12
 
Lajme Shqip Wednesday, 16 October 2013 13:37

“Wikileaks” në Greqi, kapen 3700 email-e. Në inbox-in e Venizelos, kontrata e Berishës me Podestën, hetimet për financimin e UÇK-së nga Ukraina dhe Daut Kadriovski.

Zbulohen dokumentet sekrete të zëvendëskryeministrit njëherësh ministër i Jashtëm i Greqisë, Evangelos Veniselos. Dokumentet e dërguara në e-mail-in e kreut të diplomacisë së jashtme greke hedhin dritë mbi aktivitetet sekrete dhe prapaskenat e diplomacisë së vendit helen. Kështu informojnë aktivistët e rrjetit të hackers-ave “Anonymus” të cilët kanë mundur të nxjerrin në dritë këto materiale. Nëpërmjet këtyre dokumenteve, shumica prej të cilave të klasifikuara si sekrete, Venizellos është informuar në mënyrë të detajuar mbi të gjitha zhvillimet politike në rajon.

Dokumentet sekrete
Një dokument i veçantë informon Venizellos mbi marrëveshjen e nënshkruar mes ish-kryeministrit, Sali Berisha dhe kompanisë “Podesta”. Informacioni është dërguar nga agjencia amerikane FARA dhe jep përm bajtjen e plotë të marrëveshjes mes palëve dhe detyrimeve që lindin prej saj. Dokumenti daton më 24 shtator 2012.

Po kështu, Venizellos ka marrë nga Qendra e Parandalimit të Konflikteve, Sekretariati i OSBE-së në Vjenë, informacione edhe për fillimin e punës së qeverisë “Rama”, vendimin e parë të marrë prej saj për familjet rome apo dhe rrëzimin nga gjykata të vendimit për 21 janarin. Dokumenti i OSBE-së e informon diplomatin grek dhe për situatën e përgjithshme, por dhe aktivitetet ku merr pjesë Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.

Vëmendja e diplomacisë greke është përqendruar në mënyrë të veçantë dhe për zhvillimet në Kosovë, lidhjet e Daut Kadriovskyt me UÇK-në apo takimet e zyrtarëve amerikanë me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Një tjetër dokument i marrë nga inbox-i i kryediplomatit grek dhe që klasifikohet si sekret, flet mbi një marrëveshje mes Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës Gjeo-hapësinore të Departamentit të Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes në Ministrinë e Mbrojtjes greke për dërgimin e të dhënave gjeohapësinore që përshijnë Bosnjë –Hercegovinën, Serbinë, Kosovën, Malin e Zi, Slloveninë, Maqedoninë dhe Qipron. 

Përmbajtja e email-eve (përkthyer nga origjinalet)
Qendra e Parandalimit të Konflikteve Sekretariati i OSBE, Vjenë Sekret. Fr/592/13 11 tetor 2013 E kufizuar Vetëm në anglisht për të gjitha delegacionet e OSBEsë në Vjenë OSBE, Organizata për sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë Misioni në Kosovë 

Raport

Oficerët e EULEX konfirmojnë lidhjen e Daut Kadriovski me rrjetin e organizatën ukrainase të krimit të organizuar
Në orën 17:00, zyra speciale e Prokurorisë së Kosovës përmes Task-Forcës së Mitrovicës në një përpjekje për të goditur financimin e aktiviteteve të UÇKsë ka kryer një kërkim në 12 biznese dhe subjekte jofitimprurëse për të cilat kishte pretendime për lidhje midis familjes së krimit të organizuar të Daut Kadriovskit dhe karteleve meksikane të drogës Sinaloa dhe Los Zetas .

DPPPP / NJIF raporton lidhjet e supozuara që përfshijnë ish-ministrin e Transporteve të Ukrainës, Nikolay Rudkivsky, i cili u ka dhënë mbështetje të konsiderueshme anëtarëve të familjes së Daut Demaj mbi operacionet Kaalbye të Detit të Zi, duke përfshirë edhe doganat dhe zyrat kufitare të Ukrainës, shkruan Bota Sot.

Për ta është dyshuar për financimin e terrorizmit dhe trafikut të drogës, duke themeluar organizatën e tyre jofitimprurëse në Shtetet e Bashkuara dhe Australi që u ka dërguar fonde organizatave terroriste, AKSH-së dhe UÇK-së. Ndërkaq, Rudkivsky ka përdorur IBCs të kontrolluar nga anëtarët e Sinaloa në Amerikën e Jugut për të lehtësuar transaksionet financiare për individë të lidhur me organizatën e Daut Kadriovskit. Shefi i Misionit të EULEX, Berndt Borchardt në një takim të mbajtur në fshehtësi, me president-

Marrëveshja e angazhimit
Kjo Marrëveshje Angazhimi ( në vijim do referohet si Marrëveshja) ka hyrë në fuqi në Prill , 2012 midis — Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë (në vijim do referohet si CoM) që ka zyrat e saj kryesore në Bulevardin Dëshmorët e Kombit nr.1 Tiranë dhe grupit Podesta (në vijim referuar si Ofruesi) që ka zyrat e tij kryesore të biznesit në 1001 G Street NW, Washington, DC 20001 Duke pasur parasysh dëshirën e CoM për të pasur shërbimet e Ofruesit si më poshtë dhe duke pasur parasysh dëshirën e Ofruesit të ofrojë shërbimet e tij si pasojë palët në këtë mënyrë bien dakord si më poshtë:

Baza ligjore: Kjo marrëveshje bazohet në nenit 6 të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006, “Të prokurimeve publike”.
Qëllimi i punës: Ofruesi do të ofrojë shërbimet e tij në çështjet e revokimit që do të shërbejnë në forcimin e lidhjeve mes Republikës së Shqipërisë dhe institucioneve të Shteteve të Bashkuara. Ofruesi do të asistojë për mbledhjen e fondeve nga SHBA dhe agjencitë ndërkombëtare si dhe shërbime të tjera që mund të bien dakord nga palët me shkrim. (në vijim referohet si qëllimi i punës)

Termat
Ofruesi do të ofrojë shërbimet e tij gjatë periudhës që fillon nga 1 prill 2012 dhe vazhdon deri në 31 mars 2013, ose në çdo periudhë tjetër që mund të bien dakord palët me shkrim. Këshilli i Ministrave do të shqyrtojë këtë marrëveshje çdo 6 muaj pasi ajo të jetë nënshkruar. Pagesa Këshilli i Ministrave do të paguaj Ofruesin një shumë prej 60 000 $ amerikanë çdo 6 muaj plus shpenzimet. Këshilli i Ministrave do të paguaj Ofruesin në fillim të çdo periudhe 3-mujore duke përfshirë fillimin….
Informacionet nga SHBA për vëzhgimet ajrore të rajonit
APPENDIX I Për Zbatim aneksi A Produktet topografike, të dhëna, publikime dhe materiale të lidhjeve të inteligjencës gjeo-hapësinore.

Agjencia Kombëtare e Inteligjencës Gjeo-hapësinore ( NGA) do të sigurojë falas të dhënat e mëposhtme të NGA, produktet topografike, të dhëna, publikime dhe materialet që lidhem me informacionet gjeohapësinore të Shërbimin Gjeografi Ushtarak grek ( HMGS ) , Shtabin e Përgjithshëm grek të Mbrojtjes Kombëtare ( HNDGS ) të Ministrisë së Mbrojtjes.

Botimet aktuale do të ofrohen fillimisht, nëse kërkohet. Pas kësaj, botimet e reja ose amendimet e zbatueshme do të ofrohen në sasi. Produktet e prodhuara dhe mbajtura nga Republika greke ose vende të botës së tretë, nuk janë të përfshira.

Versionet e digjitalizuara (p.sh. CADRG ) të këtyre produkteve duhet të jepet në bazë të kërkesës nëse janë vënë në dispozicion. 1.1 . Produkte Topografike : Sasinë e caktuar të çdo edicioni aktual dhe të ardhshëm të disponueshme / të lëshuara të produkteve topografike të identifikuara më poshtë , automatikisht : 1.1.1. Seria M709 – shkallë 1:50,000, dhjetë (10) kopje secila prej vendeve të mëposhtme: Bosnia & Herzegovina- të gjitha fletët e nxjerra Serbia – të gjitha fletët e nxjerra Kosovë – të gjitha fletët e nxjerra Mali i Zi – të gjitha fletët e nxjerra Sllovenia – të gjitha fletët e nxjerra FYROM – të gjitha fletët e nxjerra Cvprus – të gjitha fletët e nxjerra 1.1.4 .

Operacionet e përbashkëta grafike – shkallë 1:250,000 , dhjetë ( 10) kopje secila. Seria 1501 – G (Ground ) hartat topografike do të ofrohen ( seria ajrore 1501 do të jetë kusht për fletët ku 1501 – G nuk janë në dispozicion ). /Bota Sot/

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 09 April 2013 20:51

Tiranë – Faqja e njohur WikiLeaks ka publikuar sot më shumë se 1.7 milion dokumente që mbulojnë raportimet diplomatike ose të inteligjencës amerikane në çdo vend të botës. Dokumentet i përkasin viteve nga 1973- 1976.

WikiLeaks thotë se ky është koleksioni më i madh konfidencial që ata kanë publikuar ndonjëherë. Koleksioni i këtyre dokumenteve i përket periudhës kur Henry Kissinger ishte Sekretar i Shtetit dhe Këshilltar për Sigurinë Kombëtare, ndaj dhe quhen “Kissinger Cables”. Shumë nga raportimet janë shkruar nga ai, ose i janë dërguar atij. Assange thotë se ky koleksion eklipson koleksionin Cablegate, me më shumë se 250 mijë kabllo diplomatike amerikane të viteve të fundit. Ja çfarë shkruhet për Shqipërinë në këto kabllograme… …WikiLeaks është thelluar në publikimin e informacioneve të fshehta, që kanë të bëjnë me Shqipërinë, e sidomos me atë Shqipëri që jetonte në regjimin komunist. Viti 1973 ishte një vit plot të papritura. Shqipëria e asaj kohe ishte në agjendën jo vetëm të vendeve të mëdha si SHBA e BS, por dhe të Vatikanit, Italisë, Francës e Anglisë 

Marrëdhëniet SHBA-Shqipëri, Pikëpyetjet e Ministrisë së Jashtme greke 

Dt. 29 mars 1973, 14:41 (e enjte) ID e kabllogramit: 1973 STATE 057812_b Klasifikimi: Konfidencial Zërat se Shqipëria dhe SHBA-të kanë nisur së fundmi bisedimet për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, nuk janë të bazuara në fakte reale. Grekët më shumë shtysë idesë se SHBA i ka kërkuar Greqisë që të luaj rol ndërmjetësues në vendosjen e marrëdhënieve me Shqipërinë. Ndryshe nga qeveria greke, qeveritë e Italisë, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar, kanë treguar mjaft interes në zgjidhjen e çështjes së bllokimit të arit, si dhe në zgjidhjen e shumë çështjeve të tjera, të cilat do t’i hapnin rrugë restaurimit të marrëdhënieve me Shqipërinë. Italia dhe Franca kanë përsëritur shumë herë interesimin e tyre në zgjidhjen e çështjeve shqiptare gjatë 25 vjetëve të fundit. Roli i ndërmjetësimin i marrë nga ndonjë nga këto shtete do të rrezikonte keqinterpretim jo vetëm nga Tirana por edhe nga kryeqytetet e tjera. Dt. 6 prill 1973, 13:30 (e premte) ID e Kabllogramit: 1973 NATO 01718_b Klasifikimi: Përdorim i kufizuar Komentet e shtypit të bëra për fjalduket se janë më shumë të interesuar që të mbajnë lart këto zëra duke u nisur nga rrethanat e tanishme. Departamenti ka qenë i painformuar lidhur me raportet se qeveria shqiptare po shqetësohet së tepërmi lidhur me miratimin e Rezolutës për Vorio Epirin në pas Luftës së Dytë Botërore. Departamenti kërkon që të dekurajojë çdo spekulim për një ndërmjetësim të Greqisë apo ndonjë vendi tjetër të tretë në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Duket se qeveria greke e sheh me mjaft interes këtë ide. Ashtu siç u duk qartë nga deklarata e Kavalieratosit në Nikosia të Qipros më 1 nëntor të vitit 1972, në vend që të mohonte ai i dha imin e zëvendëssekretarit Rush lidhur me bisedimet SHBA-Shqipëri të mbajtur në Annapolis më 4 prill, ka ngritur që tani pikëpyetje lidhur me synimet amerikane në rajon. Në përgjigje të këtyre zërave, ne do të mirëprisnim çdo informacion sfondi në Departament, i cili mund të na sjellë informacione lidhur me reagimet që ka pasur Tirana, nëse vërtet ka pasur ndonjë të tillë. Do të na interesonte shumë se cilat janë pikëpamjet shqiptare lidhur me interesat e SHBA-ve në rajon dhe nëse ka ndonjë dëshirë për të përmirësuar marrëdhëniet. Rumsfield, vetëm për përdorim të kufizuar. 

Reagimi i Shqipërisë për fjalimin në Annapolis 

Dt. 11 prill 1973, 13:41 ID e Kabllogrami:1973 PRAGUE 00747_b Klasifikimi: Konfidencial Korrespondenti për Evropën Lindore, Strobe Talbott, i ka thënë SHBA-ve se kur po përgatitej të largohej nga Beogradi, pa ambasadorin shqiptar, i cili si gjithmonë i refuzoi atij vizën. Talbott tha se ai e kritikojë rëndë fjalimin e zëvendëssekretarit Rush për Shqipërinë më 4 prill në Annapolis, duke thënë se, nëse amerikanët do të donin marrëdhënie me Shqipërinë, nuk duhet ta kërkonin në atë mënyrë. Ambasadori shqiptar shtoi se i takon amerikanëve që të marrin iniciativën për ndonjë fillim bisedimesh. Sherer. Konfidencial. 

Marrëdhëniet Shqipëri-SHBA 

Dt. 11 prill, 21:29 ID e Kabllogramit: 1973 STATE 067462_b Klasifikimi: Përdorim të kufizuar Ju mund t’i përgjigjeni pikëpyetjeve lidhur me statusin e tanishëm të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, duke theksuar se fjalimi i sekretarit të parë Rush në Annapolis duhet të shihet si një shenjë dhe përpjekje për të nxitur ndërtimin e marrëdhënieve me përfitim të ndërsjellët në çdo moment që të jetë e mundur. Fjalimi përmbante një paragraf ku flitej për Shqipërinë, në të cilin zëvendëssekretari theksonte se me Shqipërinë nuk kishte pasur asnjë progres për përmirësimin e marrëdhënieve dhe nëse Shqipëria do të donte që diçka të ndryshonte për mirë, SHBA-të do të ishin gjithmonë të gatshme për t’u përgjigjur. Kjo deklaratë ka qenë në përputhje të plotë me politikat tona në Evropën Lindore, duke përfshirë Shqipërinë. Në të gjitha raportet e bëra nga zyrtarë të politikës së jashtme dhe ato të bëra nga presidenti të paraqitura tashmë në kongres, ne e kemi bërë të qartë se kërkojmë normalizimin e marrëdhënieve me të gjitha vendet e rajonit. Por ne po kërkojmë gjithashtu që këto vende t’i normalizojnë vetvetiu marrëdhëniet mes tyre pa ndërhyrjen tonë si dhe të gjejnë rrugën e duhur për bisedime me ne pa i nxitur apo ushtruar presion. Në përgjigje të zërave se Shqipëria dhe SHBA-të kanë nisur bisedimet për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, ju mund të thoni se këto nuk janë të bazuara në fakte reale. Kështu nuk ka asnjë bisedim SHBA-Shqipëri për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Ne duam të shmangim çdo përpjekje false për të krijuar një ide të tillë. Ne nuk i frikësohemi ndonjë reagimi të Shqipërisë lidhur me deklaratat e Rush. Rodgers. 

Bashkëpunimi sovjetiko – bullgar 

Dt. 16 mars 1973 16:45 (e premte) ID e kabllogramit:1973 ROME 02110_b Klasifikimi: Konfidencial Zyrtari italian i Ministrisë së Punëve të Jashtme për Shqipërinë, ka ndarë me SHBA-të kabllograme të fundit nga Ambasada Italiane në Tiranë, të cilat japin të dhëna për një takim mes ambasadorit italian dhe një zyrtari të lartë shqiptar për çështjet e punëve të jashtme. Duke marrë parasysh informatat për një plan sovjetik, i cili kërkon të forcojë strukturën e Traktatit të Varshavës, ambasadori italian kërkoi të dinte nëse shqiptarët kanë marrë ndonjë informatë të ngjashme. Zyrtari i Ministrisë së Punëve të Jashtme tha se nuk ka dëgjuar apo marrë asgjë të re për Traktatin e Varshavës në lidhje me kontekstin aktual të kërkimeve., por ai pranoi se ka pasur raportime për një bashkëpunim akoma më të ngushtë mes Bashkimit Sovjetik dhe Bullgarisë. Sipas burimeve të marra nga shqiptarët, Moska dhe Sofia kanë rënë dakord të shkëmbejnë koordinatat dhe pozicionet e tyre në flotat ushtarake në Detin e Zi dhe atë Mesdhe. Sipas raportimeve, dihet se është arritur një marrëveshje e cila do të dërgojë një anije bullgare t’i bashkohet flotës detare sovjetike në detin Mesdhe. Në një kohë të mëvonshme, zyrtari italian i Ministrisë së Punëve të Jashtme spekuloi se nëse raportet që vijnë nga Shqipëria janë të vërteta, atëherë Bashkimi Sovjetik do të mund t’i jepte një rol ndikues Traktatit të Varshavës gjatë bisedimeve për reduktimin e armatimeve mes lindjes dhe perëndimit.

Mehmet Shehu keq me shëndetin, Fiqretja e shoqëron për kurim në Paris

 Dt. 16 mars 1973 , 18:26 (e premte) ID e kabllogramit: 1973 PARIS 06642_b Klasifikimi: Konfidencial Zyra e Ambasadës u informua nga oficeri i çështjeve kufitare, De La Coste dhe nga Sekretari i Parë Sovjetik, Suchkov në dy informata të ndara se Kryeministri shqiptar Shehu ka qenë në Francë për një vizitë dhe trajtim mjekësor. La Coste tha se Shehu foli me kryeministrin francez Chaban Delmas vitin e shkuar, pas një trajtimi të ngjashëm shëndetësor (7 prill 1972). E thënë nga Ambasada Shqiptare, Shehu ende nuk ka ndërmend që të kërkojë bisedime zyrtare me liderë të qeverisë franceze përpara se të përfundojë trajtimin e tij të plotë shëndetësor. Shehu ka mbërritur në Paris më 14 mars. Gjatë një kontrolli në atë ditë, atasheu detar i Ambasadës i ka raportuar se ndaloi një autokolonë, e cila kishte mbrojte mjaft të rreptë. Përbëhej pjesëtar të trupit diplomatik shqiptar të mbrojtur nga forcat e sigurisë franceze. Në një nga mjetet më të blinduara, qëndronin një grua dhe një mashkull, të cilët dyshohet se kanë qenë kryeministri shqiptar dhe e shoqja e tij. 

9 mars 

Marrëdhëniet Greqi-Shqipëri Dt. 12 mars 1973, 14:21 (E hënë) ID e kablogramit: 1973 MOSCOVV 02643_b Klasifikimi: Konfidencial Në darkën e organizuar për nder të emërimit të tij si Ambasador në Shqipëri, ministri grek, Frantzeskakis, shpjegoi se një nga detyrat e tij primare të dhënë nga lart, do të ishte faktimi i ekzistencës së minoritetit grek në Shqipëri. Ai ka konfirmuar se para luftës kanë qenë më shumë se 250 mijë grekë që jetonin në territorin e Vorio Epirit, e cila iu dha Shqipërisë në 1912 nga Konferenca e Ambasadorëve. Nga udhëtimet e tij në Shqipëri në vitin 1961, ai mund të konfirmojë se ekzistencën e kolonive greke, të cilat kishin edhe shkollat në gjuhën e tyre. Ka pasur raporte që thoshin se numri i grekëve në Shqipëri është reduktuar në 60 mijë. Në pritje të ditës kur Greqia të nis kërkesat dhe pretendimet e saj politike ndaj Vorio Epirit, Frantzeskakisit i është kërkuar që të udhëtojë nëpër të gjithë fshatrat e zonës dhe të dokumentojë e verifikojë ekzistencën e minoritetit grek, si dhe të zbulojë se çfarë u ka ndodhur atyre. Ndër të tjera, për sa i përket çështjes për t’i dhënë fund Ligjit të luftës në vitin 1971 dhe të vendosjes së marrëdhënieve normale me Shqipërinë, Frantzeskakis tha se kjo çështje ka qenë mjaft e kontestuar. Ndërkohë që regjimi i mëparshëm nuk mund të bënte dot paqe me Shqipërinë për shkak të ndjeshmërisë së madhe që kishte Vorio Epiri tek populli grek, qeveria e tanishme nuk e konsideron më faktor të rëndësishëm opinionin publik. Ata kanë vendosur që të jetë çështje parësore e interesave greke, madje duke dërguar edhe një mision në Tiranë për këtë çështje. 

Papa Pali VI flet për represionin e qeverisë shqiptare ndaj kishës

 Dt. 3 mars 1973, 14:45 (E shtunë) – ID e kronikës: 1973 ROMË 02592_b 

1 prill 

Papa Pali VI, në fjalimin e tij me rastin e kremtimit të Pashkëve, i kërkoi besimtarëve katolikë në sheshin e Shën Palit, që të luteshin edhe për vëllezërit e tyre, të cilët nuk mund t’i festojnë dot Pashkët. Edhe pse ai nuk e përmendi, nuk ka asnjë dyshim që i referohej Shqipërisë. Kreu i Selisë se Shenjtë vijoi: “Ka ende një kishë, e cila është duke jetuar, në vend që të mbijetojë, në frikën e errët, mbytëse dhe paralizuese nga represioni dhe ligji i krijuar posaçërisht kundër saj. Është një kishë e heshtjes, durimit, agonisë, tashmë e jashtëligjshme dhe e privuar nga liritë natyrore, nga besimi i tyre fetar apo të privuar nga misioni i shenjtë, shpirtëror, edukativ e moral dhe nga bamirësitë”. Papa gjithashtu, i ftoi besimtarët katolikë që të luteshin për ata, që nga mungesa e ndriçimin shpirtëror, kanë turpëruar figurën e kishës duke kryer akte represive ndaj saj. 

3 prill 

“Osservatore Romano” kishte një artikull të detajuar, në të cilin dënohej represioni ndaj fesë në Shqipëri. Artikulli përmbante një historik të shkurtër dhe sipërfaqësor të fushatës ateiste të ndërmarrë nga qeveria e Shqipërisë. Në të ka pasur informacione të klasifikuara, të cilat kanë pasur vetëm përdorim të limituar brenda kishës. Artikulli shkruante se komentet e bëra nga Papa Pali VI i referoheshin rastit të Shqipërisë. 

Qiraja për një pronë të qeverisë amerikanë në Tiranë 

Dt. 20 prill 1973, 17:31 (e premte) ID e kabllogramit: 1973 STATE 074725_b Klasifikimi: Konfidencial Nga “Eur 1.FBO. Bisedimet për autorizimin për të rinovuar qiranë edhe për tre vjet të tjera për kompleksin që zotëron qeveria amerikane në Tiranë po avancon dhe duket se nuk do të ketë asnjë problem politik për Byronë. Porter. Konfidencial. (SH.O/LajmeShqip.com) 

 
Lajme Shqip Friday, 21 December 2012 20:40

Londer – Sipas themeluesit të web-faqes Wikileaks, Julian Asaange, interneti tashmë është shndërruar në një mjet tejet të rrezikshëm për secilën shoqëri në botë. “Ata që na përcjellin, tashmë dinë gjithçka për neve”, thekson ai, derisa aludon në agjencitë shtetërore dhe në kompanitë e mëdha, të cilat mbledhin një mori informacionesh për të gjithë shfrytëzuesit aktivë të internetit.

“Ata që po na përcjellin dinë gjithçka për neve”, pohon Assange në një intervistë që ia dha shtëpisë botuese serbe Albion Books, e cila boton gazetën ‘Danas’.

“Sëmundja që ka përfshirë internetin po e përfshinë edhe secilën shoqëri tonën, por edhe gjithë civilizimin. Kjo sëmundje, e cila po përhapet gjithnjë e më shumë, nga njëra anë paraqet një mbikëqyrje absolute të komplet qarkullimit telekomunikues që ndodhë në internet, si transaksionet tona financiare, idetë intelektuale, lidhjet e ndërsjella, etj., e nga ana tjetër, ajo paraqet edhe një mënyrë të re të kontrollit për gjithë rrjedhat e këtyre informacioneve, gjegjësisht një tentim për mbikëqyrjen e vetë ‘sistemit të qarkullimit të gjakut’ të komplet civilizimit global”, thekson Assange.

“Një zhvillimi i tillë i situatës ndaj distopisë së re transnacionale tani po shfaqet në përmasa që s’janë parë kurrë më parë. Kjo gjë nuk po ndikon vetëm ndonjë shtet të ndonjë rajoni të caktuar, por në tërë botën. Madje, po ndikon n të gjitha shtete përnjëherësh, sepse të gjitha shtetet tashmë janë pjesë e internetit. Këtu pra kemi të bëjmë me vjedhjen më të madhe në historinë e njerëzimit. Për shembull, Agjencia amerikane për Siguri Kombëtare, që është agjencia më e madhe shtetërore e informimit, ka panair para Kongresit se gjatë secilës ditë kryen mbi 1.6 miliardë ndërhyrje”, sqaroi tutje Assange.

“Google di më shumë për ju sesa nëna juaj”

Sipas pohimeve të themeluesit të web-faqes WikiLeaks, interneti kështu është shndërruar tashmë në një kërcënim të madh për shoqërinë.

“Tanket” kanë hyrë tashmë brenda hapësirës kibernetike, sqaron ai, megjithëse, sipas Assange, ekzistojnë dy mënyra se si qytetarët mund të mbrohen dhe të luftojnë kundër këtij problemi.

“E para është që mënyrën tonë të komunikimit t’ia përshtatim rreziqeve, të cilët de facto ekzistojnë. Kjo do të thotë se, duhet të jemi shumë më të kujdesshëm gjatë komunikimit dhe mbajtjes së lidhjeve tona në botën online. Duhet të jemi të vetëdijshëm se të gjitha këto informacione mblidhen nga shtete e mëdha, si SHBA’të, dhe se ato pastaj iu dërgohen jo vetëm agjencive shtetërore të zbulimit dhe informimit, por iu dërgohen edhe korporatave të tyre partnere, të cilat edhe janë sponsoruese, gjegjësisht janë të lidhura teknikisht me agjencitë e mëdha të zbulimit/informimit, por edhe me shtetet e tjera me të cilat mirëmbajnë raporte aleate. Masa e dytë është përdorimi i teknologjisë kriptografike, e cila, po të përdoret si duhet, ofron një mbrojtje të mirë qoftë edhe ndaj shteteve më të fuqishme”, thotë Assange.

“Çfarë mund të bëni ju, nëse Google dhe Facebook dinë më tepër për juve sesa vetë nëna juaj? Për shembull, Google e di saktësisht se çfarë keni kërkuar në internet para një viti, para dy muajve, para tri dite… ndërkohë që ju këtë gjë nuk e dini. Prandaj, ka shumë pak gjëra që ju mund të bëni për ta ndryshuar këtë gjendje, për shkak se ato gjëra ka kohë që i dinë shtetet e fuqishme dhe aleatët e tyre, gjegjësisht korporatat e tyre partnere. [..] Mënyra e vetme për të qenë të lirë, është që t’i pengojmë këto organizata për të ditur se kush jemi ne, apo se për çka flasim/shkruajmë kur komunikojmë. E për ta arritur këtë gjë, është e domosdoshme që ta shfrytëzojmë kriptografinë”, përfundon Assange.(G.E/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 16 December 2012 17:40

LONDËR- Themeluesi i Wikileaks, Julian Assange do të mbajë një fjalim publik nga ballkoni i ambasadës ekuadoriane në Londër, ku ndodhet i strehuar që nga 19 korriku, në një përpjekje për të mënjanuar një ekstradim në Suedi, ku kërkohet të arrestohet për një krim me natyrë seksuale.

Në fjalimin për Krishtlindje, që do ta mbajë të enjten, ish-hacker-i do të bëjë një refleksion për 2012-n si edhe për të ardhmen.

Që kur Assange është fshehur në ambasadën e Ekuadorit, policia britanike ka ndërmarrë një operacion sigurie për të, operacion që ka kushtuar deri tani tre milionë stërlina.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 21 August 2012 21:45

Presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez, ka kërcënuar Britaninë e Madhe me masa radikale të hakmarrjes, nëse autoritetet britanike vendosin të bastisin Ambasadën e Ekuadorit në Londër, me qëllim të arrestimit të Julian Assange.

“Në qoftë se Britani e Madhe vendosë që të cenojë integritetin territorial të Ekuadorit, përgjigja jonë do të jetë radikale. E këshillojmë Qeverinë e Britanisë së Madhe që të mendohet mirë për të gjitha, sepse epoka kur mbretëritë kanë bërë çfarë u ka dashur qejfi ka kaluar moti”, deklaroi Chavez në televizionin shtetëror venezuelas.

Përkundër këtij kërcënimi të drejtpërdrejtë të Britanisë, Chavez nuk e specifikoi natyrën e këtyre masave radikale, edhe pse pohoi se ato tashmë janë duke u përgatitur.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 21 August 2012 19:10

Londër – Hyrja me forcë në ambasadën e Ekuadorit në Londër do të ishte një vetëvrasje diplomatike për Britaninë e Madhe. Këtë paralajmërim e jep Presidenti i Ekuadorit Rafael Correa sipas të cilit një lëvizje e tillë do të mund të kishte pasoja në të gjitha misionet diplomatike në botë. Correa dha një intervistë për televizionin shtetëror ku komentoi publikisht zhvillimet e fundit mbi çështjen e themeluesit të rrjetit Wikileaks Julian Assange.

 “Britania e Madhe nuk është tërhequr dhe as ka kërkuar ndjesë ndaj rreziku ende ekziston”, u shpreh Correa ndërsa dha shumë pak detaje për mënyrën se si do të nxirret Assange nga ambasada për tu dërguar në Ekuador ku tanimë ka fituar statusin e azilantit politik.

 Correa tha se nëse është e nevojshme ai është i përgatitur që këtë çështje ta dërgojë edhe në Kombet e Bashkuara. Zyrtari ekuadorian tha se shpreson edhe për një mbështetje të fortë nga një takim që mbahet të premten mes organizatës së shteteve të Amerikës. “Ne shpresojmë që të sqarohet kjo çështje me koherencë pasi përndryshe do të dhunonte ligjet ndërkombëtare, konventën e Vjenës dhe gjitha traditat diplomatike të krijuara që paku prej 300 vitesh në shkallë globale”, u shpreh Correa. Në intervistën e tij ai ngriti edhe pyetjen se “nëse britanikët thonë se nuk kanë zgjidhje tjetër veçse ekstradimit të Assange atëherë pse nuk ekstraduan Augusto Pinoçetin?”.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 19 August 2012 14:18

Londër -(PLOTESUAR 19 GUSHT 19:15)- Themeluesi i faqes Wikileaks, Julian Assange akuzoi Shtetet e Bashkuara se po merren me gjueti shtrigash. Ai i bëri komentet sot, në shfaqjen e tij të parë publike në dy muaj.

Para zotit Assange, avokati i tij Balthazar Garzon tha se themeluesi i faqes Wikileaks është i bindur se të drejtat e tij dhe të faqes së tij në internet duhet të respektohen.

Ndërtesa e ambasadës së Ekuadorit në Londër është e rrethuar nga forcat policore britanike, të cilat kanë dhënë urdhër për ndalimin e menjëhershëm të Julian Assange nëse del nga territori i ambasadës ekuadoriane.
                                           
Britania ka deklaruar se nuk do të garantojë udhëtimin e sigurt të Julian Assanget jashtë territorit të saj, duke këmbëngulur se ajo do të zbatojë ligjin për ta ekstraduar atë në Suedi, në bazë të një urdhër arresti europian të lëshuar për të .

Nëse Assange del jashtë territorit  të ambasadës ekuadoriane, ai do të arrestohet menjëherë nga autoritet britanike, që e mbajnë të rrethuar ndërtesën e ambasadës.

Julian Assange ka frikë se Suedia mund ta ekstradojë në Shtetet e Bashkuara ku ai mund të përballet me akuzat që kanë lidhje me publikimin në faqen e tij Wikileaks të qindra mijëra dokumentave sekrete, mes tyre edhe komunikimet diplomatike të Shteteve të Bashkuara në lidhje me luftërat në Irak dhe Afganistan. (LajmeShqip.com)

**************************************

Londër – Themeluesi i “Wikileaks”, Julian Assange, do të bëjë një dekratë publike pasditen e së dielës, e para që prej incidentit diplomatik të shkaktuar nga strehimi i tij në ambasadën e Ekuadorit në Londër.

Më parë gjatë javës, shteti i Amerikës së Jugut pranoi kërkesën e 41-vjeçarit për azil politik, duke argumentuar se nuk kishte garanci për respektimin e të drejtave të tij njerëzore në rast ekstradimi në Suedi apo riekstradimi të mundshëm në SHBA.

Vendimi i Kuitos ngjalli tërbimin e autoriteteve britanike, që rrethuan ambasadën dhe kërcënuan se do të ndërhyjnë me forcë. Një gjykatë britanike kishte pranuar më parë kërkesën e autoriteteve suedeze për dërgimin e tij në vendin skandinav, ku ai përballet me dy akuza përdhunimi.

Vetë Assange nuk i ka pranuar kurrë këto akuza dhe së bashku me mbështetësit e tij, i kanë konsideruar ato si të stisura për të dëmtuar punën e “Wikileaks”. Uebsajti në fjalë, që prej vitit 2009, publikon dokumenta të rezervuara të administratës amerikane, duke nxjerrë në sytë e opinionit publik shumë skandale dhe ngjarje delikate në të gjithë botën.

Nëse Assange do të ekstradohet një ditë në SHBA, ai mund të përballet atje me akuza spiunazhi, të dënueshme në bazë të legjislacionit amerikan deri me dënim me vdekje.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 16 August 2012 15:56

Quito – Ekuadori i jep azil politik Julian Assange, themeluesit të “Wikileaks”.

Këtë lajm e ka konfirmuar ministri i Jashtëm Ricardo Patino, sipas së cilit themeluesi i “Wikileaks”, rrezikon persekutim politik nëse ekstradohet nga Britania.

Ekuadori i ka kërkuar Zvicrës garanci që Julian Assange të mos ekstradohet në Amerikë.

Ministri në këtë rast i është referuar një kërcënimi si të shkruar ashtu edhe me zë të marrë nga autoritetet britanike drejtuar ambasadës në Londër për arrestimin e Assange.

Themeluesi i “Wikileaks”, Julian Assange ka kërkuar strehim politik në ambasadën e Ekuadorit në Londër në përpjekje për t’i ikur ekstradimit të tij në Suedi, ku kërkohet nga drejtësia për t’u përballur me akuzat e përdhunimit të dy femrave.

Ai frikësohet se pasi të dërgohet në Suedi mund të riekstradohet në SHBA ku e pret një gjyq për spiunazh pas publikimit nga Wikileaks të kabllogrameve sekrete të diplomacisë amerikane.

Ndërsa më 14 qershor, Gjykata e Lartë në Britani vendosi t’i mohojë australianit apelin ndaj vendimit të ekstradimit në Suedi, ku kërkohet nga drejtësia për t’u përballur me akuzat e përdhunimit të dy femrave. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 22 June 2012 19:50

Londër – Ekuadori vazhdon të shqyrtojë kërkesën për azil politik të themeluesit të Wikileaks-it, Xhulian Asanzh, duke paralajmëruar konsultime edhe me Britaninë dhe Suedinë.

“Ekuadori do të marrë vendim të pavarur, pasi të vlerësojë nëse Asanzhit i rrezikohet jeta”, ka thënë sot presidenti i këtij vendi, Rafael Korea. “Nëse Asanzh ka shkelur ligjin, ai duhet të përgjigjet, por duhet të jemi të kujdesshëm për të shmangur proceset jo të përgjegjshme gjyqësore. Duhet t’i analizojmë këto”, ka thënë Korea.

Asanzh, që nga e marta, ndodhet në Ambasadën e Ekuadorit në Londër, ku ka kërkuar azil me shpresën për t’iu shmangur ekstradimit në Suedi apo transferimit të mëtejshëm në Shtetet e Bashkuara.

Suedia e akuzon Asanzhin për dhunim, ndërsa SHBA-ja për spiunim. Dyzetvjeçari australian, i cili ka zbuluar qindra dokumentente sekrete amerikane në faqen e tij, Uikiliks, mohon çdo keqbërje.

Asanzh argumenton se përpjekja për ta ekstraduar është e motivuar politikisht. (Lajmeshqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 30 May 2012 17:50

Londër – Gjykata e Apelit në Britaninë e Madhe vendosi ekstradimin e themeluesit të Wikileaks, Xhulian Asanzh drejt Suedisë për t’u përballur me akuzat e ngritura kundër tij për “ngacmime seksuale”.

I njëjti vendim ishte dhënë nga një gjykatë më e ulët lë Londër, por Assange vendosi apelimin e saj, duke i cilësuar akuzat e ngritura kundër tij si “sajesë e lindur pas publikimit të kabllogrameve të diplomacisë amerikane nga Wikileaks”.

Në fakt, publikimi i kabllogrameve me korrespondencën sekrete të diplomatëve amerikanë në mbarë botën, shkaktoi tërmet në mbarë diplomacinë botërore. Komentet dhe vlerësimet “pikante” të Departamentit të Shtetit mbi disa liderë botërorë, si Putin apo ish-kryeministir italian, Silvio Berluskoni mbushën faqet e para të mediave globale, ndërsa Uashingtoni vendosi të mos komentojë daljen e kabllogrameve.

Aktualisht Asanzh ndodhet në arrest shtëpiak në Londër dhe brenda pak ditësh pritet nisja e tij për në Suedi, ku do të përballet me akuzat e ngritura kundër tij. Nëse shpallet fajtor, Asanzh rrezikon deri në 3 vite burg. (LajmeShqip.com)

12