Lajme Shqip Monday, 26 November 2012 14:52

Trajneri i Mançester Junajtid, Aleks Ferguson, mendon se Liverpuli duhej të ishte menduar mirë para se të vendoste të shpenzonte 35 milion paund për të blerë nga Njukasëll Endi Keroll rreth dy vite më parë.

Sipas skocezit, rivalët historikë duhet të kishin qenë më të vëmendshëm para se të nxirrnin nga arkat e klubit një shumë të tillë të lartë për një lojtar që kishte shumë pak eksperiencë dhe që tregoi limitet e tij sapo ndërroi skuadër.

“Ai nuk kishte luajtur shumë ndeshje për Njukasëllin dhe e pa veten të blerë për shumën e lartë të 35 milion paund nga një klub si Liverpuli. Ai ishte i ri dhe ishte një kërcim i madh për të, për atë shumë parash. Edhe ne kemi provuar fatin me disa lojtarë të rinj në të kaluarën, por për pak milion. Kur bëhet fjalë për të shpenzuar 35 milion, duhet të bësh mirë detyrat dhe të shohësh më parë se si është ky futbollist në sezonin e dytë”, tha Ferguson.

Sipas tij, edhe vendimi për të dhënë sulmuesin huazim te Uest Hem ishte i gabuar, pasi Liverpuli nuk mori asnjë zëvendësues, sepse Totenhem i rrëmbeu objektivin e vetëm të merkatos, amerikanin Klint Dempsi.

“Ata po ndiqnin Klint Dempsi, marrëveshja që nuk u arrit, por ndërkohë kishin mbyllur gjithçka për huazimin e Keroll. Ndoshta ishte diçka që as vetë nuk e pritnin. Meqë trajneri është i ri, ai ndoshta mendonte se e kishte mbyllur blerjen e lojtarit që para se të largonte tjetrin”, ishte kritika e Ferguson ndaj Roxhers. (LajmeShqip.com)