Lajme Shqip Friday, 09 November 2012 18:19

Por ishin të kota lutjet e Hajdarit pasi që trupi gjykues i kryesuar nga Sahit Borovci e shpalli fajtor atë dhe e dënoj me 1 vit burgim efektiv dhe dy vite masën e ndalimit të mos ushtrimit të profesionit të mjekut.

Borovci duke e shpallur aktgjykimin tha se Hajdari është gjetur fajtor se më 19 korrik 2012 në restorant “Bujana”, Xhavit Hajdari në cilësinë e drejtorit ekzekutiv ka kërkuar përfitim material për vete, respektivisht nga e dëmtuara Sevdije Demolli, pronare e kompanisë “Toni” ka kërkuar shumën prej 2000 eurove në mënyrë që mos t`ia ndërpresë të dëmtuarës kontratën e themeluar për pastrimin e objekteve në spitalin e Gjilanit.

Fillimisht i pandehuri në mënyrë të kundërligjshme e me qëllim përfitimi të dobisë pasurore kërkon nga e dëmtuara shumën prej 500 eurove në muaj në mënyrë që kompania e të dëmtuarës të mund të vazhdonte ofrimin e shërbimeve për spitalin e Gjilanit, në të cilën kërkesë e dëmtuara nuk pranon nën pretekstin se është e papërballueshme për të dhe më pas i pandehuri zbret shumën e kërkuar në vlerë të 200 eurove në muaj.

Pasi merren vesh i pandehuri dhe e dëmtuara me vajzën e saj takohen tek restoranti “Bujana” ku e dëmtuara nxjerrë shumën prej 2000 eurove, dhe ia dorëzon në dorë të pandehurit i cili i merr paratë dhe i fut në xhepin e majtë të këmishës dhe arrestohet nga policia në flagrancë.

Gjyqtari Borovci tha se palët kanë të drejtë ankese pas shpalljes së aktgjykimit. I pari që ka kërkuar ankesë ishte përfaqësuesi i aktakuzës nga ana e Prokurorisë Komunale dhe më pas edhe avokatët mbrojtës të Hajdarit.

Ndërkaq e dëmtuara Sevdije Demolli edhe të premten në fjalën përfundimtare ka specifikuar se Xhavit Hajdari i ka kërkuar para për tenderin e fituar në vitin 2011 dhe atë 1000 euro dhe 1000 euro tjera për tenderin e fituar në vitin 2012.

Pas shpalljes së aktgjykimit Demolli tha për rajonipress se është shumë e pakënaqur me këtë vendim.”Unë do të ankohem edhe në EULEX dhe nëse është nevoja edhe në Gjykatën Supreme dhe në Gjykatën Kushtetuese. U kam thënë publikisht sot trupit gjykues se nëse ju nuk e qoni drejtësinë në vend , atëherë unë edhe pse jam grua do t`i ndjek të gjitha rrugët ligjore dhe institucionale për të kërkuar dënimin e merituar për këtë rast “tha Demolli. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 22 July 2012 08:30

Prishtinë – Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Gjilan e ka përshëndetur arrestimin e drejtorit të Spitalit Regjional në Gjilan, Xhavit Hajdari. Kjo degë po ashtu reagon ndaj deklaratave të LDK-së të cilët janë vënë në mbrojtje të Hajdarit, duke e cilësuar arrestimin si vepër të PDK-së në pushtet.

“LDK ka mbrojtur dhe i ka shpërblyer kuadrot e saj, e sidomos ato që kanë qenë shkelësit më të mëdhenj të ligjit, uzurpatorët e pronës publike mu në mes të qytetit sic është Xhavit Hajdari”, thuhet në një komunikatë të kësaj partie në Gjilan.

“Nëse qëndron ajo çfarë u tha këto ditë në të gjitha mediat e shkruara dhe elektronike, PDK nuk ia futi paratë në xhep Xhavit Hajdarit”, thuhet më tej në deklaratë.

Dega e PDK-së në Gjilan shprehet se në vazhdimësi e ka ngritur shqetësimin e saj për gjendjen në Spitalin e Gjilanit si rrjedhojë e keqpërdorimeve të shumta nga drejtori Xhavit Hajdari.

“PDK e Gjilanit, nuk merret me skenar të asnjë lloji, e aq më pak të këtij niveli, sepse dukuritë devijante në shoqëri i kemi thënë e denoncuar gjithherë hapur e publikisht. Ndaj ne përshëndesim arrestimin e drejtorit të spitalit regjional të Gjilanit”, thuhet në komunikatën e cila mban nënshkrimin e kryetarit të degës Izmi Zeka. (LajmeShqip.com)