Lajme Shqip Friday, 14 June 2013 17:43

New York – (E plotësuar) 

Në seancën për Kosovën të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që u zhvillua të premten në Nju Jork, është vlerësuar lart marrëveshja e 19 prillit, e arritur ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq në Bruksel.

Ajo është cilësuar si historike nga të dy kryeministrat, derisa sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban ki-Moon, por edhe ambasadorët e vendeve anëtare të KS-së, kanë bërë thirrje për zbatimin sa më të shpejtë të saj.

Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se marrëveshja konfirmon dhe ruan sistemin unik dhe legal të Kosovës, si autoritet të vetëm legal në vend.

Ai, gjithashtu, ka potencuar se marrëveshja mbron të gjitha komunitetet, duke iu ofruar atyre siguri fizike dhe humane.

Ndërkaq, kryeministri serb, Ivica Daçiq, në këtë seancë ka thënë se Serbia është e vendosur që t’i vërë pikë së kaluarës, e cila siç është shprehur ai, nuk mund të ndryshohet.

Daçiq ka theksuar se marrëveshja e prillit, është e para e këtij lloji e arritur ndërmjet dy palëve dhe se në të ardhmen, sipas tij, do të bisedohet për kthimin e personave të zhvendosur dhe pronës, raporton rel. 

Kryeministri serb është shprehur se të gjitha raundet e negociatave janë zhvilluar pa paragjykim ndaj çështjes së statusit të Kosovës, duke shtuar se Serbia ka treguar gatishmërinë e saj për të shkuar përtej gjendjes së tanishme.

Ndërkohë, pasi e ka vlerësuar si sukses historik marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Ban Ki-Moon ka ftuar të dy palët që të hapin kanalet e komunikimit dhe të bëjnë përpjekje për zbatimin e marrëveshjes.

“Ajo është arritje historike. Si rezultat i saj, perspektivat për të kapërcyer trashëgiminë e konfliktit të kaluar dhe për të arritur pajtim, stabilitet dhe prosperitet janë më të mëdha se kurrë”, ka deklaruar Ban.

 

Ban kërkon zbatimin e Marrëveshjes

 

Pak pas orës 16 sipas kohës sonë, në New York ka filluar mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kushtuar Kosovës. Në raportin e sekretaritr të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun është lavdëruar arritja e marrëveshjes ndërmjet Beogradit e Prishtinës, duke vlerësuar se me të i janë dhënë autorizime të rëndësishme asociacionit të komunave serbe në veri të Kosovës.

Pasi e vlerësoi si sukses historik, Ban ftoi dy palët që të hapin kanalet e komunikimit dhe të bëjnë përpjekje për zbatimin e marrëveshjes.

Në raportin e tij për tremujorin e fundit , ai i bëri një vështrim edhe hetimit për trafikun e organeve, duke vënë në pah se tashti janë duke u mbledhur dhe analizuar informatat e marra nga burimet institucionale, raporton koha.

Para fillimit të mbledhjes së KS të OKB, kryeministri serb, Ivica Daçiq është takuar me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, nga i cili, si njoftojnë mediumet serbe, ka kërkuar që “UNMIK-u, KFOR-i dhe EULEX-i të jenë garant i sigurisë së popullit serb” në Kosovë.