Lajme Shqip Saturday, 25 August 2012 18:46

Prishtinë – Në raportin e OSBE-së ndaj Policisë së Kosovës nuk përmendet dhuna e ushtruar ndaj 28 policëve. Ministrit Bajram Rexhepi, ndërkaq, nuk i bën përshtypje ky raport. Ai lavdëron punën e policisë dhe thotë se vitin e ardhshëm do të lejojë vetëm klerikët dhe organizatat fetare të vijnë në Gazimestan.

“Trupmëdhenj, të fortë e arrogantë. Vetëm shikimi i tyre të fut frikën në palcë, e lëre më të biesh në duart e tyre. Pa futur këtu edhe “dajakun” që ka shkrepur”, pak a shumë ky është përshkrimi që një raport i OSBE-së iu bën pjesëtarëve të Njësisë Speciale të PK-së, ROSU.

Më pak se dy orë e gjysmë angazhim i tyre në Gazimestan, me rastin e festës së Vidovdanit, u ka mjaftuar dy vëzhguesve të kësaj organizate të nxjerrin këtë konstatim për forcat më elite të sigurisë në vend.

Në shtatë faqe material, Hjortur Sverrisson, U.D i drejtorit të Departamentit për të Drejtat e Njeriut dhe Komuniteteve në OSBE, ia përshkruan në detaje vuajtjet e dy pjesëmarrësve të nacionalitetit serb në këtë ceremoni kreut të policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, të cilit atë ditë i ishin plagosur afro 30 policë.

OSBE shprehet e shqetësuar me aksionin, siç e quan ajo, të tepruar, të njësisë speciale ROSU në Gazimestan.

“Përdorimi i tepruar i forcës në rrahjen e pjesëmarrësve, të dëshmuara nga OSBE, dhe konfiskimi i gjësendeve si rroba dhe flamuj, ka mundur të përbëjë keqtrajtim dhe shkelje të të drejtës së të shprehurit, të drejtës së grupimit dhe asaj fetare”, thuhet në raport, të cilin e transmeton Express.

Krejt kjo thuhet se është e bazuar vetëm në atë çfarë kanë parë monitoruesit e OSBE-së me sytë e tyre gjatë Vidovdanit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 28 June 2012 13:48

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, dënoi ashpër sulmin mbi pjesëtarët e policisë së Kosovës nga grupe huliganësh të dhunshëm nga Republika e Serbisë, që tentuan të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, për manifestime për të cilat paraprakisht nuk është bërë kërkesa në organet përkatëse të Republikës së Kosovës.

Jahjaga theksoi se përpjekjet e këtyre grupeve të huliganëve, që me dhunë të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, do të ndalohen sepse janë shkelje serioze e rendit dhe ligjit dhe përshkallëzojnë gjendjen e sigurisë në Kosovë.

“Sulmi mbi pjesëtarët e Policisë së Kosovës me mjete të forta dhe me armë zjarri, është plotësisht i patolerueshëm dhe është sulm mbi rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Institucionet e Republikës së Kosovës do të mbrojnë me përkushtim sistemin demokratik të vendit dhe do të parandalojnë çdo përpjekje për destabilizim”, thekson Jahjaga.

Presidentja i bëri thirrje autoriteteve të Republikës së Serbisë që të pengojnë grupet e huliganëve serbë dhe të parandalojnë përpjekjet e tyre për prishjen e rendit dhe të qetësisë publike, duke shkelur kështu ligjet e Republikës së Kosovës dhe ju përkujton autoriteteve serbe se politika e fqinjësisë së mirë është obligim dhe parakusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 28 June 2012 12:37

Prishtinë (PLOTESUAR 16:30)- Njoftohet se pikëkalimi kufitar ndërmjet Kosovës me Serbinë, Merdar, është rihapur. KTV raporton nga vendi i ngjarjes se tani nga të dy drejtimet komunikacioni po zhvillohet pa pengesa. Po ashtu njoftohet se situata aty duket e qetë. Megjithatë forca policore të Kosovës po monitorojnë situatën. (LajmeShqip.com)

******************************

Prishtinë Në Qendrën Emergjente të QKUK-së, janë duke u diagnostikuar nëntë policët e lënduar nga turma e serbëve të cilët në mëngjesin e së enjtes tentuan që me dhunë të hyjnë në piken kufitare Merdare. Drejtues të kësaj qendre, në një konferencë për media, kanë thënë se të gjithë policët janë të lënduar nga mjetet e forta, duke përfshirë edhe gurët, ndërsa kanë mohuar që të lënduarit jenë plagosur me armë zjarri.

Drejtori i Qendrës Emergjente, Basri Lenjani, menjëherë pas këtij rasti ka organizuar një konferencë për media, me ç’rast ka shpjeguar natyrën dhe gjendjen e policëve të lënduar të cilët janë duke u mjekuar në këtë qendër. Sipas tij me të marr informatën që në Merdare ka policë të lënduar, është krijuar shtabi emergjentë dhe janë bërë përgatitjet e duhura për përkujdesjen e të lënduarve.

“Sipas informatës zyrtare në Klinikën emergjente kanë arritur gjithsej nëntë të lënduar dhe 5 prej tyre janë me lëndime të kokës. Bëhet fjalë sipërfaqësore, nuk bëhet fjalë për ndonjë lëndim serioz që do ta rrezikonte jetën e të lënduarve, ndërsa sa i përket lëndimeve të katër të tjerëve, bëhet fjalë për lëndime të ekstremiteteve të poshtme dhe lëndime të fytyrës”, ka thënë ai.

Lenjani ka thënë se të gjithë të policët e shtruar në këtë qendër janë të lënduar, si pasojë e goditjeve me gurë dhe jo me armë zjarri. “Në pjesë mediale është thënë se ka pas të lënduar si pasojë e përdorimit me armë zjarri, mirëpo të gjithë te të lënduarit e paraqitur në Klinikën Emergjente bëhet fjalë për lëndime me mjete të topitura, pra me gurë dhe nuk bëhet fjalë për lëndime nga armë zjarri”, ka thënë ai.

Lenjani, po ashtu, ka bërë të ditur se të gjithë të lënduarit janë duke u trajtuar në qendrën emergjente dhe se, sipas tij, dy nga të lënduarit kanë marr lëndime më të rënda dhe se pritet të hospitalizohen në klinikën e kirurgjisë, në mënyrë që të përcillet gjendja e tyre në 48 orët e ardhshme. Ndërsa pacientët e tjerë, pas diagnostikimit dhe shërbimeve konsultative laboratorike dhe radiologjike, do të lirohen për shërim të mëtutjeshme në shtëpi.

Zaim Thaçi: 34 policë të lënduar

Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Podujevë, Zaim Thaçi thotë se në Shtëpinë e Shëndetit në Podujevë ndihmë kanë kërkuar 34 policë të Kosovës.“Në këtë qendër, nga mëngjes i ditës së sotme kanë kërkuar ndihmë 34 Policë të Kosovës. Prej tyre gjashtë ne i kemi dërguar në Prishtinë”, tha Thaçi për Express.

Pikëkalimi kufitar në Merdare do të mbetet i bllokuar për pak kohë, ka thënë Ministri i Brendshëm i Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi.

Rexhepi: Në Merdare, 32 policë të lënduar

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Bajram Rexhepi ka konfirmuar se disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë lënduar, përderisa po pengonin kalimin në Kosovë të një grupi serbësh në Merdare. Gjatë një informate të prezantuar para Kuvendit të Kosovës, Rexhepi tha se janë gjithsej 32 policë të lënduar. Por, sipas tij, të gjithë kanë lëndime të lehta dhe nuk bëhet fjalë për lëndime të rënda trupore.

Ministri Rexhepi tha se bëhet fjalë për lëndime të shkaktuara me gurë, që ky grup serbësh kishte hedhur në drejtim të Policisë së Kosovës. Ai tha se kishte edhe të shtëna armësh, por nuk janë shënuar plagosje të pjesëtarëve të policisë nga këto të shtëna.

“E kemi kthyer një grup të njohur si Delije (simpatizantë futbolli të Cervena Zvezdes), që njihen si nacionaliste dhe me atë rast janë lënduar disa policë, kryesisht bëhet fjalë për lëndime me gurë”, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, ministri Rexhepi. “Janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri, por ato kanë qenë në anën e Serbisë”, theksoi ai.

Forenzika heton rastin në Merdare

Njësia e Forenzikës e Policisë së Kosovës ka dalë në vendin e ngjarjes në Merdare për të hetuar krimin duke mbledhur materialin e nevojshëm për hetimin e rastit. Dyshohet që serbët kanë sulmuar me disa gurë që gjenden në anën tjetër të kufirit me Kosovën. Deri në përfundimin e hetimeve rruga do të mbetet e bllokuar.

Nëntë policët e lënduar: Ata janë: Shukri Krasniqi (Vushtrri), Mujë Podvorica (Podujevë), Eset Gjata (Podujevë), Burim Merovci ( Vushtrri), Faton Haliti (Podujevë), Mentor Bajrami (Podujevë), Nexhmedin Sefa (Podujevë), Raif Rama (Mitrovicë) dhe Besim Krasniqi (Prishtinë).

Pesë prej të lënduarve janë sulmuar më gurë në kokë kurse katër të tjerë kanë lëndime në pjesë të ndryshme trupore.Policët e plagosur i ka vizituar në QKUK edhe drejtori i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni.

Ndërkaq, mediat serbe kanë raportuar se nga ky incident janë plagosur 13 serb të grupit të tifozëve “Grobari” nga klubi i Partizanit me plumba që nuk dihet a janë gome apo plumba të vërtetë. Serbët po trajtohen në spitalin e përgjithshëm të Prokupljes. 

Policia bllokon kufirin

Policia e Kosovës e asistuar nga njësitë speciale ROSU kanë bllokuar kufirin në Merdare dhe për momentin situata është e qetë dhe nën kontroll. Nga ana tjetër e kufirit nuk ka ndonjë lëvizje të grupit i cili kishte shkaktuar incidentin, pasi që ata kishin provokuar me fanella me mbishkrime në Vushtrri, ku Policia e Kosovës i kishte deportuar për në Merdare.

Sipas tij, Policia ka arritur t’i ndaloj këtë grup dhe deri me tani situata është e qetë dhe nën kontroll.  Këtë vit, komuniteti serb shënon 623 vjetorin e Betejës mesjetare të Kosovës, e cila ndryshe njihet në radhët e këtij komuniteti si “Vidovdan”.

“Policia me qëllim të qetësimit të situatës ka përdorur sprajt dhe ka larguar këta qytetarë në pjesën veriore të urës dhe nën përcjellje të policisë me dy autobusë, të njëjtit janë përcjellë në pikën kufitare ne Merdare, përmes së cilës pikë janë larguar nga territori i Kosovës”, njofton policia.

Me urdhër të prokurorit është hapur rasti “Prishje e rendit dhe qetësisë publike”, thuhet në njoftim. (LajmeShqip.com)