Lajme Shqip Sunday, 25 November 2012 08:40

Tetovë – Në sheshin qendror të Tetovës sonte u shpalos portreti gjigant i figurës emblematike të PDSH-së, ish-liderit dhe themeluesit Arbër Xhaferi.

Shpalosja e kësaj fotografie gjigante u bë nga lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, i cili ishte i shoqëruar nga kryetari i LSI-së, Ilir Meta dhe Daut Haradinaj, vëllai i Ramush Haradinaj dhe deputeti i AAK-së, kryetari i komunës së Tetovës, Sadi Bexheti, por edhe qytetarë nga Tetova dhe trevat e tjera.

Kreu i LSI-së, Ilir Meta tha në fjalën e tij se e ardhmja e shqiptarëve konsiston në bashkimin dhe mirëqenien e tyre.
“100 vitet e ardhshme do të jenë vitet e bashkimit të shqiptarëve. 100 vitet që vijnë do të jenë vitet e lulëzimit të kombit shqiptar”, deklaroi Meta.

Deputeti i AAK-së Daut Haradinaj deklaroi se pa Tetovë nuk ka Shqipëri. Ai me këtë rast ka uruar gjithë shqiptarët me rastin e festës së 100 vjetorit.

“Falë sakrificës shekullore, sot Kosova është shtet dhe shqiptarët në Maqedoni janë të lirë dhe faktor paqeje. “Kjo ditë na bënë të ndjehemi krenarë për gjithë mundin dhe gjakun e derdhur ndër breza, pa të cilën shqiptarët nuk do të ishin të lirë”, deklaroi Haradinaj në akademinë e organizuar me moton “100 vjet pa Shqipërinë”.

Mijëra qytetarë sot në Tetovë kanë shënuar dhe festuar 100 vjetorin e pavarësisë, nën organizimin e komunës e Tetovës. Në mbrëmje u mbajt edhe koncerti masiv me yjet e estradës shqiptare. (INA)

 
Lajme Shqip Saturday, 18 August 2012 03:21

Prishtinë – Në ambientet e Teatrit Kombëtar, në Prishtinë sot pasdite u mbajt një akademi përkujtimore për Arbën Xhaferin, intelektualin e politikanin e përmasave kombëtare, i cili për shumë vite veproi e jetoi në Prishtinë.

Kjo akademi u mbajt nën përkujdesjen e kryeministrit, Hashim Thaçi, i cili e cilësoi Xhaferin si një nga personalitetet më të shquara të skenës politike, intelektuale dhe publicistike të hapësirës shqiptare, mendimtar, filozofi dhe politikë-bërës. “Arbën Xhaferi ishte figurë publike origjinale dhe unikate që brenda personalitetit të tij përmblidhte në mënyrë simbiotike dhe me harmoni të rrallë dellin e talentit  intelektual me atë politik.

Në këtë bashkëdyzim qëndronte esenca dhe identiteti i tij, pavarësisht se në cilën fushë shpërfaqej, në kulturë, në publicistikë, në rrafshin konkret të politikës apo diplomacisë. Arbën Xhaferi kishte dhuntinë dhe përgatitjen e lartë teorike si dhe aftësinë e duhur që dukuritë e ndërlikuara shoqërore, filozofike dhe politike, duke i qartësuar dhe konkretizuar deri në vizuelizim.

Kjo qartësi buronte nga njohja e thellë dhe e saktë e dukurive, nga mprehtësia e të gjykuarit,  nga logjika e hekurt dhe diskursi elokuent i të shprehurit. Pikërisht më këtë aftësi konceptimi të Arbën Xhaferit,  shtruarja dhe të kuptuarit e çështjes shqiptare merrte përmasa globale, shfaqet në horizonte të reja, duke tejkaluar copëzimin, jep tërësinë, apo thënë më mirë kuptimësimin e rehatimit të çështjes shqiptare.

Ky koncept është më i gjerë, më fleksibël më liberal se vetë relacionet reale të çështjes shqiptare në Ballkan. Është koncept i mendimtarit drejt të cilit e shtyn njohja dhe argumenti shkencor. Cilësi e pashmangshme e mendimit politik të Arbën Xhaferit është njohja rrënjësore e problemeve të zgjidhura e të pazgjidhura kombëtare në Evropë e më gjerë.

Prandaj sa herë e shtron problemin e çështjes shqiptare, ai ka pikëshikimin nga largësia, krahasimet, dallimet, që e bëjnë të qartë pikësynimin dhe zgjidhjen tërësore të çështjes shqiptare. Por, mbi të gjitha, Arbën Xhaferi është persistent dhe konsistent në idetë e tij në saje të vetëdijes historike, dijenisë teorike dhe relacioneve të shqiptarëve me fqinjët përreth.

Kjo ndërgjegje politike, kulturore dhe kombëtare Arbën Xhaferin individualisht e bën të lirë nga kompleksi i inferioritetit, me kërkesë të natyrshme që shqiptarët si kolektivitet, përballë të tjerëve,  po ashtu të lirohen nga kompleksi i inferioritetit.
Për rehatimin dhe realizimin e interesit nacional të shqiptarëve Arbën Xhaferi studion me imtësi potencialet e brendshme shqiptare, pa rënë në eufori, në nacionalizëm primitiv, në ksenofobi, hegjemonizëm ose aspirata utopike. Debati dhe idetë e Arbën Xhaferit për çështjen shqiptare janë sa moderniste aq edhe racionale, sa evropiane aq edhe globale, sa kombëtare aq edhe në frymën e fqinjësisë së mirë.

Arbën Xhaferi është ithtar i lirisë, mendimtar i ndritur, që lirinë e vet e kërkon të barabartë me lirinë e tjetrit, duke kërkuar mos cenim apo respekt reciprok të hapësirë së lirisë edhe në nivel individual edhe në nivel nacional. Pikërisht ky potencial intelektual, moral dhe njerëzor bëri që Arbën Xhaferi, përpos konteplacionit, t’i qaset politikës nga brenda, si art, si mundësi, si praktikë dhe si pragamatikë.

Ai veprimit politik i dha ngjyrën e individualitetit të tij. Nocionit të zhveshur të politikanit, ia veshi pelerinën e mendimtarit, duke e humanizuar drejtimin e politikës në Maqedoni. Gjatë qëndrimit në skenën politike Arbën Xhaferi rrezatoi lidership të vërtetë. Ai nuk mori asnjë post ekzekutiv, edhe atëherë kur fitoi zgjedhjet dhe subjekti i tij politik ishte pjesë e pushtetit. Ishte lider. Dhe mbeti lider deri në fund. U shndërrua në misionar.

Roli i Arbën Xhaferit në skenën politike në Maqedoni ishte pozitiv dhe emancipues.
Shumë procese u avancuan në dobi të shqiptarëve në Maqedoni saje të këmbënguljes, vizionit dhe kërkesave që parashtroi, imponoi dhe projektoi si lider i shqiptarëve të Maqedonisë e më gjerë. Në ditët më të vështira për Kosovën, Arbën Xhaferi luajti rol të rëndësishëm, duke justifikuar potencialin e tij patriotik, politik dhe humanist.

Arbën Xhaferi ishte mbështetës dhe përkrahës i natyrshëm i filozofisë politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Arbën Xhaferi do të luajë rol të jashtëzakonshëm në tejkalimin e krizës humanitare të dëbimit të shqiptarëve nga trojet e tyre në mars prill 1999. Arbën Xhaferi tërë kohën qëndroi në lartësinë elitare dhe lideriste, duke shmangur konvulsionet, tensionimet, edhe atëherë kur në jetën praktike dilnin paradokset tipike te jetës shqiptare. Ai ishte politikan me sensin e zhvilluar të masës, prandaj në zhvillimet konkrete me asgjë nuk e tepronte, as nuk e linte mangut.

Duke qenë njeri me rezon të kthjelltë analitik dhe vlerësues, në momente kruciale gjithmonë u rreshtua nga pozitivja, nga ana e interesit të popullit që i përkiste. Arbën Xhaferi la gjurmë të thella në kuadër të lëvizjes së përgjithshme për çlirimin e shqiptarëve,  duke artikuluar individualitetin e tij në parti dhe jashtë partisë, në krijimin e opinionit publik, në trajtimin analitik, sintetizues dhe vlerësues të pozitës së shqiptarëve në shekullin e kaluar dhe shekullin aktual.

Arbën Xhaferi nuk lëvizi asnjëherë nga boshti i identitetit të tij politik e kombëtar. Arbën Xhaferi qëndroi dinjitetshëm në skenën politike, deri në ditët kur e preku sëmundja, e cila ia reduktoi aktivitetin politik, por jo mendimin, idetë dhe artikulimin e vazhdueshëm për aspekte të ndryshme të çështjeve politike, problemeve filozofike dhe kulturore. Vdekja e hershme e Arbën Xhaferit është humbje e jashtëzakonshme për familjen, për skenën politike në Maqedoni, por edhe në Kosovë dhe më gjerë në botën shqiptare.

Është humbje për të gjithë ne që e kemi njohur, për  miqtë e tij të shumtë, për gjithë ata që e kanë vepruar me të. Me vdekjen e Arbën Xhaferit u shua një nga mendjet më të ndritura të qytetërimit shqiptar.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta, familjes Xhaferi, miqve dhe gjithë atyre që vlerësojnë kontributin e gjithanshëm të Arbën Xhaferit”, përfundoi fjalën e tij Kryeministri i Kosovës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 16 August 2012 07:55

Tetovë (PLOTESUAR 16 GUSHT 15:00)- Mijëra qytetarë, personalitete politike dhe publike si dhe diplomatë të huaj kanë marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të Arbër Xhaferrit në varrezat e Tetovës.

Vdekja e ish liderit të PDSH-së Arben Xhaferit ka shkaktuar heshtje të plotë në Tetovë. Para selisë së PDSH-së, ku ishte vendosur arkivoli me trupin e pajetë të ArbenXhaferit,ku janë bërë edhe homazhe,  ishin tubuar mijëra e mijëra qytetarë që kishin ardhur nga të gjitha qytetet dhe viset tjera shqiptare. Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë edhe personalitete publike, politike dhe përfaqësues të korit diplomatik në Maqedoni. 

Në ora 13.30, në heshtje të plotë, shoqëruar me kurora lulesh duke filluar nga ajo e familjes së ngushte, institucioneve, partive dhe degëve të PDSH-se si dhe të pranishmëve të tjerë u nxorr në duart e krerëve të PDSH-se arkivoli i Arben Xhaferit, që u vendos në veturën funerale dhe u nisën drejt banesës së tij të fundit në varrezat e qytetit të Tetovës. Mijëra e mijëra qytetarë formuan kortezhin të  cilit i printe vetë kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi. (LajmeShqip.com)

**************************

Ka ndërruar jetë të mërkurën pasdite filozofi, politikani dhe publicisti shqiptar Arbën Xhaferi. Vetëm pak minuta pasi ka folur Damjanoski, Partia Demokratike Shqiptare ka dalë me një deklaratë. Ajo ka konfirmuar vdekjen e ish-liderit të saj. “Sot më 15 gusht 2012 pushoi së rrahuri zemra e kryetarit të kuvendit qendror të PDSH-së z. Arbën

Xhaferi”, ka shkruar PDSH-ja e cila tash udhëhiqet nga Menduh Thaçi. “Me rastin e vdekjes së rbën Xhaferi më 16 gusht 2012, në orën 12.00 në Pallatin e Kulturës në Tetovë do të mbahet mbledhja komemorative, kurse kortezhi për përcjelljen e të ndjerit do të niset nga qendra e Tetovës në orën 13.30 për në varrezat e qytetit të Tetovës”.

Me keqardhje të thellë ta ketë marrë lajmin për ndarjen nga jeta të tij të respektuar, ka shkruar në një letër ngushëllimi që i ka dërguar PDSH-së  menjëherë kryetari i  Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti. Lideri i BDI-së ka thënë se duke u bazuar në këto vlera largimi nga kjo jetë i Arbën Xhaferit është një humbje për politikën dhe mendimin intelektual shqiptar jo vetëm në Maqedoni, por edhe më gjerë.

Për Xhaferin vlerësimet më të larta i kanë dhënë edhe në Kosovë dhe në Shqipëri. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një letër ngushëllimi për familjen e të ndjerit, ka shkruar se me vdekjen e Arbën Xhaferit u shua një nga mendjet më të ndritura të qytetërimit shqiptar. Sipas tij, vdekja e hershme e Arbën Xhaferit është humbje e jashtëzakonshme për familjen, për botën shqiptare, për miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur dhe kanë vepruar me të. 

Me fjalë të zgjedhura Xhaferin e ka përshkruar edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në një telegram ngushëllimi familjes Xhaferi. “Intelektuali dhe politikani Arbën Xhaferi ka dhënë një kontribut të çmuar në skenën politike shqiptare e sidomos në krijimin dhe udhëheqjen e politikës së shqiptarëve në Maqedoni”, ka shkruar Jahjaga.

Me hidhërim të thellë vdekjen e Xhaferit ka thënë ta ketë marrë edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Ngushëllime familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të Xhaferit u ka shprehur edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Për Lëvizjen “Vetëvendosje”, Arbën Xhaferi do të mbahet në mend si ndërtuesi i platformës për demokraci konsensuale, si kushti për parandalimin e tendencave margjinalizuese të aplikuara kundrejt shqiptarëve në Maqedoni. Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, i ka dërguar pasditen e së mërkurës një mesazh, familjes së të ndjerit, Arbën Xhaferi, si dhe kreut të PDSH, Menduh Thaçi dhe të gjithë anëtarëve të PDSH-së. Ai e ka quajtur Xhaferin avokat të shqiptarëve të Maqedonisë.   

Një humbje të madhe për botën shqiptare e ka cilësuar kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ndarjen nga jeta të Arbën Xhaferit. Aleanca, Kuq e Zi i ka shprehur menjëherë ngushëllimet më të thella familjarëve të Arbën Xhaferit.eArbën Xhaferi u shtrua në klinikën e Shkupit të mërkurën e javës që shkoi  pas një goditjeje cerebrale që pësoi në banesën e tij në Tetovë. Ai prej shtatë ditësh gjendej në gjendje kome. Mjekët kishin paralajmëruar se gjendja ishte e rëndë dhe nëse i ndjeri do të kishte kaluar shtatë deri në dhjetë ditë në këtë gjendje mundësitë për përmirësim të shëndetit do të ishin më të mëdha. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 15 August 2012 16:42

Shkup – Kryetari i nderit të Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) Arbën Xhaferi ka ndërruar jetë sot pasdite si pasojë e hemorragjisë cerebrale. Mjeku Sllobodan Damjanoski ka konfirmuar lajmin.

“I ndërmorëm të gjitha masat e nevojshme për shërim, por për fat të keq ndodhi më e keqja”, ka thënë Damjanoski.

Intelektuali e politikani i përmasave gjithëkombëtare, ish-kryetari i PDSH-së, Arbën Xhaferi vuante nga sëmundja e Parkinsonit.

Mediat maqedonase njoftojnë se rreth orës 16:00 në spitalin klinik të Shkupit ka ndërruar jetë kryetari i parë i Partisë Demokratike Shqiptarë në Maqedoni Arbën Xhaferi.

Vetëm pak minuta më vonë partia që e themeloi doli me nje deklaratë për shtyp; “Sot më 15 Gusht 2012 pushoi së rrahuri zemra e Kryetarit të kuvendit qendror të PDSH-së z.Arbën Xhaferi. Me rastin e vdekjes së z.Arbën Xhaferi nesër më 16 Gusht 2012, në ora 12.00 në Pallatin e Kulturës në Tetovë do të mbahet mbledhja komemorative, kurse kortezhi për përcjelljen e të ndjerit do të niset nga qendra e Tetovës në ora 13.30h për në varrezat e qytetit të Tetovës.”- thuhet ne deklaraten e PDSH-së.

Arbën Xhaferi u shtrua në klinikën e Shkupit pas një goditje celebrale që pësoi në banesën e tij në Tetovë prej ku u transferua ne Klinikën e Shkupit ku ra në gjendje kome.

Mjekët kishin paralajmëruar se gjendje ishte e rende dhe nese i ndjeri do te kishte kaluar 7 deri ne 10 dite ne kete gjendje mundesite per permiresim te shendetit do te ishin me te medha. Arbën Xhaferi prej 7 ditesh ishte ne gjendje kome.

Dy fjalë për Arbër Xhaferrin

Arbën Xhaferi lindi në Tetovë me 24 janar 1948. Shkollën fillore dhe të mesme ka kryer në Tetovë ndërsa studimet filozofike në Beograd. Deri vitin 1990 ka punuar në Radio Televizionin e Prishtinës si redaktor përgjegjës për programin kulturor. Pas viteve 90-të kthehet në vendlindje ku së bashku me Menduh Thaçin themelojnë Partine Demokratike Shqiptare, të cilën ai e udhëhoqi plot 12 vjet deri në vitin 2007. Ai ishte edhe deputet në Parlamentin e Maqedonisë gjatë kësaj periudhe qeverisjeje. Xhaferi është nënshkrues i Marrëveshjes së Prizrenit dhe i Marrëveshjes së Ohrit, me të cilën u arrit paqja në Maqedoni. Kohëve të fundit Xhaferi vuante nga sëmundja e Parkinsonit, që ishte shkak për largimin nga politika aktive dhe më shumë merrej me analiza kombëtare. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 10 August 2012 16:51

Shkup – Arbën Xhaferi, kryetar nderi i PDSH’së, i cili vazhdon të jetë në gjendje kome, ndodhet për shërim intensiv në Klinikën e Neurokirurgjisë.

Gjendja e tij përshkruhet të jetë e rëndë, ndërkohë që mjekët po bëjnë përpjekje për shpëtimin e tij, pas një gjakderdhjeje masive në tru që Xhaferi e pësoi të mërkurën.

Aktualisht, Xhaferi është vendosur në aparate për frymëmarrje. Këtë e konfirmoi edhe neurokirurgu kujdestar në Klinikën e Neurokirurgjisë, Vladimir Mircevski, sipas të cilit, Xhaferi është në një gjendje të rëndë shëndetësore, edhe pse relativisht stabile.

“Arbër Xhaferin në klinikë e pranuam të mërkurën mbrëma, rreth orës 21, si pasojë e përkeqësimit të gjendjes shëndetësore dhe të humbjes së vetëdijes. Ai tani është në përkujdesje, dhe i është dhënë terapia e duhur. Megjithatë, gjendja e tij momentale është e rëndë. Janë ndërmarrë të gjitha masat e duhura dhe mjekimi i tij po vazhdon”, deklaroi Mircevski.

Derisa po i përgjigjej pyetjes së një gazetari për parashikimin e zhvillimeve të mundshme, Mircevski sqaroi se Xhaferi vazhdon të jetë në gjendje të rëndë dhe pa vetëdije.

Si rrjedhojë, Mircevski theksoi se askund në botë nuk jepen parashikime për sëmundjen gjatë 48 orëve të para të pranimit të pacientit në spital.

Ish-kryetari i PDSH’së ka vite që vuan nga sëmundja e Parkinsonit, megjithëse, sipas doktorit Mircevski, kjo sëmundje nuk ka ndikuar në gjendjen e tij aktuale. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 09 August 2012 13:07

Tetovë – Ish-lideri i Partisë Demokratike Shqiptare dhe kryetar i Kuvendit të Përgjithshëm Arbën Xhaferi është gjetur në gjendje kome dje në banesën e tij në Tetovë.

Lajmi është konfirmuar për portalin nga zëdhënësi i Partisë Demokratike Shqiptare në Shkup Agon Ferati, i cili ka theksuar se Xhaferi ndodhet në gjendje të rëndë pas një goditje cerebrale. Ai menjëherë është dërguar në Spitalin Klinik të Shkupit ku i është dhënë ndihma e parë.

Kohëve të fundit Xhaferi vuante nga sëmundja e Parkinsonit, që ishte shkak për largimin nga politika ndërsa kohëve të fundit ai më shumti merrej me editoriale. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 05 August 2011 20:15

Shkup – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) pa ndonjë shqetësim e ka pranuar informacionin për bojkotin e njërit nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit Arben Xhaferi në përvjetorin e dhjetë.

Për ta me rëndësi ka qenë së Sekretariati për MO-në ka dërguar ftesat deri të nënshkruesit e dokumentit. “Nuk i komentojmë, ata do jenë të ftuar dhe me forcë askënd nuk mund të detyroni të festojnë”, ka thënë Nevzat Bejta nga BDI.

Dy funksionarët e lartë nga partia e Ahmetit, Bejta e Mexhiti, nuk kanë dashur as që të komentojnë se sa janë shanset e derdhjes së krizës nga Kosova nga Maqedonia edhe pse para disa ditësh Ahmeti ka thënë se nuk mund të garantojë siguri në qoftë se rrezikohet siguria nga Kosova.

Një ditë më parë, kryetari i nderit i PDSH-së Arben Xhaferi ka bërë të ditur do të bojkotojë pasi që gjatë kohë, “nuk e pranon Marrëveshjen e tillë mes shqiptarëve e maqedonasve si legjitime”.

“Në 2004, MO-ja duhej të implementohet, ndërsa tani jemi në vitin 2011. Nuk ka efekt të festohet diçka që nuk është realizuar, gjuha, flamuri…”, ka thënë shefi i kabinetit të Thaçit, Agon Ferati.
Edhe Lubço Georgievski nuk do të jenë pjesëmarrës në përvjetorin e 10-të të Marrëveshjes kornizë, derisa kreu i LSDM-së Cërvenkovski do të paraqitet në shënimin e këtij jubileu.

Nga kabineti i zv/kryetarit të qeverisë madje konfirmuan se ftesat janë drejtuar deri te gjithë aktorët kryesor që kanë kontribuuar në nënshkrimin e marrëveshjes, ajo do të thotë se janë ftuar edhe liderët e partive nënshkruese, si ish kryetari i PDSH-së Arben Xhaferi, ai i VMRO-DPMNE-së Lupço Georgievski dhe i LSDM-së Branko Cërvenkovski. Në konferencën ndërkombëtare në Ohër të ftuar janë edhe ambasadori i deritanishëm i SHBA-ve Filip Riker dhe ndërmjetësuesi Xhejms Perdju.

Manifestimi qendror do të mbahet më 13 gusht kur dhe është nënshkruar dokumenti. (LajmeShqip.com)

 

 
Lajme Shqip Friday, 05 August 2011 09:52

Shkup – Dy nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit, Arbën Xhaferi dhe Lubço Georgievski, nuk do të jenë pjesëmarrës në përvjetorin e 10-të të Marrëveshjes kornizë, derisa kreu i LSDM-së, Branko Cërvenkovski, do të paraqitet në shënimin e këtij jubileu.

Kryetari i nderit i PDSH-së, Arbën Xhaferi, thonë nga kjo parti do të bojkotojë, pasi që gjatë kohë “nuk e pranon Marrëveshjen e tillë midis shqiptarëve e maqedonasve si legjitime”.

“Në 2004, MO-ja duhej të implementohet, ndërsa tani jemi në vitin 2011. Nuk ka efekt të festohet diçka që nuk është realizuar, gjuha, flamuri…”, ka thënë shefi i kabinetit të Thaçit, Agon Ferati.

Ndërsa, kryetari i nderit i VMRO-Popullores Lupço Georgievski, ka pasur obligime tjera dhe nuk ka qenë në shtet, kanë thënë nga partia e tij. Madje, nga kabineti i zv/kryetarit të qeverisë kanë konfirmuar se ftesat janë drejtuar deri te gjithë aktorët kryesor që kanë kontribuuar në nënshkrimin e marrëveshjes, ajo do të thotë se janë ftuar edhe liderët e partive nënshkruese, si ish kryetari i PDSH-së Arben Xhaferi, ai i VMRO-DPMNE-së Lupço Georgievski dhe i LSDM-së Branko Cërvenkovski. Dy nga nënshkruesit e saj tanimë nuk janë në mesin tonë, ish lideri i PPD-së Imer Imeri dhe ish-presidenti Boris Trajkovski. Përndryshe, Sekretariati për implementimin e Marrëveshjes kornizë është duke i përfunduar aktivitetet për 10-vjetorin.

Manifestimi qendror do të mbahet më 13 gusht, kur edhe është nënshkruar dokumenti. Në konferencën ndërkombëtare në Ohër të ftuar janë edhe ambasadori i deritanishëm i SHBA-ve Filip Riker dhe ndërmjetësuesi Xhejms Perdju. (LajmeShqip.com)

 

 
Lajme Shqip Monday, 30 May 2011 07:43

Shkup – Ish kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Arben Xhaferi e ka krahasuar kryeministrin Nikolla Gruevski me diktatorin koreanoverior Kim Jong II. Në një intervistë për agjencinë bullgare të lajmeve “Fokus” Xhaferi ka thënë se “disa vandalë të ardhshëm do ta përmirësojnë gabimin që ka bë Gruevski me projektin “Shkupi 2014”.

“Me projektin ‘Shkupi 2014’ kryeministri Nikolla Gruevski pjesërisht i plotësoi ëndrrat e veta, duke menduar se i ka plotësuar në tërësi. Gjithçka mund të kuptohet, po nuk jam i sigurt nëse porta triumfale, në mungesë të triumfit, është më afër Portës origjinale të ndërtuar nga arkitekti Zhan Shellgren, ose më afër asaj të ndërtuar nga Kim Jong II në Korenë Veriore. Në fund të fundit, politika nuk është poezi që lejon aq liri për ndërtime. Me këtë portë do të qeshen ata që kanë mendime kritike ndaj kiçit. Disa vandal të ardhshëm mund ta përmirësojnë këtë gabim”, ka thënë Xhaferi.

Lidhur me raportin ndaj vendeve fqinje, Xhaferi ka deklaruar se Maqedonia nuk mund të shkëputet ende nga dashuria e saj e vjetër- Serbia.

“Po të mos ishin presionet ndërkombëtare, Maqedonia asnjëherë nuk do ta pranonte pavarësinë e Kosovës. Mendoj se vendi nuk ka politikë ndërkombëtare jo vetëm ndaj fqinjëve, por në tërësi. Kjo lojë gjeostrategjike është e rrezikshme për vend të vogël, i ngarkuar me probleme ekonomike dhe politike”, ka thënë Xhaferi.