Lajme Shqip Thursday, 12 June 2014 13:27

Në kampionatin e 20-të Botëror të Futbollit i cili fillon sot në Brazil, do të marrin pjesë 32 ekipe kombëtare, ndërsa në një prezantim të lojtarëve që duhet të shikohen nga afër.Rrjeti televiziv CNN në mesin e 32 futbollistëve, duke zgjedhur nga një prej secilit ekip, ka veçuar edhe dy shqiptarë me prejardhje nga Kosova, Xherdan Shaqiri që do të mbrojë ngjyrat e Zvicrës dhe Adnan Januzaj nga ekipi kombëtar i Belgjikës. Është një krenari për Kosovën që përfaqësohet me disa futbollistë në këtë ngjarje kryesore botërore të futbollit dhe edhe më nder kur dy prej tyre veçohen nga 32 ekipet pjesëmarrëse.

Për Xherdan Shaqirin CNN thotë se ndonëse zvicerranët nuk kanë një forcë të madhe sulmuese, 22-vjeçari është krahasuar me sulmuesit më të mëdhenj në botë. Dhe, duke dhënë përgjigje se pse nuk është dëgjuar aq shumë për te numërohen tri arsye: Franck Ribery, Arjen Robben dhe Thomas Mueller, mesfushorët bashkëlojëtarë në Bayern Munich, të cilët thuhet se do të jenë ‘mentorët më të mirë për yllin që po lulëzon.’

Në komentet për ekipin kombëtar të Belgjikës, CNN thotë se belgët janë të rinj, por asnjëri nuk është më i ri se sa mrekullia e Manchester United, Adnan Januzaj. Në debytimin e e tij të parë për Manchester United, 18 vjeçari shënoi dy gola duke siguruar fitoren mbi Sunderland.

Për Januzajn CNN thotë se ekziston edhe një legjendë ku thuhet se që në moshën 6 vjeç ai kishte shënuar 17 gola gjatë një ndeshjeje. Dhe në qoftë se atij i jepet rasti për të luajtur, ‘me siguri nuk do t’i mungojë vetëbesimi,’ thotë ndër të tjera rrjeti i njohur televiziv amerikan CNN. 

 
Lajme Shqip Tuesday, 15 October 2013 14:21

Se është mysliman i devotshëm, Xherdan Shaqiri e tregoi edhe kësaj radhe.Ai në profilin zyrtar të tij në Facebook iu uron komunitetit mysliman Festën e Kurban Bajramit.

Ai këtë festë të madhëruar islame e uroi në tre gjuhë, gjuhë angleze, shqipe dhe gjermane. Urimi i Shaqirit është ky: Happy bajram to all muslims in the world….. Urime festa e kurban bajramit per te gjith muslimanve… Ich wünsche allen gläubigen Moslems einen besinnlichen Bajram…. XS.
Ndërsa shqiptari tjetër i Manchester United, Adnan Januzaj ka qenë më i shkurtë në urimin e tij për këtë festë: Eid Mubarak to all Muslim fans./B.Sot/ 

 
Lajme Shqip Sunday, 26 May 2013 10:01

Xherdan Shaqiri ka ngjitur Kosovën në majën e futbollit evropian, duke vendosur të hedhë mbi krahë flamurin e vendlindjes së tij gjatë festimeve të fitores së Ligës së Kampioneve pas suksesit me Bajern Mynih. Ndonëse mesfushori kosovar nuk u aktivizua në këtë sfidë, ai qëndroi në pankinë gjatë finales, ndërsa në fund iu bashkua pjesës tjetër të skuadrës për të festuar në fushë. Shaqiri hodhi mbi krahë flamurin e Kosovës dhe atë zviceran gjatë festimeve, duke valëvitur me krenari sidomos flamurin kosovar gjatë festës në tribunë dhe më pas në fushën e lojës. (LajmeShqip.com)

 

 

 
Lajme Shqip Thursday, 18 April 2013 20:05

Presidenti i Bajern Mynih, Uli Hënes, mendon se Xherdan Shaqiri ka ende shumë rrugë për të bërë nëse do të arrijë në nivelin e Frenk Riberi. Paraqitja e mesfushorit kosovar në ndeshjen kundër Volsfburgut solli shumë vlerësime në adresë të tij, ndërsa vetë drejtori sportiv i bavarezëve, Matias Samer, e cilësoi të një klasi botëror Shaqirin për atë ndeshje mbresëlënëse.

Por Hënes ka bërë të qartë se nuk duhet kaluar kufiri me vlerësimet për Shaqirin, ndërsa mendon se lojtari ka ende hapësira të mëdha për përmirësim.

“Shaqiri dhuroi një paraqitje të mirë por nuk është ende në nivelin e Riberi”, tha ai për “Bild”. “Ai ka ende shumë rrugë për të bërë nëse do të mbërrijë në nivelin e Riberi”.

Një fakt të tillë e ka pranuar edhe mesfushori 21 vjeçar, i cili është i ndërgjegjshëm se për të ulur francezin në stol ka shumë punë për të bërë.

“Ishte një ndeshje e mirë ajo që zhvillova, por edhe unë e di që mund të përmirësohem më shumë. Nuk është e lehtë kur rivali yt më i madh për formacionin është një lojtar i klasit botëror si Riberi. Por ai vazhdon të mbetet një mik i mirë”, tregoi mesfushori që duket se për momentin e pranon pa probleme inferioritetin ndaj francezit dhe faktin se është zëvendësuesi i tij. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 17 April 2013 11:37

Xherdan Shaqiri ka shkëlqyer me lojën e tij ndaj Volfsburgut në Kupën e Gjermanisë, pasi me një gol dhe dy pasime ka ndihmuar skuadrën të fitojë 6-1 dhe të shkojë në finale. Por mesfushori kosovar ka pranuar se bavarezët, pavarësisht këtyre fitoreve të thella, janë të shpërqendruar tashmë pasi po mendojnë vetëm për sfidën e javës së ardhshme në Ligën e Kampioneve ndaj Barcelonës.

“Ne dëshironim shumë të arrinim në finalen e Kupës por ishte e vështirë për ne. Të gjitha bisedat rreth Barcelonës e kanë bërë të vështirë të përqendroheshim siç duhej për ndeshjet e radhës. Por ia dolëm mbanë dhe mbërritëm të kontrollonim qetësisht ndeshjen”, deklaroi mesfushori kosovar.

Shaqiri ka qenë kryesisht zëvendësues gjatë këtij sezoni, pasi titullarët e paprekshëm në mesfushën e Bajernit në pozicionet ku mund të luajë ai janë kryesisht Kros në qendër dhe Riberi e Roben nga krahët. Por kohët e fundit, falë dëmtimeve të këtyre futbollistëve ai ka filluar të fitojë më shumë hapësira në formacion, duke u treguar mjaft vendimtar dhe duke fituar edhe vlerësimet e drejtuesve të klubit

“Jemi shumë të lumtur. Shaqiri ishte “Njeriu i Ndeshjes” për ne pasi tregoi se ka klas të jashtëzakonshëm”, ishin fjalët e drejtorit sportiv të bavarezëve, Matias Samer, pas përfundimit të ndeshjes për lojtarin që në këtë sezon ka shënuar 7 gola dhe ka dhënë 12 pasime për gol në të gjitha aktivitetet me fanellën e bavarezëve. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 02 February 2013 10:29

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është takuar dje në Mynih me futbollistin kosovar Xherdan Shaqiri. Numri 1 i shtetit kosovar zhvilloi këtë takim krejtësisht miqësor me mesfushorin e Bajern Mynih që luan për kombëtaren e Zvicrës, por që ka deklaruar kudo krenarinë e tij se është kosovar.

Znj. Jahjaga përgëzoi Shaqirin për paraqitjet e tij dhe faktin se i ka bërë një reklamë të mirë të vlerave të Kosovës në të gjithë botën. Ajo e ka cilësuar futbollistin si një nga ata të rinj të talentuar që po tregojnë vlerat e tyre në të gjitha fushat e jetës nëpër botë.

Nga ana e vet, Shaqiri i ka dhuruar Presidentes Jahjaga një fanellë të tijën të Bajern Mynih, ndërsa e ka falënderuar për hapat e rëndësishëm që po merr shteti kosovar për të mbështetur rritjen e sportit në Kosovë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 14 December 2012 22:33

Xherdan Shaqiri ka shënuar golin e tij të parë në Bundesligë, duke ndihmuar Bajern Mynih të marrë një barazim të vlefshëm 1-1 ndaj Borusia Mynshengladbah, për të çuar në 12 pikë diferencën me ndjekësin më të afërt në fundin e fazës së parë të kampionatit. 

Mesfushori shqiptar nuk ishte mes titullarëve në këtë sfidë, por është aktivizuar në minutën e 38-të të ndeshjes, pas dëmtimit të Havi Martinez, kur rezultati ishte 1-0 për miqtë pas penalltisë së Marks në minutën e 21-të.

Por në minutën e 59-të, Shaqiri ka përfituar nga pavëmendja e Marks për t’i hequr topin nga këmbët dhe për të mposhtur portierin Tor Stegen me një gjuajtje diagonale që nuk i ka lënë kohë për të reaguar.

Sfida është mbyllur me rezultatin 1-1, duke kurorëzuar Bajern Mynih si “Kampion Dimri”, edhe pse këtë titull simbolik e kishte siguruar matematikisht që tre javë më parë.

Duhet theksuar se Granit Xhaka vazhdon të mbetet mes zëvendësuesve te Borusia Mynshengladbah. Në këtë takim, ai u aktivizua vetëm në 15 minutat e fundit, për t’i dhënë freski skuadrës së tij në mesfushë, ku kishte vetëm detyra mbrojtëse. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 09 September 2012 20:52

Xherdan Shaqiri ka ndezur më shumë atmosferën para ndeshjes Zvicër-Shqipëri duke deklaruar se do të shikonte me vëmendje situatën e mundshme të ndryshimit të kombëtares, duke luajtur për atë kosovare nëse kjo e fundit pranohet në FIFA e UEFA.

Lojtari që mban në këpucët e tij tre flamuj: atë kosovar, atë shqiptar dhe atë zviceran, ka dashur të sqarojë menjëherë se për momentin zgjidhja e tij ka qenë shumë e thjeshtë, pasi askush nga Shqipëria nuk është kujtuar ta kontaktojë në fillimet e tij.

“Shqiptarët nuk më kanë pyetur kurrë nëse dëshiroja të luaja me ta. Gjithsesi, kjo do të jetë një ndeshje mjaft emocionuese”, ka thënë futbollisti me origjinë nga Gjilani, i cili mund të luajë për kombëtaren e Kosovës në një të ardhme të afërt.

“Një situatë e tillë të bën të mendohesh. Unë jam nga Kosova. Nëse Kosova krijon një kombëtare, atëherë do të rishoh situatën”, ka pranuar ai para mediave zvicerane duke krijuar panik te tifozët e kësaj skuadre, që shohin te ai një nga yjet më të mëdhenj të së ardhmes të përfaqësueses zvicerane.

Edhe Granit Xhaka ka lënë të kuptohet se një ndryshim i kombëtares mund të jetë mëse i mundshëm. “E mendoj të realizueshëm. Por mendoj se kjo temë duhet prekur pas 3-4 vitesh dhe kushedi se çfarë ndodh deri atëherë, ndoshta unë nuk do të jem më pjesë e kombëtares zvicerane. Do të ishte një situatë krejtësisht e re”, ka treguar mesfushori që mban numrin 10 në përfaqësuen helvete.

Zëdhënësi për shtyp i FIFA-s, Valter De Gregorio, ka konfirmuar për mediat zvicerane se ekziston një vakum për rastin në fjalë dhe nëse Shaqiri e Xhaka, ashtu si kosovarët e tjerë që luajnë në kombëtare të ndryshme, mund të lejohen të aktivizohen me  përfaqësuesen e Kosovës kur kjo e fundit të njihet në arenën ndërkombëtare, edhe pse personalisht e cilësonte të parelizueshme një gjë të tillë.

“Nuk kemi patur asnjëherë një rast të tillë. Kjo duhet t’i përkasë Komisionit për Statusin e Lojtarit. Në pamje të parë, një ndryshim është i parealizueshëm, pasi në të gjithë statutet thuhet se lojtari luan vetëm për një kombëtare dhe çështja në fjalë nuk përfshin asnjë prej përjashtimeve në rregulloret aktuale”, tha ai. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 28 August 2012 13:20

Xherdan Shaqirit i kanë mjaftuar vetëm dy muaj për t’u bërë një emër i njohur për tifozerinë e Bajern Mynih. Futbollisti 20 vjeçar ka qenë protagonist në ndeshjet e para zyrtare të sezonit me golat dhe pasimet e tij, siç u pa më së miri në ndeshjen ndaj Grojter Fyrth, ku tifozeria thirri në kor emrin e tij.

“Kur isha i vogël ëndërroja të luaja në Bundesligë, për një klub të madh. Tani që arrita të zhvilloj ndeshjen time të parë në Bundesligë me Bajern, u realizua një ëndërr! Gjithmonë kam ëndërruar të jem pjesë e një klubi të madh dhe tani jam aty”, ishin fjalët e Shaqirit pas ndeshjes së tij të parë me fanellën e Bajern në kampionatin gjerman, për më tepër si titullar.

Lojtari është shfaqur menjëherë si protagonist në lojën e Bajern Mynih, pasi në dy ndeshjet e para, në Kupë dhe kampionat, ka shënuar një gol dhe ka dhënë 3 pasime për gol. “Të gjithë e kanë parë që në fazën përgatitore që arrij të merrem vesh mirë me të gjithë shokët e skuadrës. Këtë radhë ishte shumë e rëndësishme për mua që arrita të jap pasimin për golin e 2-0. Shpresoj që të vazhdoj me këto ritme”, deklaroi Shaqiri i cili tregon modesti duke thënë se e pranon stolin për kohë që është pjesë e një ekipi me synime të mëdha.

“Nuk ka rëndësi kush ulet në stol dhe kush luan nga fillimi. Gjëja më e rëndësishme është se këtë vit ne luajmë si skuadër, që të mund të jemi të suksesshëm. Edhe nëse javën e  ardhshme unë do të jem në stol, nuk shqetësohem, ndonëse dëshira e çdo futbollisti është të luajë gjithmonë”, deklaroi ai për mediat gjermane. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 22 August 2012 10:01

Ndeshja e parë zyrtare e Xherdan Shaqirit me fanellën e Bajern Mynih ka sjellë elozhe të mëdha për futbollistin shtatshkurtër shqiptar që ka pushtuar faqet e para të mediave sportive gjermane me paraqiten e tij në suksesin 4-0. Elozhet për të kanë ardhur nga persona shumë të rëndësishëm që kanë vlerësuar si golin e tij me goditje dënimi, ashtu edhe pasimet për dy golat e tjerë të shënuar gjatë pjesës së dytë të ndeshjes ku u aktivizua në vend të Frank Riberi.

“Ai është një futbollist që është në gjendje të mbajë topin dhe të dhurojë surpriza e krijimtari. Kjo e bën atë të paparashikueshëm”, ishte komenti i drejtorit sportiv të Bajern Mynih, Matias Samer.

Trajneri Jup Heinkes është i sigurt se futbollisti nuk do të “zhduket” ashtu siç ndodh shpesh me talentet që shpërthejnë në moshë të re.

“Kam bërë shumë që të realizoja transferimin e Xherdanit. Të gjithë e dinë opinionin tim dhe se unë mendoj që ai nuk ka rrezik të humbë si futbollist. Ai ka çdo gjë që i nevojitet një futbollisti dhe e tregon këtë çdo ditë në stërvitje”.

Ndërkohë, trajneri i përfaqësueses zvicerane, Otmar Hitzfeld, nuk ngurron ta krahasojë atë me një emër të njohur të futbollit gjerman, mesfushorin Mehmet Sholl.

“Nuk çuditem nga paraqita e Shaqirit. Ai është një lojtar që mund të bëjë diferencën në një klub. Nën drejtimin e Heinkes do të piqet si lojtar”.

“Që tani mund të bëjmë paralelizma me Mehmet Sholl, i cli kishte instinkte të jashtëzakonshme futbolli. Me Sholl nuk dinim kurrë nëse do të shkonte djathtas apo majtas. Shaqiri ka një forcë të pabesueshme. Ai është gjithashtu i fortë edhe psikologjikisht, mund të qetësojë menjëherë lojën e ekipit”.

“Me Sholl ka të përbashkët edhe goditjet e dënimit, i gjuan njëlloj si ai. Por do të ishte mendjemadhësi të pretendonte që tani për një vend në formacionin titullar duke ulur në stol Riberi apo Roben”, përfundoi Hitzfeld. (LajmeShqip.com)