Lajme Shqip Monday, 10 September 2012 13:01

Trajneri i përfaqëuses shqiptare, Xhani De Biasi, ka treguar për mediat zvicerane se si po përjeton fillimin e eliminatoreve të Botërorit 2014. Në një intervistë të gjatë, ai ka folur për ndeshjen e nesërme ndaj Zvicrës, por edhe për futbollin shqiptar në përgjithësi, duke shpalosur vështirësitë me të cilat përballet çdo ditë në punën e tij.

Shqipëria zgjidhi ndeshjen me Qipron në fundin e saj. Sa ishte i vështirë fillimi i kualifikueseve të Botërorit?

– E dinim që ndeshja e parë në fushën tonë do të ishte e vështirë. Por e kemi arritur këtë fitore me meritë.

Duket se keni besim të vetja para ndeshjes të së martës ndaj Zvicrës…

– Në ndryshim nga ne, Zvicra ka marrë një sukses më të rëndësishëm ndaj një kundërshtari të fortë. Për të fituar në Slloveni duhet të luash mirë. Zvicra, Sllovenia dhe Norvegjia janë sipas radhës favoritët për të fituar grupin tonë. Nëse Shqipëria do të mbërrijë në vendin e katërt, do të jetë edhe ai një rezultat i mirë.

Si mund ta përshkruash jetën tënde si trajner i Shqipërisë?

– Me 5 anëtarët e stafit tim kaloj shumë kohë në shëtitje nëpër Evropë. Mundohemi të shohim të gjithë lojtarët tonë dhe me stafin ndaj udhëtimet në Itali, Gjermani, Suedi, Ukrainë, Zvicër apo edhe Iran e Azerbajxhan. Kjo është e kushtueshme dhe e komplikuar. Unë jetoj në Koneljano, në verilindje të Italisë dhe udhëtoj drejt Shqipërisë kur grumbullohet kombëtarja apo për të parë ndeshjet e skuadrave vendase, siç kam bërë për takimet kualifikuese të Europa League dhe Ligës së Kampioneve. Të tre skuadrat e përfshira: Flamurtari, Tirana e Skënderbeu, u eliminuan që në turin e parë.

Ky është futbolli shqiptar…

– Ky është realiteti. Kultura e futbollit shqiptar ka nevojë të zgjerohet më tepër. Përsa i përket disiplinës, organizimit dhe mënyrës së punës, ne italianët mund t’i mësojmë shumë gjëra shqiptarëve. Bashkë me stafin tim bëjmë edukimin e mësuesve të futbolit.

Pra është e nevojshme që bëhet shumë punë në bazë?

– Lëvizja e futbollit është relativisht e re dhe po mundohemi ta promovojmë. Shumë shqiptarë kanë emigruar në vitet ’90, ka shumë talente që kanë lindur jashtë Shqipërisë dhe tani i interesojnë ekipit kombëtar.

Shumë zgjedhin skuadra të tjera, si Xhaka e Shaqiri. Sa e vështirëson kjo punën tuaj?

– Kemi shumë lojtarë të mirë që luajnë për kombëtare të tjera. Mendoj se është një mëkat por duhet ta pranosh gjithsesi.

Nga Ballkani dalin gjithmonë lojtarë të mirë. Përse?

– Talente të jashtëzakonshme shpesh vijnë nga zona të varfra. Përse? Pasi e vetmja mënyrë argëtimi është topi i futbollit që kushton pak dhe me të cilin mund të argëtohen 22 fëmijë. Shqipëria aktualisht nuk ka lojtarë të cilësisë shumë të lartë, por ka shumë futbollistë të mirë.

Talente duhet të ketë edhe në kampionatin shqiptar, që ka një mesatare moshe shumë të ulët…

– E ulët është edhe cilësia e kampionatit. Njerëzit janë të çmendur për kampionatin italian por ndjekin shumë rrallë me rregullsi kampionatin vendas. Por për ekipin kombëtar shfaqin shumë pasion. Ndoshta ndaj Zvicrës në Lucern do të jenë 1/3 e tifozëve me ne, duke bërë më shumë zhurmë se sa zviceranët e pranishëm.

Cilat janë vështirësitë me të cilat Zvicra do të përballet kundër Shqipërisë?

– Asnjë, edhe pse në një ndeshje loja mund të jetë e ekuilibruar, ndryshimi në cilësi do të ndihet gjatë të gjithë ndeshjes.

Çfarë u mungon futbollistëve shqiptarë?

– Disiplina taktike. Lojtarët mund ta teprojnë me entuziazmin, është e nevojshme ta frenojmë atë. Në këtë pikë, jemi në gjendje të bëjmë progres, duke ruajtur frymën e tyre luftarake dhe disiplinën.

A e keni ndjekur punën që është bërë me të rinjtë në Zvicër?

– Jo rastësisht ka shumë lojtarë të mirë në kombëtare. Pa organizim nuk shkohet asgjëkundi. Zviceranët janë zviceranë e për këtë arsye janë më të organizuar edhe në këtë sektor.

A mund të apliohet ky model në një vend si Shqipëria?

– Mungon infrastruktura, stadiumet janë të tmerrshme. Stadiumi kombëtar është i ndërtuar që në vitet ’40. Në Zvicër, gjithçka është shumë ndryshe.

Cili mund të jetë objektivi për kombëtaren shqiptare?

– Të mos dorëzohet kurrë dhe të besojë në një ëndërr. Kur mora Modenan në C1, ishte në vendin e parafundit. I shpëtova dhe një vit më vonë i dërgova në Serinë B, vitin tjetër në Serinë A dhe arritën të mbijetonim aty. Edhe tani dua të bëj të pamundurën. Shpesh mund të bëhet realitet, ndoshta që pas një viti e gjysmë…

Përse një trajner i njohur në Serinë A punon në Shqipëri?

– Bëhet fjalë për një hap të parë në profesionin që do të punoj në 10 vitet e ardhshme. Jam trajner, por kjo është diçka mes trajnerit dhe menaxherit. Gjithmonë kam patur këtë prirje, duhet ta filloja diku. Edhe karriera e trajnerit ka filluar në C2, por ia dola mbanë të shkoj deri në Serinë A.

Çfarë do të thotë sot të jesh një trajner?

– Është njëlloj si të vësh një bast. Flitet për “projekt” por që mund të zgjasë nga një fundjavë në tjetrën. Nëse humb dy herë, e ke pësuar. A ka sens kjo? Dëshiroja të largohesha nga futbolli, që po më shpifej. Më pëlqen thjeshtësia, rregulli. Dua të jem aty ku mund të bëj punën time dhe të paguhem për këtë.

A ndodh kjo në Shqipëri?

– Kisha vlerësimin e duhur për të mbërritur në Shqipëri falë CV dhe eksperiencës time. Edhe në Spanjë, me Levante, kisha eksperimentuar, duke parë rregullat e një sjellje ndryshe ndaj trajnerit. Në Itali, trajneri është i treti i padëshiruar, lojtarët kanë shumë pushtet. Bëjnë atë që dëshirojnë, vendosin nëse duan të stërviten apo jo. Në asnjë vend të botës nuk ka kaq shumë lojtarë “fantastikë” sa në Itali. (LajmeShqip.com)