12
 
Lajme Shqip Thursday, 20 September 2012 15:07

TIRANË- ‘Dymbëdhjetë muajt e fundit panë disa periudha “ndal dhe ec”…Zgjedhjet parlamentare në vitin 2013, pritet një garë e egër, përparimi për shtetin e së drejtës i pakët”, janë disa nga pikat që përfaqësuesi i OSBE në Shqipëri, Eugen Wollfarth ka nënvizuar në raportin për Shqipërinë të prezantuar sot në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, 20 shtator 2012. 

Në përgjithësi, përfaqësuesi i zyrës së OSBE në vendin tonë thekson se klima politike u përmirësua gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit dhe institucionet kushtetuese bënë progres në rrugën për të rifituar funksionimin e tyre të plotë.

“Pas vitesh amullie dhe bojkoti politik, si dhe pas demarshesh të përsëritura në lidhje me procesin politik nga Prezenca e OSBE-së dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë, progresi në rrugën e reformave filloi me kthimin e plotë të PS në Kuvend, në vjeshtën e vitit 2011 dhe me marrëveshjen pasuese, në muajin nëntor, për ngritjen e një komisioni të posaçëm për reformën zgjedhore dhe të një grupi pune për rishikimin e Rregullores së Kuvendit dhe zgjedhjen, në muajin dhjetor, të Avokatit të ri të Popullit”.

Por, sic theksohet në raport, gjatë gjithë vitit, konflikte të herëpashershme politike çuan në zbehjen e, madje, në ngecjen e reformave, në një sërë sektorësh.
“Megjithatë, dëshira e fortë kombëtare për integrim të vazhdueshëm evropian shërbeu, sërish, si një katalizator për zhvillim dhe ndihmoi në zbutjen e interesave partiake. Gjithsesi, dymbëdhjetë muajt e fundit panë disa periudha “ndal dhe ec”.”

ZGJEDHJET 2013-DO JENË TË EGRA
E ndërsa bën analizën për 12 muaj që u lanë pas, ambasadori Wollfarth në raport bën dhe një parashikim për vitin 2013. Në fokus, thekson ambasadori, do të jenë zgjedhjet parlamentare. Klima? E egër, Fitorja? Qeveria e re nuk do të arrijë të konstituohet para seancës së parë plenare.

“Zgjedhjet më të fundit të përgjithshme të 2009-s dhe ato për qeverinë vendore të 2011-s dëshmuan periudha para dhe paszgjedhore tejet të polarizuara dhe të politizuara, të cilat janë ende shumë të gjalla në kujtesën politike të publikut.

Nisur nga kjo përvojë, në ndërthurje me zhvillimet aktuale të përshkruara këtu, mund të pritet që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të shohin një garë shumë të egër. Duke mbajtur parasysh që dita e votimit, me të ngjarë, do të jetë në fund të qershorit 2013, i tërë cikli i zgjedhjeve, përfshirë procesin e apelimeve paszgjedhore dhe përsëritjen, gati të pashmangshme, të zgjedhjeve në një numër zonash, mund të zgjasë deri në fund të shtatorit. Megjithëkëtë, qeveria e re nuk do të konstituohet zyrtarisht përpara seancës së parë plenare të legjislaturës së re” 

NISHANI DO VIHET NË QENDËR TË DEBATEVE
Ambasadori i OSBE në vendin tonë parashikon gjithashtu se Presidenti nuk do t’u shpëtojë debateve politike.
“Ka gjasa që ai të vihet në qendër të disa debateve të tensionuara publike, që nga kjo vjeshtë, në lidhje me disa emërime të mundshme nga ana e tij të Prokurorit të ri të Përgjithshëm dhe të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët emërohen me marrjen e pëlqimit të qartë të Kuvendit”.

BEFASI ZGJEDHJA E DISA MINISTRAVE
“Zgjedhja e Presidentit çoi edhe në disa ndryshime në Këshillin e Ministrave. Ndonëse emërimi i një Ministri të ri të Brendshëm ishte rrjedhojë e drejtpërdrejtë e zgjedhjes së presidentit, ndryshimi i ministrave të partisë së dytë të koalicionit, përfshirë pozicionin e Ministrit të Jashtëm, gjatë kohës së kryesimit të një organizate ndërkombëtare, erdhi mjaft papritur”, nënvizon raporti i OSBE për Shqipërinë.

ZGJEDHJA E PRESIDENTIT
Raporti vë në dukje se ishte një ngjarje politike e një profili të lartë për vitin 2012, me shumë raunde votimi të planifikuara në Kuvend, gjatë muajve maj dhe qershor.
Duke përshkruar këtë proces, Wollfarth thekson se mbi të gjitha procesi ishte kushtetues edhe pse nuk coi në një konsensus.
“Ndërkohë që ishte në përputhje me Kushtetutën, procesi i zgjedhjes së Presidentit, i cili zgjati një muaj, nuk çoi në një marrëveshje ndërpartiake për ndonjë kandidat, duke u shoqëruar me akuza reciproke për mungesë vullneti politik dhe u zhvillua në një atmosferë mllefi politik”.

REFORMA ZGJEDHORE
Zyra e OSBE në vendin tonë përshëndet arritjen e një marrëveshje ndërpartiake në Kuvend, por nuk harron bllokimin që i solli politika kësa reforme.
“Megjithëse ky komision vuajti nga disa periudha të parashikueshme bllokimi politik, gjë që shtroi nevojën e shtyrjes së mandatit të tij tri herë, ai më, në fund, mundi të prodhonte një tekst të rëndësishëm, i cili gëzoi konsensusin e gjerë të partive kryesore politike”.

Rëndësi sipas Wollfarth, tani ka zbatimi në praktikë. “Theksi duhet vënë tashmë te zbatimi i plotë dhe me përpikëri i Kodit Zgjedhor, në mënyrë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të mund të përgatitet në mënyrë efikase për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Ashtu siç bëhet e qartë në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, arritja e kësaj detyre do të kërkojë që të gjitha palët politike të lënë mënjanë interesat vetjake partiake dhe të shfaqin vullnet politik për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”. 

REFORMA PARLAMENTARE
“Sa i përket reformës parlamentare, ndonëse është arritur një progres i mirë nga grupi i punës për rishikimin e Rregullores, ende nuk ka konsensus për dy çështje kryesore: kthimi i votimit të fshehtë për kandidatët e dekretuar nga Presidenti dhe balancimi i kohës për të folur në Kuvend për kryeministrin dhe kryetarin e grupit kryesor opozitar parlamentar”.

SHTETI I SË DREJTËS
Zyra e OSBE në Shqipëri thekson se hezitimi për të vepruar në përputhje me ligjin sjell dobësi të institucioneve shtetërore. Klientelizmi, thekson raporti është kërcënimi në vazhdim. “Sa i përket shtetit të së drejtës, përparimi ka qenë relativisht i pakët. Dobësia e vazhdueshme e institucioneve shtetërore, siç është dëshmuar nga hezitimi i tyre për të vepruar në përputhje me ligjin, paraqet një kërcënim serioz për arritjet e brishta në fushën e shtetit të së drejtës. Ndonëse kjo dobësi vjen, kryesisht, për shkaqe të hershme, si për shembull klientelizmi i përhapur, presioni i pavend mbi institucionet për t’u bindur, si rrjedhojë e betejës së vazhdueshme politike për pushtet, nuk e ka përmirësuar situatën. Shqipëria vazhdoi t’u drejtohet mjeteve legjislative, në vend që të përqendrohet te përmirësimi i zbatimit të legjislacionit ekzistues”. 

VENDIMET E GJYKATAVE-GËRDECI DHE PËRGJIMI META-PRIFTI
Gjyqi i Gërdecit nuk është zhvilluar në përputhje të plotë me parimit e gjykimit të drejtë. Kështu citon raporti üër Shqipërinë në OSBE. “Vendimi i shkallës së parë marrë për të ashtuquajturën çështje të Gërdecit, lidhur me shpërthimin në një fabrikë të çmontimit të municioneve, nga i cili mbetën të vrarë 26 vetë në vitin 2008, i dha fund një gjyqi që zgjati më shumë se tre vjet dhe 200 seanca. Gjyqi nuk mund të konsiderohet se është zhvilluar në përputhje të plotë me parimet e gjykimit të drejtë”.

Ambasadori i OSBE theksoi në veçanti, kohëzgjatjen e tepruar të gjyqit. “Shtyhej shpesh kryesisht për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës, ngriti shqetësime të herëpashershme. Dhoma Kombëtare e Avokatisë, si aktori kryesor që mund të ndreqë rrethana të tilla, vazhdimisht nuk veproi”, ndërsa raporti shton se shqetësim ishte mosparaqitja në gjyq e ish-Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

“Një tjetër shqetësim ishte se ministrit të Mbrojtjes në detyrë në vitin 2008 nuk iu desh të paraqitej në gjyq në lidhje me përgjegjësitë që ai supozohej të kishte për këtë shpërthim, pasi as prokuroria nuk kërkoi një riheqje të imunitetit të tij pas rizgjedhjes së tij në Kuvend dhe as Gjykata e Lartë nuk i pranoi paditë penale të ngritura nga familjarët e viktimave”.

Kurse në lidhje me gjyqin e përgjimit Meta-Prifti, OSBE thekson shpalljen të pafajshëm të ish-zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Ilir Meta si dhe rrëzimin e provave. “Në një tjetër çështje, Gjykata e Lartë e shpalli të pafajshëm ish-zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, ndaj të cilit ishin ngritur akuza për korrupsion. Gjykata u shpreh pas dhënies së atyre çka nga shumë vëzhgues u konsideruan si vendime të ndërmjetme të debatueshme, disa prej të cilave vështirë se mund të vihen në përputhje me ligjin, si për shembull përjashtimi nga Gjykata i regjistrimeve me zë dhe figurë dhe zbardhjes së tyre si dëshmi, caktimi i ekspertëve shqiptarë në vend të ekspertëve të huaj, apo rrëzimi i urdhrit për mbledhje provash”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 20 August 2012 18:40

Tiranë – Vetëm pak muaj para mbarimit të mandatit të Ina Ramës në krye të Prokurorisë së Për-gjithshme, Spartak Braho është kandidati i parë që “ofrohet” zyrtarisht për të pranuar marrjen e këtij posti.

Në një intervistë të dhënë dje për “Gazeta Shqiptare”, Sekretari për Çështjet Ligjore në Lëvizjen Socialiste për Integrim, është shprehur i gatshëm për ta pranuar ofertën në rast se ajo do t’i propozohej. Braho është një nga specialistët më të mirë në fushën e jurisprudencës. Ai është një nga përpiluesit e Kushtetutës së Republikës dhe hartuesi i ligjit për Prokurorinë. Për tetë vitë me rradhë ai ka qenë kryetar i komisionit parlamentar për Çështjet Ligjore si edhe ka qenë nënkryetar i komisionit hetimor të ngritur nga Kuvendi për hetimin e ngjarjeve të vitit 1997. Në vitin 1996, Braho fitoi betejën me Komisionin e Vlerësimit të Figurave, që e nxorri atë të pastër. Ai ka qenë deputet i Partisë Socialiste e mandej i Lëvizjes Socialiste për Integrim, në të cilën aktualisht mban funksionin e Sekretarit për Çështjet Ligjore.

Z.Braho, jeni përfolur kohët e fundit në korridoret e politikës si një prej kandidaturave të mundshme për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Jeni i gatshëm të pranoni një ofertë të tillë në rast se do t’ju propozohej?
Pa dyshim që nëqoftëse do të më propozohej funksioni i Prokurorit të Përgjithshëm do ta pranoja pasi me modesti do të thosha që këtë detyrë do ta kryeja më mirë se kushdo qoftë. Për shumë arsye por edhe për shkak e falë përvojës sime si jurist dhe ndonjë cilësi timen.

Mendoni se kandidatura juaj do të gjejë mbështetje si nga e djathta ashtu edhe nga e majta? Pikërisht për këto arsye që përmenda më lart unë nuk është se jam plotësisht në zemrën e disa, qoftë djathtas apo majtas që bëjnë hesape kush e si na duhet Prokurori i Përgjithshëm. Gjithsesi kjo s’ka rëndësi për personin tim, pra jam a s’jam në listën e të propozuarve sepse deri më sot. Prokurorët e Përgjithshëm kanë qenë që në nisje raporte numrash e interesash politike, pak kanë qenë me integritet të plotë e të pavarur dhe të tillë e kanë patur dhe mbylljen e karrierës, të flakur në taborin e avokatëve.

Ju do të jeni një kandidaturë zyrtare e LSI? Ajo që unë mendoj se nuk shtrohet drejt është çështja e të konsideruarit e drejtë për të propozuar të njërit krah të politikës. Këtu fillon maisja e problemit sepse e konsideron Prokurorin e Përgjithshëm si prodhim safi dhe pronë të një krahu politik. Unë fjala vjen mund të isha kandidat i propozuar nga LSI-ja por ç’vlerë do të kishte kjo nëse do të kontestohesha masivisht e për cilësime fabulistike e selektive. Së fundi desha ta mbyll prononcimin tim në përgjigje të interesimit tuaj edhe me mendimin se është akoma herët të merremi me Prokurorin e Përgjithshëm. Ne kemi akoma në detyrë Prokuroren ekzistuese dhe s’është etike ta diskutojmë edhe kështu siç është. (LajmeShqip.com) 

 
Lajme Shqip Saturday, 11 February 2012 13:30

Tiranë-Dritan Prifti deklaroi dje, gjatë një interviste televizive se është bërë “pishman” për publikimin e videos. Në emisionin “Debat”, të gazetarit Alfred Peza, Prifti rrëfeu se me Ilir Metën edhe mund të bashkëpunojë në një llogore, por jo pjesë e një formacioni politik.

“Për të qenë plotësisht i sinqerisht, jam i dyzuar. Dikur nuk kisha asnjëlloj pishmanlliku, tani kam sepse nuk ndodhi asgjë. Vendimi i Gjykates është i pakontestueshëm. Kjo ka qenë një nga arsyet që unë nuk pata asnjë deklaratë pas shpalljes së vendimit, nuk pata asnjë koment, pasi nuk ke çfarë thua për një vendim të tillë”.

“Edhe Meta edhe unë jemi politikanë dhe politikanët shohin përpara. Unë e shoh që Meta, të paktën çfarë ka deklaruar, e ka lënë të shkuarën prapa, unë jam në të njëjtën gjatësi valësh. Ta lëmë të shkuarën prapa dhe të shohim prapa. Unë i kam parë dhe vlerësuar qëndrimet e tij të zbutura ashtu siç jam përgjigjur me të njëjtën monedhë. Unë kam deklaruar që me Ilir Metën kam pasur 10 vjet bashkëpunim dhe një vit luftë. Shpresoj që e ardhmja të jetë një lloj normaliteti. As e kam futur unë Ilir Metën në politikë dhe nuk qëndron në politikë prej një vote që kam unë, dhe as më ka futur ai e nuk qëndroj në politikë prej tij”, u shpreh me tej Prifti.

Me tej, ish-ministri i energjititikes tregon arsyet pse publikoi videot qe sipas tij ishin personale.

“Për shumë histori që vërtiteshin rreth mënyrës së largimit unë kisha një problem të krijuar personal. Por, arsyeja kryesore e publikimit ishte se unë dola në opozitë dhe si çdo opozitar mendova të kontribuoj për të ndihmuar opozitën për të rrëzuar qeverinë. Më mjaftoi një vit në qeveri për t’u kuptuar se çfarë qeverie kishim. Disa nga gjërat që unë kam bërë dhe kam thënë kanë sjellë burgosje njerëzish, zhdukje personash, lloj-lloj historish. Por, arsyeja kryesore ishte bërja e drejtësisë dhe ndihmë opozitës për të përmbysur një qeveri që për mua nuk e meriton të qëndronte më në këmbë në Shqipëri, për arsye politike”-tha Prifti. (BW)

 

 

 
Lajme Shqip Monday, 06 February 2012 18:18

Deputeti Dritan Prifti, në një intervistë të gjatë për gazetën Shqip, ka deklaruar se pranonin vendimin e Gjykatës së Lartë për skandalin e videos me Metën dhe se nuk ka ndërmend të merret më me denoncime të tilla.

“Gjyqtarët e njohin ligjin më mirë së unë, dhe jam i detyruar t’i besoj arsyetimit të tyre. Unë e bëra sakrificën time, pavarësisht se i vetëm përballë të gjithëve. Në këto kushte të shtetit ligjor, unë s’kam ndërmend kurrë të merrem me denoncime dhe veprime të tilla,” tha Prifti.

Duke komentuar deklaratat e Spartak Brahos për 187 orë filmime, ai tha se nëse është e vërtetë kjo, atëherë ka një grup mafioz në pushtet që përgjon opozitën.

“Kam dëgjuar Spartak Brahon të deklarojë që ka 187 orë filmime për mua. Po të jetë e vërtetë, kjo është dëshmia më e shëmtuar për ekzistencën e një grupi mafioz në pushtet, që përgjon opozitën dhe deputetët e Kuvendit, në mënyrë të jashtëligjshme dhe pa asnjë mandat. Unë kam dëgjuar për një grup të tillë, që ka blerë në Bari të Italisë pajisje përgjimi ruse dhe që përgjojnë në mënyrë të jashtëligjshme dhe për qëllime mafioze opozitën dhe institucionet e pavarura të këtij vendi,” tha Prifti.

Deputeti ka lëshuar akuza edhe ndaj opozitës për mefshtësi, sidomos pas fakteve të fundit për 21 janarin.

Prifti thotë se opozita ka përfituar nga denoncimet e tij, pasi është rritur politikisht. Prifti thotë se nuk do e lëshojë kurrë mandatin e tij pasi në vend të tij do shkonte në Kuvend Spartak Braho. Në fund ai thotë se shpreson që me Metën të ketë normalitet. “Me Ilir Metën kemi pasur 10 vjet bashkëpunim dhe 1 vit luftë. Shpresoj që e ardhmja të sjellë normalitet,” tha Prifti.

 
Lajme Shqip Friday, 20 January 2012 01:51

Tiranë – Dje në mbrëmjme çështja e video-përgjimeve në Shqipëri mori një trajtë ordinere më një video të publikuar gjatë një emisioni politik ku shfaqej ish-ministri i ekonomisë Dritan Prifti duke ndarë një shumë parash (60 mijë euro) me ish-vartësin e tij Leonard Beqiri më shumë se një përmasat e një skandali të ri në Shqipëri dha krijoji një tymnajë e cila solli me vete qindar pikëpyetje të tjera.

Në videon e servirur nga avokati i Ilir Metës Spartak Braho e cila u soll dhe iu dorëzua drejtuesit të emisioni aty për aty (ose të paktën kështu u shit) shfaqte pamje teksa z.Dritan Prifti vendos objektin e regjistrimit në ambejntet e banesës së tij.

Në një moment në video-regjistrimi shfaqet Prifti në shtëpinë e tij duke pritur ish-zëvendësministrin e Ekonomisë, Leonard Beqiraj, i cili mbërrin aty një çantë me para në dorë.

Mes Dritan Priftit dhe Beqiraj që shfaqet me imazh të retushuar, zhvillohet një bisedë ku në fakt thjeshtë bëhet numërim parash. Beqiraj nxjerr nga çanta 70 mijë euro dhe ia jep z.Prifti i cili numëron eurot bashkë me të.

Avokati i Metës Spartak Braho deklaroi në formë kërcënimi se janë në total rreth 187 orë regjistrime e ndërsa video që doli në publik, është një material i gjatë 20 minuta.

 Video e çuditshme me audio thuajse të padëgjueshme…

 Një tjetër pjesë e dyshimtë për rëndësinë e përmbajtjes së videos është edhe audio e dixhitalizuar dhe e mbytur e cila shoqërohet nga një tik-tak shurdhues i cili bën materialin thuajse jo-domethënës për teleshikuesin e thjeshtë nga ekrani.

Braho pretendon se janë në total rreth 187 orë regjistrime. Kurse duke iu referuar videos që bëri publike, tha se është një përgjim 20 minutësh.
 
Dritan Prifti i e Leonard Beqiri reagojnë me mesazhe telefonil

Prifti: “Do të ishte mirë të jepej me zë kjo video sepse dikush e ka ulur zërin me qëllim. Video është 45 minuta. E kam regjistruar unë dhe të garantoj se s’ka asnjë sekondë korrupsion. Është vetëm diçka private. Është një marrëdhënie biznesi privat mes meje dhe personit. Gjykata e nxori si provë të jashtëligjshme”. Do të doja shumë të isha në studio. Ke zgjedhur panel të njëanshëm”.

“Jam Leonard Beqiraj, megjithë konsideratën që kam për ju dhe personin tuaj, dua të them se do ishte nderin tim të isha dhe unë në atë emision, pasi po bëhen shumë akuza të paligjshme. Për respekt të hetimeve dhe publikut duhet ta dini se kjo është një çështje private që s’ka të bëjë me detyrën dhe në ambient privat. Z.Braho nuk thotë se unë jam anëtar i Partisë Socialdemokrate gjermane dhe kryetar në rajonin ku banoj në Gjermani”.

Publikimi i transkriptimit që nuk figuron në video…

Sipas Gazetës Tema që citon burime të saj konfidenciale,videoja e transmetuar nga Spartak Braho është e vjedhur nga tre ekspertët e caktuar nga Gjykata e Lartë për të ekspertuar video-skandalin e Ilir Metës. Ata kërkuan qëllimisht kompjuterin si provë për të bërë ekspertizën dhe kanë kopjuar prej andej gjithë videot dhe materialet private të Dritan Priftit. Videoja e transmetuar është e cunguar dhe spekulative. Videoja e plotë, të cilën gazeta Tema mund ta bëjë publike të transkriptuar dhe nga prokuroria, tregon sesi Ilir Meta u kërkon para cdo  muaj vartësve të vet.  

Ja një pjesë e transkriptuar, që nuk u transmetua:

 Prifti: Nuk kanë ndonjëherë Ministria aty, nga presioni i madh. Me biznese e kupton,. vetëm ti ndihmosh kështu se s’kam ça i bëj më parë s’kam mundësi.

Beqiri: Nuk është kjo rruga, me dëgjo mua.

Prifti: Po t’i thashë o burrë.

Beqiri: Po pse ça të ka thënë?

Prifti: Do përditë o vëlla, përditë nga 100 mijë euro, nga 200 mijë euro.

Beqiri: Jo o burrë, është shumë.

Prifti: Po… ne, ne, ku ti gjejmë! I bi me shit shtëpinë pastaj!.

Beqiri: – Po jo o burrë jo, shiko tani mos, unë nuk besoj, unë të thashë, në fillim unë të thashë një herë, të dola hapur, tani po të them, po të betohem, unë nuk kam bërë absolutisht i kam thënë, po do hajde ulemi ca i kam thënë (Ilirit). (Unë kam thënë,) shiko, ca më ke kërkuar, nja dy gjëra (politike), ato që kam bërë më tepër (kanë qenë) thjesht (konfliktin e) makinës, nuk më është futur në pazare, (i thashë) një herë që vajti (t’i jepje), jo tha ai… (Monika), absolutisht. Për këtë tha, i thashë unë dëgjo: Ka ndonjë gjë që nuk shkon te Tani? Epo s’do merrem me (atë) tha, unë një herë i them tha, kaq. Nuk ka thënë ndonjë (gjë)…………. 

 
Lajme Shqip Wednesday, 18 January 2012 14:45

Tiranë- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim reagoi sot ndaj qëndrimit të djeshëm të Kryesisë së Partisë Socialiste.

“Nëse më pyesni për vendimin e gjykatës ju e dini se rezultati ka qenë edhe më i thellë se sa duhej por ça ti bësh që e vërteta është e kristaltë. Rezultati ishte 5 me 0. E kuptoj shqetësimin e biznesmenit më të ri në sipërmarrjet funerale në Shqipëri, Edin tonë të dashur që përzjeu me ceremonitë mortore edhe disa të rinj që quhen eurosocialistë. Lidhur me shqetësimin e madh të tij që paraqet përmes këtyre të rinjve që i përdor në ceremoni të rënda e të papranueshme. Meqe mu dha rasti të takoj mikun tim të dashur Met Veliu dhe para pak ditësh hëngra një dreke me Filip Çakullin, dua vërtet nëse Edi do transparencë dhe nëse Edi është interesuar të ballafaqohet me shqiptarët dhe ndërkombëtarët lidhur me atë që e quan vdekja e drejtësisë, presion ndaj gjykatave dhe prokurorëve, apo edhe më tej, unë e ftoj që duke nisur nga sot nëse zoti Filip Çakulli na bën favor në emisionin Fiks Fare bashkë me Edin të dalim para shqiptarëve dhe ai natyrisht le të ketë orë sa të dojë në dispozicion për të folur e dhënë prova”, theksoi Meta.

Më tutje kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim ftoi Ramën të paraqesë fakte e dokumente për kapjen e Gjykatës së Lartë.

“Unë e siguroj atë dhe ju se do ta dëgjoj me respekt dhe vëmendje duke besuar se vërtet është i shqetësuar për këtë që po ndodh. Unë dua vetëm 2 minuta kohë për të transmetuar diçka në video dhe audio meqe Edi na futi video-politikën, për të parë vërtet se kush ndërhyn tek prokuroria dhe gjyqtarët për qëllime politike. Kjo bëhet në emër të transparencës. Sa për biznesin e ri të funeraleve nuk është normale dhe njerëzore të cim në këtë drejtim. Përpara se të vazhdojë me këtë lloj biznesi do të ishte shumë mirë që miku im Edi të kërkonte falje për gjendjen që i la varrezat në Tiranë”, theksoi Meta.

 
Lajme Shqip Wednesday, 18 January 2012 11:30

Tiranë- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) dhe ish-kryeministri Ilir Meta, gjatë një emisioni televiziv të martën në mbrëmje, komentoi vendimin më të fundit të Gjykatës së Lartë, për çështjen e videopërgjimit, ndërsa hodhi akuza se prapa saj fshihet kryetari i PS-së, Edi Rama. 

Meta tha se prokuroria qëllimisht nuk po e heton videon ku Dritan Prifti merr 70 mijë euro.

“Ekspertët amerikanë gjetën një video tjetër tek ora e atij që më përgjoi mua. Çështja e Priftit që po bëhet sikur po hetohet, ka një presion të jashtëzakonshëm që kjo gjë të mos hetohet nga prokuroria. Video ku u shfaqa unë u regjistrua për qëllime shantazhi, Prifti është një viktimë, është i përdorur në këtë proces dhe pas tij fshihet lideri i opozitës(Edi Rama)”, tha Meta.

Ai u shpreh i kënaqur me vendimin unanim të Gjykatës së Lartë, që e shpalli atë të pafajshëm ndaj akuzave  për korrupsion të ngritura nga ish-ministri i Energjetikës, Dritan Prifti. “Mendoj se ky rezultat flet shumë qartë dhe pastër dhe vë pikëpyetje të tmerrshme mbi organin e akuzës”, u shpreh Meta.

Ndërkohë, kreu i LSI-së shprehu shqetësim për atë që ai e quajti standard të dyfishtë të prokurorisë dhe e cilësoi organin e akuzës si problemin më të madh për drejtësinë në vend.

“Më shqetëson që prokuroria ka standard të dyfishtë. Nga procesi që ka ndodhur unë mësova që problemi më i madh për këtë situatë që ne kemi me ligjin, luftën kundër korrupsionit është prokuroria”, tha Meta.

Lidhur me debatin për Presidentin ai tha se LSI gjykon se Kreu i shtetit duhet të zgjidhet sipas Kushtetuës dhe të jetë sa më konsensual. “Sa për emrin është tepër herët. Ka shumë individë të spikatur. Ne kemi një marrëveshje me PD-në dhe nuk bëhemi pjesë e spekulimeve, por pjesë e një zgjidhje konstruktive dhe parimore”, u shpreh Meta. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 18 January 2012 10:15

Tiranë-Partia Socialiste e konsideron vendimin e Gjykatës së  Lartë të Shqipërisë për dhënien e pafajësisë ish-kryeministrit Ilir Meta si “dëshminë më alarmante të rënies së rendit ligjor dhe shtetit të së drejtës dhe provën përfundimtare të vendosjes së pushtetit gyqësor nën kontrollin e pushtetit politik të qeverisë”. 

Në një deklaratë për shtyp të kryesisë së PS-së, e mbledhur pasditen e së martës, ky vendim i Gjykatës së Lartë konsiderohet “fakti më tronditës i thërrmimit të parimit kushtetues”.

Partia Socialiste e konsideron këtë vendim si “një refuzim i drejtpërdrejtë i tre prioriteteve kyçe të vendosura nga Bashkimi Europian për Shqipërinë: një drejtësi e pavarur e profesionale; luftë kundër korrupsionit në nivelet e larta; luftë kundër krimit të organizuar”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 17 January 2012 08:00

Tiranë- Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, Ilir Meta është shfaqur në studion e televizive ndërsa gjatë intervistës, Ilir Meta ka lëshuar disa deklarata të forta, siç ishte dhe ajo për eleminimin fizik të tij.

“U tentua eliminimi politik dhe moral. U tentua arrestimi im para zgjedhjeve. U kërkua të komunikohej akuza një ditë para zgjedhjeve. U tentua eliminimi i partisë. Dhe pas 8 Majit pati tratativa me killera për eliminimin fizik të Ilir Metës. Janë disa çështje që duhet ti ndjekin disa struktura të tjera”, ka thënëMeta.

Duke folur për videon e skandalit, ku ai shfaqej duke përmendur 700 mijë euro, Meta ka ripërsëritur se ajo ishte e manipuluar. Meta u shpreh se dha dorëheqjen pas shfaqjes jo se ndihej fajtor, por sepse kishte informacion se do të përdorej për dhunë dhe viktima.

“Nuk kisha ndërmend të jepja dorëheqjen sepse e dija se ishte një montazh. Kjo video përdorej për të thënë se është i përgjuar e po bëri këtë do bëjë atë. Këto presione i ka patur edhe kryeministri. I kam thënë vet kryeministrit disa ditë më përpara. I thashë se po më bëhet shantazh dhe se unë nuk e pranoj. Pse dhashë dorëheqjen një natë pasi thashë do vazhdoj punën? Kjo ka të bëjë me arsyet e një informacioni të veçantë që unë kisha nga burime inteligjente ndërkombëtare që ky lloj manipulimi do përdorej për të nxitur dhunë dhe viktima. Që populli u shokua nga korrupsioni dhe ka të drejtën të shpërthejë, ti vërë zjarrin qeverisë dhe gjithë bulevardit”, u shprehMeta.

I pyetur për një video tjetër ku është e regjistruar edhe gruaja e tij Monika Kryemadhi ai tha se “u kam thënë dhe po ju them se çdo qytetar që ka materiale, letra, video, audio e çdo gjë tjetër komprometuese për mua apo për bashkëshorten time t’i çojë në prokurori. Por, nëse ju jeni dakord me këtë lloj morali në politikën shqiptare dhe çdo lloj morali që unë të vij në shtëpi e të përgjoj, të vij në zyrë e të përgjoj, që përgjojmë njëri-tjetrin dhe bëjmë shantazhe atëherë të jeni të sigurtë se moralin e kësaj shoqërie e kemi shumëzuar me zero. Ftoj çdo qytetar që ka të dhëna, fakte, prova e video për Ilir Metën ti çdoj në prokurori. Kushdo që ka për bashkëshorten e Ilir Metës ti çojë në prokurori. Të jeni të sigurtë se gruan time nëse ka shkelur ligjin nuk do ta hedh nga ballkoni e as ti them vdeksh, të përgjigjet para ligjet e të shkojë në burg nëse ka shkelur ligjin”.

Në fund, duke folur për darkën me Berishën tre ditë para vendimit të gjykatës, ai ka thënë se ka qenë vajza e tij që e ka ftuar për darkë Berishën. Kjo, pasi sipas Metës, Berisha i kishte bërë disa komplimente asaj dhe për këtë arsye ajo e ftoi për darkë!

 
Lajme Shqip Monday, 16 January 2012 12:58

Meta: Ligji triumfoi

“Nuk ishte një fitore e Ilir Metës por një demostrim i pastër se në këtë vend e drejta dhe vërteta do të fitojnë gjithmonë mbi mashtrimin, montimin dhe shpifjen”. Kjo ka qenë deklarata e kreut të LSI-së Ilir Meta menjëherë pas vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila në mënyrë unanime pushoi çështjen ndaj tij.

Për Metën ky vendim dëshmoi se shteti triumfoi mbi krimin e organizuar dhe se ky proces, pavarësisht sakrificave, vendosi standarte të reja në politikën dhe drejtësinë shqiptare.

****************************

Tiranë-Kolegji Penal i Kryesuar nga Ardian Dvorani vendosi pas 20 seancash gjyqësore të pushojë çështjen ndaj z. Meta.

Gjyqtarët Ardian Dvorani, Majlinda Andrea, Guxim Zenelaj, Ardiana Fullani dhe Gani Dizdari kanë qenë të të njëjtit mendim për pafajësinë e Metës. Mendim të veçantë mësohet se ka pasur gjyqtari Ardian Dvorani i cili ndryshe nga kolegët e tij ka qenë dakord me pafajësinë, por ka pasur një arsyetim të ndryshëm, për një vendim paralel.

Sipas vendimit shpenzimet e gjyqit do t’i paguajë shteti shqiptar dhe bëhet fjalë për shifrën e 30 milionë lekëve të reja, shpenzime për pagesën e ekspertëve (shqiptarë dhe të huaj) që verifikuan videon.

Vendimi i Kolegjit Penal i Gjykatës së Lartë…

1. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Ilir Meta për akuzën e kryerjes së veprës penale të korrupsionit aktiv të funksionarit të lartë shtetëror ose të të zgjedhurve vendorë e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, pasi fakti nuk provohet se ekziston, bazuar në nenin 288 pika 1 shkronja “a” te Kodit të Procedures Penale.

2. Në bazë të nenit 190 të K.P.P. urdhërohet dorëzimi organit të Prokurorisë të provave materiale vijuese: Orë mikrokamer, kabëll USB, lap-top dhe USB.

3. Shpenzimet procedural penale, duke përfshirë shpërblimin dhe shpenzimet e kryera për aktin e ekspertimit gjatë fazës së shqyrtimit gjyqësor në vlerën 3.592.938, i ngarkohen shtetit.

Tiranë (PLOTESUAR, 16 Dhjetor, 15:40) Gjykata sapo ka shpallur të pafajshëm kreun e LSI-së Ilir Meta.

Vendimi i Gjykatës së Lartë ka qënë unanim, 5 me 0, ndërsa Prokuroria pati kërkuar 2 vite burg e 1 milion lekë gjobë për Ilir Metën.

Ka reaguar avokati mbrojtës i kreut të LSI-së, Ilir Meta,  Spartak Braho i cili kërkoi që të gjithë të respektojnë vendimin e gjykatës.

“Komedia mbaroi, disa do qeshin disa do qajnë”-tha Braho. Ndërkohë në selinë e LSI-së ka shpërthyer festa.

Vendimi i pritshëm, ja pse!…

Nuk është se kishte shumë dyshime për këtë. Ilir Meta është shpalluar i pafajshëm nga Gjykata e Lartë e cila ka vendosur se provat e paraqitura nga Prokuroria e Përgjithshme kryesisht përmes videos ku ish-zëvendëskryeministri Meta shfaqej duke i imponuar favore korruptive, ish-deputetit të tij dhe ish-ministrit të ekonomisë Dritan Prifti.

Mbi 6 muaj vlerësime, gjykime dhe dëgjim dëshmitarësh nga ana e Gjykatës së Lartë dhe paraqitjes së fakteve nga ana e Prokurorisë, ajo që e ka shpëtuar Ilir Metën ka qenë vlerësimi i 3 ekspertëve shqiptarë të cilët me programe të shkarkuara nga internet arritën të vlerësonin në mënyrë të paqartë se video ku Meta shfaqej duke kërkuar favore korruptive ishte e prekur, por kurrë, nuk u tha se ajo video nuk ishte origjinale.

Por jo vetëm, më herët gjykata hodhi poshtë edhe ekespertën ndërkombëtare që i dhanë vulën e vërtetësisë kësaj video e cila konsiderohet si një nga faktet më kokëforta të modelit të korrupsionit në qeverisjen aktuale.

Por si për të t’i paralajmëruar këtë vendim të dyshimtë të Gjykatës së Lartë, ka rënë në sy edhe dy takime të njëpasnjëshme në 4 ditët e fundit mes kryeministrit Sali Berisha dhe ish-kryeministri Meta në shtëpinë e këtij të fundit dhe takimi demonstrative dy ditë më parë një vend publik mes Berishës-Metës dhe kryebashkiakut aktual Lulzim Basha. Pavarësisht të gjithave, Prokuroria kërkoi 2 vjet burg dhe 1 milionë lek gjobë për Ilir Metën.

**********************************

Në orën 13:00, Ilir Meta ka mbërritur në selinë e partisë së tij nga ku do të presë vendimin e sotëm të gjykatës së Lartë e cila do të japë vendimin për video-përgjimin Meta –Prifti.

(Në foto. Ilir Meta në vilën e tij në Gjirin e Lalzit)

Kujtohjmë që prokuroria ka kërkuar 2 vjet burg për ish-zëvendëskryeministrin Ilir Meta për korrupsion.

 Ina Rama kërkon drejtësi

 Në lidhje me video-përgjimin Meta-Prifti numri 1 i Prokurorisë së Përgjithshme tha se tashmë organi i akuzës e ka dhënë pretencën.

 Pak orë para se Gjykata e Lartë të japë vendimin përfundimtar për këtë cështje, Ina Rama kërkon një vendim të drejtë të gjyqësorit.

 “Cështja është në dorën e Gjykatës së Lartë, presim që të japë drejtësi”, komentoi ajo.

12