Lajme Shqip Tuesday, 16 October 2012 09:20

Alesandro Del Piero ka treguar se ka lënë pas nostalgjinë e largimit nga Juventusi, e ndonëse vazhdon të jetë një tifoz i bardhezinjve, preferon që të përqendrohet te ekipi i tij australian, Sidnei FC.

“Për të kaluarën time mendoj shumë, por edhe jo aq sa mund të pritet. Mendoj shumë pasi 19 vite nuk harrohen lehtë, por këtu ambienti të shtyn të mendosh për të tashmen, momentin aktual, Natyrisht që ndjek kampionatin italian, Juventusin e Ligën e  Kampioneve. Mbetem një tifoz i bardhezinjve, nuk mund të jetë ndryshe, por tani Juventusi është e kaluara. Kjo e kaluar është shkruar tashmë dhe më duhet të mendoj për të tashmen. Nuk e di kur mund të kthehem për vizitë në stadiumin e Juventusit, është një pyetje që nuk ia bëj vetes”, ka treguar ish-kapiteni i bardhezinjve.

Të shtunën vihen përballë Juventusi me Napolin dhe sigurisht që Del Pieros i është kërkuar një opinion për këtë ndeshje klasike, ku për më tepër diskutohet edhe kryesimi i kampionatit.

“Unë kam për vete derbin me skuadrën tjetër të Sidenit, për më tepër jashtë shtëpie”, u përgjigj me humor ai. “Përtej shakave, janë dy skuadra të kompletuara, të qëndrueshme dhe në shumë aspekte janë edhe të ngjashme. Mendoj se ndeshja e të shtunës do të jetë shumë e bukur”.

Nuk mund të mungonte komenti për eksperiencën e tij të re në radhët e Sidneit. “Impakti me jetën këtu është pozitiv edhe pse ka preokupim për dy humbjet radhazi në kampionat. Ndoshta mbërritja ime këtu ka vënë pak nën trysni ekipin. Por jam i bindur që kam bërë zgjedhjen më të mirë të mundshme duke ardhur këtu”, përfundoi Del Piero. (LajmeShqip.com)