Lajme Shqip Monday, 23 June 2014 16:10

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa dhe nënkryetarja e AAK-së, Melihate Tërmkolli, nuk pajtohen me veprimin e presidentes Atifete Jahjaga për ta dërguar në Gjykatë Kushtetuese çështjen për mandatarin e qeverisë, duke e vlerësuar atë si hap të ngutshëm. Ndërsa anëtari i Kryesisë së NISMËS, Bilall Sherifi, nuk e ka komentuar këtë veprim të presidentes, me arsyetimin se deklarimi rreth kësaj çështje mund të konsiderohet si presion mbi presidenten e vendit dhe Gjykatën Kushtetuese, megjithatë ka thënë se NISMA mendon se Kushtetuta është e qartë sa i përket asaj se kush ka të drejtë ta formojë qeverinë.

I pari që ka reaguar ka qenë lideri i LDK-së, Isa Mustafa, i cili në një postim në profilin e tij në ‘Facebook’ ka shkruar se edhe presidentja e vendit duhet ta ketë të qartë Kushtetutën ashtu siç e kanë të gjithë qytetarët e Kosovës. “Presidentja e vendit duhet ta ketë të qartë Kushtetutën ashtu siç e kemi të gjithë ne. Kushtetuta jonë nuk është rast i veçantë kundrejt kushtetutave të vendeve të tjera demokratike dhe praktikave të njohura nga vendet evropiane. Shpresoj se Gjykata Kushtetuese nuk do ta interpretojë, edhe kësaj radhe, Kushtetutën si në rastin e presidentes dhe të na tregojë se ‘çfarë pret populli’”, ka shkruar Mustafa. Sipas tij, Kushtetuta e Republikës së Kosovës është e qartë për gjithë ata që duan ta kenë të qartë jetën demokratike. “Qeverinë e themelon ai që e arrin shumicën në Kuvend. Këtë shumicë nuk e ka fituar në mënyrë të veçantë asnjë subjekt gjatë zgjedhjeve. Qytetarët kanë vendosur se si do ta votojnë çdo subjekt politik (apo koalicioni parazgjedhor) dhe çdo kandidat për deputet, kurse koalicionet ndërmjet partive politike, mbi bazën e votave dhe besimit që e kanë marrë nga qytetarët, po vendosin se kush do ta qeverisë vendin. Asgjë nuk po vendoset jashtë fuqisë së votës”, është shprehur kreu i LDK-së.
Në të njëjtën vijë ka qenë edhe reagimi i partisë së Ramush Haradinajt, AAK-së. Nënkryetarja e kësaj partie, Melihate Tërmkolli, ka thënë për “Epokën e re” se presidentja Jahjaga është ngutur me veprimin e saj për të kërkuar sqarim te Gjykata Kushtetuese se kush ka të drejtë ta formojë qeverinë. “Mendoj se presidentja duhet t’i dijë kompetencat e veta. Në rast se ka dilema rreth kompetencave që ka, atëherë duhet të paraqesë kërkesë për interpretim nga Gjykata Kushtetuese më herët. Paraqitja e saj në këtë moment, pa pasur asnjë kërkesë zyrtare, mendoj se është shumë e parakohshme. Ajo do të mund ta paraqiste kërkesën e saj vetëm atëherë kur do të bëhet certifikimi i rezultateve dhe kur të kishim një apo dy grupe parlamentare të cilat do t’i paraqitnin kandidatët për kryeministër”, ka deklaruar Tërmkolli, duke shtuar se një veprim i tillë është i dyshimtë dhe mund të jetë në shërbim të kryeministrit aktual, Hashim Thaçit. “Ky veprim është i hershëm. Në interes të kujt po e bën këtë nuk e di. Mund të jetë në interes të qeverisë në largim dhe kryeministrit në largim. Por, sido që të jetë, kjo është një ngutje”, është shprehur ajo.
Më tutje, Tërmkolli ka deklaruar se partitë që kanë arritur marrëveshjen e kanë shikuar mirë këtë punë. “Ne i kemi respektuar dhe vazhdojmë t’i respektojmë institucionet tona dhe vendimet që dalin nga ato institucione. Por, para së gjithash, e respektojmë Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila është shumë e qartë në këtë aspekt. Po të mos ishte e qartë nuk do t’i hynim një ndërmarrje të tillë. Nuk do të binim ndesh me Kushtetutën. E kemi studiuar mirë dhe e kemi parë se Kushtetuta këtë e lejon”, ka thënë Tërmkolli. 
Ndërkaq anëtari i Kryesisë së NISMËS për Kosovën, Bilall Sherifi, duke folur rreth kësaj çështje ka thënë për “Epokën e re” se duhet lejuar të gjitha institucionet kushtetuese t’i ushtrojnë përgjegjësit e tyre, pa bërë presion nga jashtë. “Mendoj se çdo prononcim tani për veprimin e presidentes do t’i bie që po ushtrojmë presion indirekt edhe mbi presidenten, edhe mbi Gjykatën Kushtetuese. Ne mendojmë se duhet t’i lëmë të lira të gjitha institucionet kushtetuese siç janë presidentja, Gjykata Kushtetuese, Parlamenti apo Qeveria që t’i ushtrojnë përgjegjësitë e tyre konform Kushtetutës. Nuk mendoj se duhet të bëjmë presion qoftë direkt apo indirekt, sepse tanimë procesi ka filluar. Komenti ynë është se nuk dëshirojmë ta komentojmë veprimin e presidentes, sepse do t’i binte se dëshirojmë ta influencojmë edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Sherifi. 
Ai ka theksuar se NISMA do ta respektojë çfarëdo vendimi të Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se a do t’i pëlqejë apo jo. “Nuk diskutohet ajo. Edhe nëse nuk do të na pëlqejë, ne do ta respektojmë atë vendim, sepse për vendimet e gjykatës nuk shtrohet pyetja se a doni ta respektoni apo jo. Ato janë vendime të pakontestueshme. Ne sigurisht se kemi pozicionin tonë rreth kësaj çështje. Mendojmë se Kushtetuta është e qartë, mirëpo ky është vetëm pozicioni ynë dhe i partnerëve të koalicionit”, ka deklaruar Sherifi. Menjëherë pasi presidentja Atifete Jahjaga e ka dërguar në kushtetuese çështjen e mandatarit të qeverisë, Ambasada Amerikane në Prishtinë ka kërkuar nga palët ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

 
Lajme Shqip Monday, 02 December 2013 12:20

Prishtinë- Fisnik Ismaili është shtrirë për toke, duke festuar fitoren e mbrëmshme të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë.

Fisnikun duket se nuk e “kanë mbajtur këmbët” nga emocionet.

Ai ka shkruar në rrjetin social Facebook:

“Sapo hyna në shpi. I dërrmuem. I lumtun. Mbi 1200 mesazhe në FB, SMS, email, Viber, Ëhat’s App edhe Tëitter. Sonte as me i lexue s’po muj, e lene ma me u përgjigjë. Por e di se ma falni. Më duhet gjumë, mbas 3 muejsh… — feelingëonderful”. 

 
Lajme Shqip Saturday, 24 August 2013 10:02

Prishtinë- Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti mund të fitojë përballë Isa Mustafës në garën për Kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e sivjetshme lokale.
Kështu tregon anketa e fundit e realizuar nga Gazeta Express, e ku kanë marrë pjesë 6283 lexues.
Për Shpend Ahmetin kanë votuar 4077 lexues ose ka marrë 65 për qind të votave, derisa Isa Mustafa ka marrë 2206 vota ose 35 për qind.
Anketa është hapur më datën 16 gusht në ora 18:17 dhe është mbyllur ditën e djeshme, më 23 gusht në ora 16:26 minuta.
Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje e as Lidhja Demokratike ende nuk i kanë zyrtarizuar kandidatët e tyre për Kryetar të Prishtinës, por burime të Express thonë se Shpend Ahmeti do të jetë kandidatë i VV’se, kurse Isa Mustafa do të tentojë që të marrë edhe mandatin e tretë në krye të Komunës së Prishtinës.
Në garën për të parin e kryeqytetit, Partia Demokratike e Kosovës nuk duket se do të ketë ndonjë rol të rëndësishëm.

 
Lajme Shqip Thursday, 15 August 2013 10:16

Prishtinë – Aktakuzë ka edhe ndaj tre deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ata janë nga Lëvizja “Vetëvendosje”. Deputetët Rexhep Selimi, Florin Krasniqi dhe Visar Ymeri, akuzohen për veprën penale lëndim i lehtë trupor.

Këta tre dhe një aktivist i kësaj lëvizjeje, akuzohen se më 28 qershor të vitit 2012, kanë sulmuar kolegun e tyre nga PDK-ja, Bekim Haxhiun, i njohur më shumë si “Kamishi”, duke e lënduar lehtë, shkruan Tribuna.

Ngjarja ka ndodhur në oborrin e Kuvendit të Kosovës, kur deputetët e “Vetëvendosjes” dhe PDK-së janë përleshur ndërmjet vete. Pas ngjarjes, Prokuroria ka nisur hetimet dhe me t’i marrë palët në pyetje edhe ka ngritur aktakuzë. /Reporteri/

 
Lajme Shqip Thursday, 01 August 2013 16:10

Prishtinë – Deputetët e Vetëvendosjes, Visar Ymeri dhe Albana Fetoshi kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese Projektligjin për buxhet, nga e cila kanë kërkuar interpretim të tij, pasi konsiderojnë se ky Projektligj është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Albana Fetoshi ka thënë se Projektligji është në kundërshtim me Ligjin për Financat Publike pasi neni 2 i projektligjin për buxhetin parasheh formimin e Fondit Zhvillimor për Veriun që është fond paralel me atë të Kosovës, raporton rtv21. Ajo ka thënë se ky nen e çrregullon sistemin fiskal të Kosovës.

Ndërsa Visar Ymeti ka pohuar se ky Projektligj është kundër kushtetues pasi që Kushtetuta parasheh një sistem unik financiar dhe të barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës për të përfituar nga paraja publike. Ai pret që ky projektligj sikur edhe për Amnisti të hidhen poshtë nga Gjykata Kushtetuese, e në rast se nuk hidhet poshtë me vlerësimin se nuk shkelet Kushtetuta ata do ta kundërshtojnë këtë veprim, por nuk mund të apelojnë ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

 
Lajme Shqip Wednesday, 10 July 2013 19:29

Prishtinë – Rrjetet sociale janë kthyer në arenë debati për politikanët tanë.
Së fundmi Memli Krasniqi në twitter me disa statuse ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje. Ai e thotë se Alma Lamës, iu paskan dashur 3 vite për të kuptuar që Vetëvendosje është parti fundamentaliste.
“Alma Lames iu paskan dashur 3 vite me e kuptu atë që secili njeri racional e kupton për 3 minuta: faktin që VV është parti fundamentaliste”, shkruan ai.
E shpejtë ka qenë Alma Lama duke i thënë atij se të paktën për 3 minuta e ka kuptuar kush është Memli dhe këtë e ka bërë kur ai ka larguar foton e Nënës Terezë nga zyra e Ministrisë.
“Në fakt 3 minuta më janë dashur për të kuptuar se kush jeni ju, kur hoqët foton e Nënë Terezës nga zyra e Ministrisë”, ja ktheu ajo.
Por Memli nuk ndalet tek Alma. Më vonë u morr edhe me Shpend Ahmetin.
Tha se ka qejf me ditë çka do të thotë ai kur të largohet (ose largojnë) atë nga Vetëvendosje.
“Bash kisha pas qef me e dite çka ka me deklaru Shpend Ahmeti kurdo qe largohet (ose e largojnë) prej VV. Besa edhe çka do thonë VV për të. :)”, shkruan Krasniqi. /K.press/Lajmeshqip/ 

 
Lajme Shqip Wednesday, 10 July 2013 09:40

Prishtinë – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përpos që e kërkon postin e nënkryetarit të Kuvendit, pozitë kjo të cilën e mban Glauk Konjufca i “Vetëvendosjes”, kërkon nga kjo e fundit t’i lëshojë edhe ulëset e para në Kuvend.
Kjo për faktin se AAK aktualisht ka më shumë deputetë se VV në Kuvend, pas largimit të deputetes Alma Lama nga partia e Albin Kurtit.Sekretari i AAK-së, Burim Ramadani, gjatë një vizite në Kroaci javë më parë ka kërkuar nga Lama t’i bashkohet AAK-së në Kuvend, duke arritur që numrin e deputetëve ta çojnë në 13. Mirëpo, kërkesat e tilla të AAK-së hidhen poshtë nga lëvizja “Vetëvendosje”.
Nënkryetari i AAK-së, Ahmeti Isufi, ka thënë të martën për “Zërin” se pas diskutimeve që do t’i kenë në parti do ta bëjmë edhe kërkesën pranë Kuvendit të Kosovës për postin e nënkryetarit dhe për ulëset në ndërtesën e legjislativit.
Ndërsa zëdhënësi i lëvizjes “Vetëvendosje”, Erzen Vraniqi, thekson se në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të vitit 2010 , partia e tyre është e treta.
“Ne renditemi si subjekt i tretë parlamentar dhe pavarësisht nëse ndonjë deputet largohet nga grupi parlamentar, fuqia jonë ka të bëjë me numrin e votave nga zgjedhjet parlamentare dhe jo me numrin e deputetëve në Parlament”, ka thënë Vraniqi.
Ai ka sqaruar se sa i përket përfaqësimit në Kryesinë e Kuvendit, kjo dëshmohet edhe në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, përkatësisht nenit 67 dhe Rregullores së Punës së Kuvendit nenit 13, ku thuhet që “përfaqësimi në Kryesinë e Kuvendit bëhet në bazë të numrit më të madh të votave nga zgjedhjet e fundit për Kuvend”.
Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka thënë për gazetën “Zëri” se deri më tani nuk ka ndonjë kërkesë nga AAK-ja për ta marrë postin e nënkryetarit, si dhe ndryshimin në renditjes së ulëseve.

 
Lajme Shqip Tuesday, 09 July 2013 09:07

Prishtinë – Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu ka bërë disa akuza në drejtim të ish-bashkëpartiakes së saj,  Alma Lama.

E ftuar në Interaktiv, Haxhiu ka thënë se Lama ka injoruar forumet e partisë si mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm, dhe mbledhjet e Grupit Parlamentar. Por, mbi të gjithë, Haxhiu tha se ajo ka afërsi me njerëzit e SHIK-ut. “Zonja Lama është parë në Kuvend shpeshherë me njerëzit e SHIK-ut. Ajo rri edhe me Adem Grabovcin, gjë që ne të tjerët në Vetëvendosje nuk mund ta bëjmë, duke e ditur kush është ai”, ka thënë Haxhiu. 

  Ajo i ka kujtuar Lamës se votuesit kanë zgjedhur ‘Vetëvendosjen’, para se t’ia japin votën asaj personalisht. 

Deputetja Alma Lama pak ditë më parë dha dorëheqje nga Vetëvendosje. Ajo sqaroi arsyet e dorëheqjes nëpërmjet një letre.

 

Letra e plotë:

 

Letër e hapur votuesve të mi

Të dashur votues,

Kam vendosur t’ju drejtohem të gjithëve ju, që kur u afruat pranë kutive të votimit, në zgjedhjet e vitit 2010, në mendje kishit emrin tim, dhe dora juaj rrumbullakësoi pikërisht numrin që përkonte me këtë emër.

Ju drejtohem sepse në një shoqëri demokratike, të vetmit që japin legjitimitet demokratik, janë pikërisht votuesit, pjesë e sovranit që quhet popull. Vetëm ju mund t’i jepni mundësinë dikujt t’ju përfaqësojë, të bëhet zëri juaj.

Ndihem e privilegjuar që ma dhatë mundësinë të bëhem pjesë e Kuvendit të Kosovës, institucionit më të lartë në vend dhe jam e vetëdijshme çdo çast për përgjegjësinë e madhe që kam marrë mbi supe.
Me një vetëdije të tillë, jam përpjekur të jem zëri juaj, zëri i mijëra njerëzve që e dëshironi një Kosovë të ndryshme nga ajo që është sot, që dëshironi një shtet më të fortë, më demokratik, një shtet që kujdeset për ju, që respekton e garanton liritë tuaja, që i respekton miqtë që na dolën në krah, atëherë kur gjysma e kombit- Kosova rrezikohej nga zhbërja.

Po ju drejtohem ju sepse jeni të vetmit që ndjej obligim t’ju shpjegoj situatatën e krijuar përreth meje dhe subjektit politik ku bëj pjesë.

Në tetor të vitit 2010 iu bashkova Lëvizjes Vetëvendosje! me dëshirën dhe vullnetin më të mirë për të dhënë kontributin tim për ndërtimin dhe konsolidimin e demokracisë në shtetin e Kosovës.
Iu bashkova Lëvizjes Vetëvendosje! me besimin e plotë se vetëm në këtë subjekt mund të punoja për çuar përpara ëndrrën tonë të përbashkët për bashkim kombëtar.

Iu bashkova Lëvizjes Vetëvendosje! pa pasur as dyshimin më të vogël se kjo organizatë do bënte çmos për të ruajtur identitetin tonë kombëtar, atëherë kur ndonjë gjarpër i pabesë do të tentonte të na futej në gjirin tonë për të na e helmuar shpirtin dhe mendjen, siç na ka ndodhur shpesh përgjatë historisë.
Iu bashkova Lëvizjes Vetëvendosje! me bindjen e plotë se kjo do të ishte gjeneratori i moderimit të shoqërisë, i instalimit të kulturës demokratike përendimore, që do ta dërrmonte politikën klienteliste, klanore e të errët që sot po e mban peng politikën dhe vetë jetën.

Iu bashkova Lëvizjes Vetëvendosje! sepse i besova programit të saj.
Iu bashkova Lëvizjes Vetëvendosje! sepse kam besuar se vërtete kjo lëvizje do t’i kthejë politikës moralin e munguar.

Sot, pas më shumë se dy vitesh e gjysmë që jam pjesë e këtij subjekti politik, mund t’ju them se shumica e koncepteve dhe parimeve që permenda më lart, janë ngulfatur dhe zvetënuar nga radikalizmi, nga mjetet të cilat shpesh përfundojnë në promovim të dhunës, e që kompromentojnë çfarëdolloj qëllimi të mirë.

Radikalizmi po i ngulfat edhe vlerat më të mira që i kanë shumica e vajzave dhe djemve të Vetevendosjes!

Qytetarët e Kosovës kanë kaluar nëpër periudha shumë të dhimbshme të dhunës së imponuar, plagët janë ende të hapura, dhe unë mendoj se riciklimi i saj, në çfarëdolloj niveli apo intensiteti, qoftë edhe simbolik, nuk i ndihmon askujt, as qytetarëve, as demokracisë, as imazhit të Kosovës, as interesit kombëtar.

Përdorimi i dhunës si mjet për arritjen e synimeve politike, nuk ka qenë pjesë të programit të Lëvizjes, por kjo po ndodh në praktikë gjithnjë e më shpesh. Asnjë forcë serioze nuk mund të ecë përpra duke u bazuar në këtë mjet. Mjeti i gabuar degradon vetë qëllimin.

I kam shprehur në mënyrë të vazhdueshme këto brenga dhe qëndrime të mia brenda Lëvizjes, kam kërkuar me ngulm që të respektojmë rregullat e lojës demokratike, të respektojmë institucionet dhe ligjin, por për fat të keq zëri im nuk është dëgjuar, ka qenë vazhdimisht i izoluar brenda strukturave, ku debatet janë vetëm nuance e së njejtës ngjyrë.

Kam shpresuar gjatë gjithë kësaj kohe se gjërat do të ndryshojnë me jetën institucionale, që kjo do të sillte edhe pjekurinë politike. Mirëpo kjo nuk po ndodh, përkundrazi, radikalizmi po thellohet nga dita në ditë. Jemi dëshmitarë të gjithë të asaj që ndodhi në Kuvendin e Kosovës; në tentativën për të ndaluar deputetët të hyjnë në Kuvend, në trajtimin jodiplomatik që iu bë ambasadores së vendit që është mbështetësi më i madh, i lirisë dhe pavaresisë së shtetit të Kosovës; në përleshjet e vazhdueshme me policinë me qëllimin për të prodhuar konflikt; në polarizimin e skajshëm të shoqërisë.

Unë nuk mund të pajtohem me këto sjellje, nuk mund t’i mbështes. Janë plotësisht në kundërshtim me bindjet e mia.

Nuk pajtohem me politikat e qeverisë aktuale, kam qenë dhe jam kritikuese e ashpër e praktikave korruptive të qeverisjes, e dështimit në bisedime me Serbinë, e dhënies së autonomisë për serbët në veri. Vota ime ka shkuar kundër të gjitha këtyre vendimeve, por nuk mund të pajtohem kurrsesi që sjellja irracionale të zëvendësojë racionalen, që dhuna të zëvendësojë argumentet, që polarizimi i shoqërisë të zëvendësojë tolerancën, dhe të gjitha këto sjellje të dëmshme, aspak të mos e ndryshojnë realitetin e kritikuar. Përkundrazi, thjesht po e legjitimojnë qeverisjen e korruptuar, e cila për ironi, shpesh bëjnë të duket më e moderuar.

Përgjatë gjithë kësaj kohe, kam kuptuar se nuk janë vetëm metodat me të cilat unë nuk pajtohem, por janë edhe vetë konceptet ideologjike të Lëvizjes Vetëvendosje!. Unë jam për demokraci liberale, për respektimin e lirisë së individit, të sferës private, për lirinë e tregut, jam për korigjimin dhe përmirësimin e përditshëm të sistemit demokratik, jo për ideologji të tjera dhe ndryshime radikale të cilat do të mund të kishin pasoja fatale.

Të dashur votues,

Nuk mund ta fsheh para jush se ndihem thellësisht e zhgënjyer nga qëndrimi më i fundit i Lëvizjes Vetëvendosje! në lidhje me fenë dhe raportin me identitetin tonë kombëtar. Flirtimi politik me rrymat radikale fetare, qoftë edhe për arsye pragmatike siç është vota, për mua është joparimor dhe për pasojë i papranueshëm. Janë disa arsye të fuqishme që më shtyjnë drejt këtij qëndrimi por më kryesorja sepse jam e bindur se këto rryma, të cilat nëpërmjet indoktrinimit fetar të popullatës, synojnë identifikimin me fenë dhe jo me kombin, na e rrezikojnë identitetin kombëtar, na çojnë në regres, në epokën e diskriminimit të grave, larg kulturës përendimore. Këto rryma në fund të ditës, mund të na e rrezikojnë lirinë, për të cilën u derdh shumë gjak.

Çfarëdo tendence për të keqinterpretuar fjalën time dhe qendrimet e mia publike në lidhje me fenë islame në përgjithësi, ka qenë një luftë speciale e grupacioneve të caktuara politike, të cilët i shoqëruan me kërcënime, linçim publik dhe me fyerjet më të ulëta që iu është bërë ndonjëherë grave shqiptare. Jam ndjerë e shokuar nga niveli i këtij diskursi.

Prandaj të heshtesh apo me vetëdije të mbash qëndrime relativizuese ndaj synimeve te grupacioneve të tilla, që kërcënojnë, prodhojnë gjuhën e urrejtjes, linçimit publik, fanatizmit, fondamentalizmit, antishqiptarizmit, që bëjnë diversion kombëtar, për mendimin tim është e pajustifikueshme.

Për mua pra kjo është një çështje që ndan dy botë, është një zgjedhje mes errësirës dhe dritës, prandaj dhe pozicionimi im është i pakompromis me këdo dhe kurdo.

Për mua tashmë kjo është edhe një çështje e dinjitetit personal.

E kam të qartë se politika ndërtohet mbi kompromise por një devijim kaq i madh nga parimet dhe programi, nga ana e Lëvizjes për mua ka qenë i papërfytyrueshëm.

Të dashur votues,

Për shkak të këtyre qëndrimeve të shpjeguara më lart, por dhe shumë çështjeve të tjera shumë të rëndësishme , të cilat nuk do t’i rendis në këto radhë, mua më është bërë i pamundur qëndrimi i mëtejshëm në Lëvizjen Vetëvendosje! Ndryshimet konceptuale mes meje dhe drejtuesve të LVV janë fondamentale; qëndrimet për çështjet më të rëndësishme nacionale nuk përputhen dhe metodat për të arritur synimet politike, janë të papajtueshme mes nesh.

Shpreh keqardhjen e thellë që gjërat nuk shkuan në drejtimin e duhur, në drejtimin në të cilin unë besoja kur iu bashkova Lëvizjes Vetëvendosje!, me vullnetin më të mirë që nëpërmjet saj të jepja kontributin për vendin dhe shoqërinë.

Mandatin tim si deputete në Kuvendin e Kosovës tani e tutje do ta përmbush jashtë grupit parlamentar. Do të vazhdoj të jem zëri juaj në Kuvend, deri në fund të mandatit, duke punuar më përkushtim dhe aktivizëm në interes të vendit dhe aspiratave tona të përbashkëta për demokraci dhe bashkimin të kombit.

Me respekt
Alma Lama

 

 
Lajme Shqip Monday, 08 July 2013 14:10

Prishtinë – Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj letrës së Forumit të të Rinjve Myslimanë, e cila sërish ka pasur një përmbajtje fyese ndaj deputetes Alma Lama.

Vetëvendosje konsideron se pa marrë parasyshë dorëheqjes së Lamës nga Vetëvendosje, “mesazhet që cenojnë dinjitetin e Lamës por edhe të kombit shqiptar janë të papranueshme”.

 

Mesazhi i plotë i Vetëvendosjes:

 

Lëvizja VETËVENDOSJE! e dënon fuqishëm letrën e dytë të të ashtuquajturit “Forumi i të Rinjve Myslimanë” dërguar medieve, në të cilën përsëri me shprehje përçarëse dhe kërcënuese ofendohet deputetja Alma Lama dhe provohet të kapitalizohet dalja e saj nga Lëvizja VETËVENDOSJE!. Mesazhet që cenojnë dinjitetin e zonjës Lama, por edhe atë të kombit shqiptar janë të papranueshme.

Duam të vëmë theksin se Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk ka nevojë për mbështetjen e atyre që diskriminojnë dhe fyejnë dinjitetin e qytetarit mbi baza të prejardhjes apo identiteteve gjinore e kulturore, e as për mbështetjen e atyre që s’e respektojnë kombin. Kufiri midis Kosovës dhe Shqipërisë nuk është as kufi yni e as i vendosur aty paqësisht. Pranimi dhe afirmimi, normalizimi dhe natyralizimi i atij kufiri është i padrejtë dhe i dëmshëm.   

Qëndrimet tona për secilën çështje janë të qarta e parimore, dhe janë vendime të marra në mënyrë demokratike, nga organet legjitime të Lëvizjes.

Thirrjet që Alma Lama të kthehet në Shqipëri, sepse nuk e ka vendin këtu, janë thirrje injorante, seksiste dhe antikombëtare. 

Deputetja Lama ka dhënë dorëheqjen nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, megjithatë ne jemi vendosmërisht kundër çfarëdolloj cenimi ndaj saj apo të cilitdo qytetar, dhe do t’i kundërshtojmë ofendimet, përbuzjet apo kërcënimet e tilla.

 
Lajme Shqip Monday, 08 July 2013 09:50

Prishtinë – Lëvizja  Vetëvendosje dhe ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, nuk po mund ta tejkalojnë hidhërimin e ndërsjellë gjatë ditës së ratifikimit të Marrëveshjes në Kuvendin e Kosovës, raporton KTV.

Drejtuesit e Vetëvendosjes kanë lëshuar sallën në momentin kur ka ardhur ambasadorja në pritjen e organizuar nga presidentja Jahjaga për guvernatorin Branstad. Albin Kurti dhe Visar Ymeri, madje, as nuk e kanë përshëndetur ambasadoren. 

Presidentja Jahjaga, në fjalën e saj, ka thënë se thellimi i bashkëpunimit me shtetin e Ioëa-s do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Kosova dhe shteti amerikan, Ioëa, kanë arritur një marrëveshje bashkëpunimi, sipas së cilës, ky shtet do ta ndihmojë Kosovën në shumë fusha, përfshirë kulturën, turizmin, bujqësinë dhe transportin.