Lajme Shqip Thursday, 28 February 2013 09:54

Xhevahir Sukaj tashmë është kthyer në sulmuesin titullar të skuadrës iraniane të Sepahan dhe ka arritur që në këtë sezon të shfaqet si lojtari më në formë i ekipit, duke gjetur me vazhdimësi rrugën e rrjetës. Prova e radhës ka qenë ajo e Ligës së Kampioneve të Azisë, ku Sepahan ka debutuar me një fitore 3-0 përballë Al Nasr, ku Sukaj ka qenë autor i dy golave. 

Sulmuesi shqiptar ka shënuar në minutat 22 dhe 81 të këtij takimi, duke treguar se është në formë të mirë dhe se tani meriton të ketë edhe ai shansin e vet me kombëtaren shqiptare të futbollit, ku çuditërisht vazhdon të injorohet nga trajneri De Biasi. Justifikimi i trajnerit italian për cilësinë e lojës në kampionatet e Lindjes së Mesme bie në kundërshtim me veprimet e tij, pasi në radhët e Sepahan, aktivizohet një titullar i rregullt i kombëtares shqiptare, Ervin Bulku, i cili mbrëmë luajti si titullar për t’u zëvendësuar në minutat e fundit të ndeshjes. (LajmeShqip.com)