Lajme Shqip Thursday, 11 August 2011 16:35

Tiranë – Minatorët e Bulqizës nuk u paraqitën në takimin e planifikuar për t’u zhvilluar sot në Peshkopi, duke refuzuar përsëri ftesën e kompanisë “ACR” për të bashkëbiseduar, me qëllim zgjidhjen e situatës së krijuar prej ditësh në minierë.

Ne takimin e zhvilluar gjatë mesditës së sotme në prefekturën e Peshkopisë ndodhej edhe kreu i Bashkisë së Bulqizës, Roland Keta, i cili më herët i bëri apel minatorëve të marrin pjesë në takim, pasi sipas tij, vetëm dialogu mund t`i japë zgjidhje situatës së krijuar në minierë.

Ndërkaq, Repartit i Inspektimit dhe Shpëtimit të Minierave, në një deklaratë për shtyp i kërkoi Policisë së Shtetit ndërhyrje të menjëhershme për evakuimin e minierës, e cila rrezikon të shembet, ndërkohë që bëri publike depozitimin e padisë penale për drejtuesit e grevës.

13 minatorët në greve urie prej 18 ditësh, ritheksojnë vullnetin e tyre për të qëndruar në grevë deri në realizmin e kërkesave, të cilat konsistojnë në rritjen e pagës 20-40 përqind, kushte më të mira pune, uljen e moshës së pensionit si dhe largimin nga detyra të përfaqësuesit të “ACR”.