Lajme Shqip Monday, 13 May 2013 14:53

Radio Evropa e Lire raporton se përfaqësuese të grave dhe Institucioni i Avokatit të Popullit, shprehin shqetësimin se diskriminimi i gruas në këtë sektor fillon që me shpalljen e konkursit. Sipas ketyre mekanizmave diskriminimi nis kur punedhenesit kerkojne një moshë të caktuar për kandidatet potencialë, e deri te paga që marrin ndryshe nga kolegët e tyre meshkuj.
“Supozoj për shkak të frikës së mundësisë së shkuarjes në pushim të lehonisë, ndikon edhe mospunësimi i tyre. Ne jemi të gjithë dëshmitarë të asaj se brenda një viti sa të diplomuara ka në universitetin publik dhe atë privat, kjo është brengosëse”, shprehet Shukrije Rexhepi nga Rrjeti i Gruas Sindikaliste te Kosoves.

 
Lajme Shqip Wednesday, 17 October 2012 15:50

PRISHTINË – Me rastin e Ditës Evropiane Kundër Trafikimit, përfaqësuesit e Misionit të OSBE-së në Kosovë kanë bërë thirrje sot për një informim më të madh për rrezikun nga trafikimi i qenieve njerëzore.

Ky apel u bë gjatë prezantimit të poezive dhe eseve me këtë temë të shkruara nga nxënësit e shkollave të mesme nga komunitete të ndryshme të Kosovës.

Ngjarja ishte pjesë e aktiviteteve të fushatës për informim të Misionit të mbajtur gjatë muajit kundër trafikimit në Kosovë, e cila ka përfshirë shfaqje të filmave dhe diskutime me të rinjtë në lidhje me mënyrën e mbrojtjes së tyre dhe ndihmën që të luftojnë trafikimin me qenie njerëzore.

“Trafikimi me qenie njerëzore-blerja dhe shitja e njerëzve është një nga shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut dhe një nga format më përfituese të krimit të organizuar”, tha Hjortur Sverrison, ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit për të Drejta të Njeriut dhe Komunitete në Misionin e OSBE-së.

Ai shtoi se, “informimi rreth këtij problemi është qenësore për parandalim efikas dhe OSBE-së është aktive në këtë fushë”.

Përveç informimit nëpërmjet aktiviteteve informuese dhe fushatave të informimit publik, misioni është duke ndihmuar institucionet në Kosovë, përfshirë policinë, punëtorët socialë dhe OJQ-të që të përmirësojnë përgjigjen e tyre ndaj rasteve të trafikimit dhe t’u ndihmojnë më mirë viktimave.

Misioni i OSBE-së në Kosovë është i mandatuar me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe sigurinë si dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 27 September 2012 19:07

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë qendrimit në New York, u takua me ambasadoren e SHBA-së për Çështjet Globale dhe të Gruas, Melanne Verveer, me të cilën diskutoi për mbarëvajtjen e organizimit të Konferencës Ndërkombëtare të Gruas në Prishtinë “Partneriteti për ndryshim: Fuqizimi i Gruas”, që do të mbahet në fillim të muajit tetor.

Si mikpritëse dhe organizatore e Konferencës, e mbështetur edhe nga ndihma e gjithanshme financiare e organizative e USAID dhe të NDI, Jahjaga e vlerësoi mbajtjen e këtij aktiviteti për mundësitë që do të ofrojë për trajtimin e temave që kanë të bëjnë me fuqizimin e rolit të gruas në shoqëritë në tranzicion, veçanërisht në rajonin e Ballkanit. Ajo tha se Kosova ka shembuj të mirë në avancimin e pozitës së gruas.

Ndërsa Ambasadorja Verveer vlerësoi rolin e Presidentes Jahjaga dhe angazhimin e saj për të drejtat e gruas në Kosovë dhe në botë.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 19 September 2012 15:48

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, pati një bashkëbisedim me përfaqësueset e mediave në Kosovë, kryeredaktore, redaktore dhe gazetare, me ç’rast i njoftoi ato për Samitin Ndërkombëtar të Gruas “Partneriteti për Ndryshim: Fuqizimi i Gruas”, që do të mbahet në Prishtinë prej 4 deri më 6 tetor.

Presidentja Jahjaga theksoi se në dy dekadat e fundit Kosova dhe rajoni ka kaluar nëpër faza të tranzicionit dhe, gjatë kësaj periudhe, sakrificat dhe puna e palodhshme e grave ka qenë vendimtare në vendosjen e sigurisë, stabilitetit, si parakushte për zhvillimin e vendeve përkatëse. Ajo theksoi se përmes Samitit Ndërkombëtar të Gruas, të parit të këtij lloji jo vetëm në Kosovë por edhe në gjithë rajonin, synohet krijimi i një platforme të përbashkët të avancimit të çështjeve gjinore në të gjitha fushat e jetës përtej kufijve, dallimeve etnike, racore apo fetare.

“Samiti ndërkombëtar i gruas synon krijimin e urave të bashkëpunimit, komunikimit e partneritetit ndërmjet sektorit publik dhe privat, botës akademike dhe politikëbërësve, jo vetëm brenda kufijve të një shteti por dhe ndërmjet popujve dhe shteteve. Synimi parësor i këtij Samiti Ndërkombëtar të Gruas është shfrytëzimi i çdo mundësie për garantimin e fuqizimit të gruas në çdo fushë të jetës, si një qëllim i përbashkët në shkallë globale dhe si një platformë për zhvillim të përgjithshëm të vendeve tona”, tha Presidentja Jahjaga. Ajo tha se investimi i një shoqërie në avancimin e të drejtave të grave është një investim në të ardhmen e një vendi, ndërsa siguria e gruas garanton sigurinë e të gjithë shoqërisë.

 Në bashkëbisedim me përfaqësueset e medieve në Kosovë, Presidentja Jahjaga theksoi se Samiti Ndërkombëtar do të ofrojë mundësinë që pjesëmarrësit, gra dhe burra, të shkëmbejnë ide dhe përvoja, të ndajnë praktikat dhe përvojat e tyre më të mira, dhe të ofrojnë zgjidhje për sfidat e mbetura dhe më eminente me të cilat përballen jo vetëm gratë në Kosovë, por edhe ato në rajon dhe më gjerë.

 Presidentja Jahjaga theksoi se gjatë punimeve të Samitit do të diskutohet përparimi dhe ndryshimet pozitive por në të njëjtën kohë do të identifikohen zgjidhjet potenciale për sfidat globale, me synim përpilimin  e një udhërrëfyesi për të ardhmen që do t’i shërbente  jo vetëm Kosovës e rajonit por dhe vendeve të tjera të botës që ndajnë të njëjtat sfida.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 28 August 2011 21:04

Tiranë – Në një kabllogram të publikuar së fundmi nga Wikileaks, Ambasada Amerikane në Shqipëri i është përgjigjur Uashingtonit në kërkesës për listën me pesë gratë më të fuqishme në Shqipëri.

Duke marrë parasysh faktorët e profesionit dhe të së kaluarës, Ambasada Amerikane ka filluar me;

1. Jozefina Topallin, Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë,

2. Majlinda Bregun, Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin
e Shqipërisë,

3. Sonila Meço nga Televizioni Vizionplus,

4. Fatmira Laskaj nga Kontrolli i pasurisë financiare dhe

5. Arta Dade, Deputete e Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë.

Portali gjatë ditës ka botuar kablllogramin tjetër nga WikiLeaks për Gratë më të fuqishme në Kosovë, të cilin mund ta lexoni këtu. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 28 August 2011 19:20

Tiranë – Në një kabllogram të publikuar së fundmi nga Wikileaks, Ambasada Amerikane në Kosovë ka evidentuar se Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, para katër vitesh, ishte njëra prej grave me më ndikim në Kosovë, zbulon Wikileaks përmes publikimit të korrespodencës së ish-ambasadores Tina Kaidanow.

Në korrespodencën e ish-ambasadores Tina Kaidanow me Departamentin Amerikan të Shtetit, shënohet se zyrtarja politike e Ambasadës Amerikane në Prishtinë për çështjet e grave, Heidi Barrachina, ka identifikuar pesë gratë me më ndikim në Kosovë dhe tri gratë e Kosovës, të cilat kanë ndikim më së shumti në mesin e minoriteteve.

1. Flaka Surroi paraqitet e para në listën e amerikanëve si gruaja më e fuqishme në Kosovë, drejtoreshë e Grupit Koha, kompani kjo e cila e boton gazetën me tirazhin më të madh në Kosovë, Koha Ditore, dhe e cila para luftës përshkruhet se ka qenë aktiviste e një Organizate të Mbrojtjes të së Drejtave dhe Lirive Humanitare, ndërsa pas luftës ka drejtuar një Organizatën Joqeveritare, ndër më të sukseshmet, Fondi i Komunitetit të Kosovës.

2. Jeta Xharra cilësohet si femra e dytë më e fuqishme në Kosovë, e cila është drejtoreshë e Rrjetit të Raportimit Investigativ në Ballkan (BIRN) dhe moderatore e programit debatues “Jeta në Kosovë”, dhe e cila para luftës ka punuar si gazetare në gazetën Koha Ditore dhe pastaj në BBC. Më vonë, shkruan kabllogrami, ajo kompletoi një master në Mretërinë e Bashkuar.

3. Pranvera Dobruna, gruaja e tretë e renditur në kabllogramin e Ambasadës së SHBA-së, përshkruhet si grua me ndikim të fuqishëm, ngase është Drejtoreshë Menaxhuese e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), e cila vlerësohet si e involvuar drejtpërdrejt në influencimin e rregullave të energjisë.

4. Atifete Jahjaga, Gjeneral-majorja, gruaja e katërt me radhë e përshkruar në kabllogramin e paklasifikuar, përshkruhet me funksion si Komisionere dhe asistencës në Bordin e Sigurisë dhe Policisë Kufitare të Kosovës. Ndërsa, në përshkrimin e jetës së saj, cilësohet si udhëheqëse kyçe në Policinë e Kosovës, e cila ka punuar në promovimin e demokratizimit të forcës së policisë. Ajo ishte femra e parë kosovare që ka arritur gradën Gjeneral-lejtnante dhe pastaj Komisionere asistuese dhe oficerja e parë e Shërbimit Policor të Kosovës, e cila është akceptuar në Akademinë e FBI-së, në Quantico të Virgjinias.

Jahjaga edhe në biografinë e saj zyrtare ka shënuar se ka ndjekur programe studimore në Akademinë e FBI-së.

5. Mimoza Kusari-Lila, në atë kohë drejtoreshë e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, është cilësuar si zëri i komunitetit të Kosovës, e cila përshkruhet se ka pasur influencë direkte në Rregullat e Investimeve të Huaja dhe Ekonomike të Qeverisë.

Dokumenti përmend edhe gra të fuqishme nga minoritetet në Kosovë, Vesna Jovanoviq, anëtare e Kuvendit të Kosovës si pjesë e “Listës serbe për Kosovë e Metohi”, Nadira Avdiq-Vllasi, kryeredaktore e programit në gjuhën boshnjake në Radio Televizion publik të Kosovës dhe kryeredaktore në revistën “Alem” në gjuhën boshnjake si dhe Hiljmnieta Apuk, drejtoreshë dhe themeluese e organizatës “Little People of Kosovo” , drejtuese financiare në Ministrinë e Shëndetësisë, përfaqësuese e komunitetit dhe njerëzve me aftësi të kufizuara dhe Shefe e gazetës për personat me aftësi të kufizuara.

Portali gjatë ditës ka botuar kablllogramin tjetër nga WikiLeaks për Gratë më të fuqishme në Shqipëri, të cilin mund ta lexoni këtu. (LajmeShqip.com)