Lajme Shqip Monday, 21 November 2011 18:17

Një zjarr i fuqishëm në një magazinë fishekzjarresh ne Tirane ka vënë në alarm këtë pasdite zjarrfikësit e kryeqytetit dhe Durrësit dhe banorët e zonës ku ndodhej godina.

Magazina me fishekzjarre ndodhet në kryqëzimin e Unazës së Re, pranë tregut të zonës së Kombinatit, ndërsa zjarri në të mësohet se ka rënë rreth orës 16:30 minuta.

Banorë të zonës sapo kanë parë flakët gjigande dhe tymin kanë njoftuar forcat e zjarrfikëseve.

Në vendgjarje mbërriti fillimisht vetëm një zjarrfikëse që nisi menjëherë nga puna për lokalizimin e flakëve dhe më pas disa të tjera.
Policia nisi menjëherë nga evakuimi i banorëve që kishin banesat pranë magazinës së fishekzjarreve.

Mësohet se zjarri po përparon dukshëm dhe për shkak të lëndës që ndodhet në magazinë që përshpejton flakët e zjarrit duke u dhënë përmasa tepër të mëdha.

Herë pas herë dëgjohen shpërthime të fuqishme të fishekzjarreve që po digjen brenda magazinës.

7 zjarrfikëse nga Tirana dhe nga Durrësi kanë mbërritur në vendgjarje dhe po tentojnë të lokalizojnë flakët.

3 zjarrfikëse janë pranë një pike karburanti që ndodhet në zonë dhe po luftojnë të mbajnë larg zjarrin.

Nuk dihen ende shkaqet e zjarrit, ndërsa mësohet se aktualisht nuk ka asnjë të dëmtuar nga ky incident.