithatë, rikthimi në identitet i mjaft banesave, kategori e parë dhe e dytë, kërkon mjaft investime.

Gjatë veprimtarive të zhvilluara, u çel edhe një ekspozitë fotografike me pamjet e Gjirokastrës në vite si dhe u nderua me një certifikate mirënjohjeje edhe grupi polifonik, Obelisk.