Lajme Shqip Monday, 08 October 2012 17:01

Një episod shumë i shëmtuar ka ndodhur në fund të ndeshjes mes Napolit dhe Udinezes, kur skuadra vendase fitoi 2-1 dhe mbajti kreun e klasifikimit në kampionatin italian përkrah Juventusit. Mbrojtësi i skuadrës napolitane, Salvadore Aronika ka humbur tërësisht kontrollin dhe ka sulmuar fizikisht një gazetar në sallën e konferencave.

Mbrojtësi i Napolit ka sulmuar fillimisht verbalisht, e pastaj edhe fizikisht një gazetar napolitan të një kanali televiziv, Antonio Korrado. Fillimisht ai e shau dhe e kërcënoi (“Do të të vras! Do të të vras!”) dhe më pas ushtroi edhe dhunë fizike ndaj tij.

Aronika arriti ta godiste dy herë me shpullë dhe pastaj edhe ta gjuante me bërryl, para se të ndërhynin persona të tjerë të pranishëm për ta ndalur, duke evituar një ngjarje edhe më të shëmtuar. Për të evituar një kallëzim penal, lojtari është kthyer pak minuta më vonë dhe i ka kërkuar falje publike gazetarit për gjestin e tij, por ky i fundit ka bërë të qartë se mund t’i drejtohet organeve të drejtësisë për të zgjidhur këtë çështje.

Sipas asaj që është mësuar, mbrojtësit të Napolit nuk i ka pëlqyer fakti që gazetari në fjalë e ka kritikuar shpesh paraqitjen e tij, duke sugjeruar që Napoli tashmë të vendoste të shiste futbollistin që ka përfunduar mes rezervave. (LajmeShqip.com)