Lajme Shqip Wednesday, 06 March 2013 14:09

KORCË – Është zhvilluar seanca e radhës e procesit gjyqësor për skandalin e zhdukjes se 61 pikturave nga fondi i Galerisë së Arteve “Guri madhi” në Korçë. Prokurori Elsion Sadikaj mori në pyetje ish-drejtorin e qendrës kulturore “Vangjush Mio”, Vladimir Topi, i pandehur në këtë proces.

Ish-drejtori Topi tha para trupës gjyqësore se ish-përgjegjësi i galerisë Sotiraq Xega s’ka qenë pjesë e strukturës së qendrës kulturore. Topi ka rrëfyer se kur veprat e artit u nxorën për një ekspozitë në Selanik të Greqisë me pëlqimin e kreut të bashkisë së asaj kohe gjithçka u zhvillua sipas procedurave.

Pas skandalit të vjedhjes së pikturave në Galerinë e Arteve ”Guri Madhi” në Korcë gjykata e këtij qyteti vendosur të lërë në arrest shtëpie drejtorin e qendrës kulturore, “Vangjush Mio”, Vladimir Topin si edhe ish përgjegjësin e galerisë shtetasin Sotiraq Xega, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 27 July 2012 10:29

Korçë – Pas skandalit të vjedhjes së pikturave në Galerinë e Arteve ”Guri Madhi” në Korcë gjykata e këtij qyteti ka dhënë masat e sigurisë për 2 prej të akuzuarve kryesorë.

Trupi gjykues ka vendosur sot të lërë në arrest shtëpie drejtorin e qendrës kulturore, “Vangjush Mio”, Vladimir Topin si edhe ish përgjegjësin e galerisë shtetasin Sotiraq Xega, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Ndërkaq po sot, policia konfirmoi se vetëm 27 punimet e piktorit të Popullit “Vangjush Mio” janë vepra arti. Blutë e qytetit juglindor, bëjnë të ditur se konstatimi është bërë nga dy ekspertët e artit Roland Karanxha dhe Vangjo Vasili, të cilët kanë verifikuar teknikisht pikturat në bazë të kartelave përkatëse dhe kanë dalë në përfundimin se vetëm punimet e Mios janë vepra arti, ndërsa veprat e piktorëve Shijakut, Tushit etj, janë punime të thjeshta dhe nuk i përkasin kësaj kategorie, përpos faktit se janë pjesë e fondit të Galerisë së Arteve. Gjithashtu mësohet se pritet një tjetër verifikim i tyre, por këtë herë nga specialistë të Ministrisë së Kulturës.

Ndërkaq hetimet për zbardhjen e skandalit të vjedhjes së veprave të artit nga Galeria e arteve “Guri Madhi” në Korçë vijojnë intensivisht në dy pista atë të “vjedhjes” dhe “shpërdorimit të detyrës” ku për këtë të fundit policia disponon prova dhe dëshmi të mjaftueshme, ndërsa është duke hasur vështirësi për të vërtetuar akuzën e “vjedhjes”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 23 July 2012 18:45

Korçë – Thellohet skandali me veprat ne Galerinë e Artit në qytetin e Korcës. Pas humbjes së rreth 55 pikturave, 27 prej të cilave të piktorit të popullit Vangjush Mio, një tjetër skandal del në dritë. 

Skulptorë dhe artisë të qeramikës në Korcës kanë denoncuar sot zhdukjen e veprave të tyre nga kjo galeri. Ata sqarojnë se veprat e tyre ruheshin në Muzeun Popullor Etnografik, por pas shkatërrimit të tij, punimet u çuan në Galerinë e Arteve. Artistët bëjnë përgjegjës drejtorin e qendrës kulturore “Vangjush Mio”, Vladimir Topi, ndërsa deklarojnë se nuk e dinë me saktësi kohën e zhdukjes së veprave të tyre. 

“Pata një fitim personal shumë të pasur me punë artizanale të vogla, të cilat u zhdukën dhe nuk e dimë ku janë dhe kush i mori. Kam patur 45 punime. Marrja  e këtyre gjërave u bë që me drejtorin që u vendos në qëndrën kulturore. Pasi ai krijoi sharlatanizëm kudo që shkoi”, deklaroi skulptori Llazi Tili.

“Përafërsisht kam pasur rreth 140 objekte. Më vonë nuk e di si vajti fati ityre. Unë edhe për ato punime që bëra nuk jam paguar”,- u shpreh qeramik punuesi Vasillaq Kolevica.

“Hani i Manastirit iu kthye ish-pronarëve dhe mesa di unë vlerat e tyre u morën pastaj nga Bashkia dhe u dërguan në ambiente të ndryshme më duket në bodrumet e pallatit të kulturës”,- tha ish-punonjësi i muzeut popullor Kliti Kallamata.

Ndërkaq, drejtori aktual i Qëndrës Kulturore, njëkohësisht edhe i Galerisë së Arteve Vladimir Topi deklaron se pjesa më e madhe e veprave të muzeut ruhen në galeri.
“Është nxjerrë një udhër nga zoti Gjergji Duro që është bërë një skualifikim i qeramikës dhe është mbajtur procesverbali dhe sipas të gjtihë rregullave janë ekzekutuar. Kemi fondin e muzeut të kulturës Popullore dhe fondet e tjera”,- deklaroi drejtori i Qendrës Kulturore Vladimir Topi. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 11 July 2012 18:03

Korçë – Pas skandalit të vjedhjes së 61 veprave të artit, 27 prej të cilave të piktorit Vangjush Mio, në qytetin e Korcës, policia bën me dije se gjatë kontrollit të banesës së ish-përgjegjësit të arkivave, Sotiraq Xega janë gjetur 1 mijë piktura. 

Burime policore bëjnë me dije se kanë marrë në ruatje pikturat, të cilat do të dërgohen ditën e nesërme në komision për verifikim. Ndërkohë, nga hetimet e deritanishme ende nuk dihet nëse pikturat e gjetura në banesën e Sotiraq Xegës, janë pikturat që i përkasin Galerisë së Arteve, apo jane të vetë Xegës.

Kontrolli në banesen e ish-përgjegjësit të galerisë u krye pas skandalit të vjedhjes së 61 veprave te artit, 27 prej të cilave i përkasin piktorit të popullit Vangjush Mio. Policia ka ushtruar kontroll për gjetjen e pikturave te vjedhura edhe në banesën e përgjegjësit aktual të Galerisë së Arteve ‘Guri Madhi’, por nuk është gjetur asnjë pikturë.

Pas përfundimit të inventarit në fondin e Galerisë së Arteve, ‘Guri Madhi’ në Korcë, në lidhje me skandalin e vjedhjes së 61 veprave të artit, 27 prej të cilave të piktorit Vangjush Mio, ka ardhur dhe reagimi i parë i Drejtorit të Qendrës Kulturore ‘Vangjush Mio’. Sipas kreut të këtij institucioni, Vladimir Topi, konfirmohet mungesa e veprave në këtë galeri, ndërsa ngarkohet me përgjegjësi për skandalin, ish-përgjegjësi i arkivave, Sotiraq Xega, pasi ky i fundit kka refuzuar të bëjë dorëzimet e inventarit të Galerisë së Arteve dhe nuk ka vënë në dispozicion të komisionit kartelat e regjistrimit të veprave. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 09 July 2012 17:22

Korçë – Zhduken nga galeria e arteve “Guri Madhi” në qytetin e Korcës rreth 60 piktura, pjesë e fondit të madh prej 700 veprash arti që zotëron e gjithë kjo galeri. Dyshohet se 30 prej tyre i përkasin penelit të piktorit të madh Vangjush Mio.

Pikturat, me vlera të shumta, dyshohet se janë vjedhur, ndërkohë që deri më tani nuk është bërë asnjë denoncim në polici. Vetë drejtori i qendrës kulturore “Vangjush Mio”, Vladimir Topi, në një prononcim për mediat e ka pranuar se nga fondi i galerisë së arteve janë zhdukur shumë piktura, por sipas tij po bëhet inventarizimi i tyre për të dalë më pas në një përfundim.

Sipas tij, odiseja e konstatimit të mungesës të veprave të artit ka nisur në momentin kur çelësat për kujdesjen e galerisë i janë dorëzuar një djali të ri me cilësinë e specialistit të galerisë, i quajtur Kristi Ktona, ndërkohë që për dhjetë vjet me radhë për galerinë e arteve është kujdesur piktori i mirënjohur korçar, Sotiraq Xega. Drejtori Vladimir Topi ka pohuar gjithashtu se grupi i punës për inventarizimin e veprave të artit u ngrit në momentin kur piktori Xega refuzoi të bënte dorëzimet.

Ndërkohë, Sotiraq Xega ka mohuar akuzat e lëshuara ndaj tij ndërsa theksoi se ai nuk ka marrë asnjëherë inventarin e plotë të veprave që zotëron Galeria e Arteve “Guri Madhi”. Madje, sipas tij, në këto dhjet vjet që ai është kujdesur për galerinë nuk është bërë asnjë inventar.

Ndërkohë, sipas specialistëve, pikturat e vjedhura dhe të çmueshme kapin një vlerë prej 10 000 – 30 000 dollarë. Kamera e TV A1Report ka fiksuar kushtet në të cilat ruhen veprat artistike në këtë galeri, shpesh të hedhura cepave të bodrumeve (siç shihet në fotogalerinë që shoqëron lajmin), gjë që në mungesë të një rregulli dhe inventari të rreptë favorizon zhdukjen e tyre.

E bija e piktorit Vangush Mio, Rozeta, ka deklaruar se fatkeqësisht kjo nuk është hera e parë që veprat e të atit pësojnë të njëjtin fat, duke u zhdukur pa lënë gjumë. Ajo theksoi se zhdukja e veprave të piktorit për të përbëjnë vetëm një dëm moral pasi ato i janë shitur galerisë shumë kohë më parë.

Rozeta Mio tha se nuk dëshironte të komente më tej ngjarjen, ndërsa nënvizoi se i takon strukturave përgjegjëse që të merren me të. (LajmeShqip.com)