Lajme Shqip Sunday, 20 October 2013 16:14

Prishtinë- Pas deklaratës së kreut të Vetëvendosjes të bërë të shtunën rreth vizitës së kryeministrit serb në Kosovë, sot nëpërmjet një komunikate ka reaguar edhe vetë subjekti politik Vetëvendosje. Në deklaratën – reagim të VV-së thuhet:

Marrëveshja e 19 prillit dhe negociatat pararendëse tashmë e kanë bërë të dukshëm qëllimin përfundimtar të tyre. Atë që Lëvizja Vetëvendosje! e kishte bërë të dukshme përmes panos të shfaqur në sallën e Kuvendit kur po miratohej rezoluta për negociatat me Serbinë në tetor të viti 2012 – ajo Rezolutë e fillonte procesin e nënshtrimit politik të Kosovës ndaj Serbisë, nënshtrim ky që mori formë gjatë negociatave dhe u kurorëzua me Marrëveshjen e 19 prillit dhe ratifikimin e saj në Kuvend. 

Ky nënshtrim ndaj Serbisë do të kishte i pamundur po të mos nënshtroheshin paraprakisht dhe pafundësisht Hashim Thaçi si kryeministër dhe Isa Mustafa e Ramush Haradinaj si kryetar të partive të opozitës të cilët e ndihmuan Thaçin në këtë proces nënshtrimi. Daçiqit për në Kosovë ja kanë prerë biletën këta të tre. 

Ardhja e Daçiqit në Kosovë përbën aktin përfundimtar të një drame të turpshme politike të Thaçit, i cili tash e një vit nuk është marrë me asgjë tjetër përveç me akomodimin e kërkesave të Serbisë në Kosovë. Ai ia krijoi Serbisë Asociacionin autonom territorial, ia formalizoi pushtetin Serbisë përmbi këtë Asociacion përmes legalizimit dhe amnistimit të strukturave ilegale okupuese të saj; ia ndau buxhetin nga paratë publike të Kosovës për ta financuar këtë pushtet të Serbisë; e hoqi emërtimin Republikë dhe stemën institucionale nga dokumentet zyrtare; ia mundësoi Serbisë rritjen artificiale të votuesve pa kurrfarë dokumenti dhe baze ligjore. Dhe për ta përmbyllur ia hapi derën Daçiqit që të vijë në Kosovë për t’i bindur serbët të votojnë për pushtetin e Serbisë. 

Duke e ndihmuar Daçiqin Thaçi po e ndihmon veten. Vetëm kështu ai mund t’ia zgjas jetën institucionale vetes dhe pronto klikës së tij. Duke e ndihmuar Thaçin për ta ndihmuar Daçiqin, Mustafa dhe Haradinaj po e ndihmojnë njëkohësisht Daçiqin dhe pushtetin e Thaçit dhe pronto klikës së tij, thuhet në fund të deklaratës së Vetëvendosjes./koha/

 
Lajme Shqip Monday, 30 September 2013 14:32

Prishtinë- Subjekti politik Partia e Fortë i ka dhuruar një donacion modest por domethënës Lëvizjës Vetëvendosje për ta mbështetur këtë të fundit financiarisht në fushatën e saj zgjedhore. 

Partia e Fortë vlerëson se gara zgjedhore duhet të jetë sa më e barabartë dhe ndien si obligim që të japë kontributin e saj për çdo subjekt tjetër politik i cili mund të jetë në disavantazh financiar.

“Rëndësia e fushatës parazgjedhore është tejet e madhe dhe ne e dimë më së miri se sa e kushtueshme është ajo. Qytetarët nuk janë në gjendje që vetë ta vlerësojnë punën e një subjekti politik andaj edhe është e nevojshme që, duke filluar nga një muaj para zgjedhjeve, atyre t’u reklamohen të gjitha mundësitë e votimit dhe premtimet e subjekteve politike”- thotë Asdren Jonuzi, përfaqësuesi financiar i Partisë së Fortë. “Veprat janë ato që flasin, mirëpo më së shumti flet fushata elektorale”-shtoi Jonuzi.

Pasi që ende nuk është ndarë buxheti nga Fondi për mbështetjen e subjekteve politike për fushatën zgjedhore, subjektet politike që marrin pjesë në zgjedhje duhet të bazohen vetëm tek buxhetet e tyre ekzistuese.

“Besojmë që kontributi ynë prej 10 eurosh do të jetë një ndihmesë e madhe që edhe ky subjekt politik të jetë sa më i barabartë me ne të tjerët në mbushjen e mendjës së qytetarëve në kërkim të votës së tyre”-thekson Jonuzi.

Partia e Fortë beson në parimet demokratike dhe angazhohet që çdo proces zgjedhor të jetë i pasur me premtime sa më të larmishme të të gjitha subjekteve politike ashtu që qytetarëve të u duket se kanë më shumë zgjedhje.

 
Lajme Shqip Thursday, 15 August 2013 17:12


Prishtinë – Lëvizja për Bashkim e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se është parti politike e pandershme sikur krejt të tjerat që për të ardhur në pushte nuk zgjedh mjete.
“Gjithashtu, LB konsideron se loja e deritashme e “qengjit të butë” nga Lëvizja Vetëvendosje! ndaj KQZ-së dhe shndërrimi në ujk tani kur pjesën dërrmuese të mjeteve i ka përvetësuar, është edhe një fakt se VV nuk është një organizatë e ndershme, siç përpiqet të paraqitet në opinion, por është një organizatë politike si shumë të tjera të cilat ajo vetë i akuzon, organizatë që për të arritur në pushtet nuk zgjedh mjete”, thuhet në reagimin e Lëvizjes për Bashkim, të cilën e udhëheq Avni Klinaku.
Lëvizja për Bashkim përsëri ka kërkuar që mjetet të cilat iu ndahen partive politike të mos i merr Lëvizja Vetëvendosje edhe për dy deputetët e saj.
Kjo deklaratë e LB’së vjen pas akuzave të Betim Gjoshit të PDK’së bërë Lëvizjes Vetëvendosje dhe JSL’së së Rada Trajkovicit se në mënyrë të paligjshme po i shfrytëzojnë` të gjitha mjetet për deputetë pavarësisht se disa prej tyre janë të ndarë.
“Megjithëkëtë, shkelja ka vazhduar, madje, me përkrahjen edhe të vetë përfaqësuesit të PDK-së në KQZ, z. Betim Gjoshi. Ne konsiderojmë se është fakt i pakontestueshëm që ndarja e mjeteve për Lëvizjen Vetëvendosje! dhe JSL-në, të cilat nuk janë regjistruar, por vetëm janë certifikuar si iniciativa qytetare, përbën shkelje të rëndë ligjore”, thuhet në reagimin e LB’së.
Sipas kësaj partie, reagimi i Betim Gjoshit në KQZ nuk është bërë për të vendosur rendin dhe ligjin, por për përfitime politike.
“Prandaj, sjellja e përfaqësuesit të PDK-së tregon qartë se motivi i denoncimit të këtij rasti nuk është evitimi i shkeljes së ligjit, por përfitimet në aspektin elektoral apo aspekte të tjera subjektive”, thuhet në reagimin e LB’së./Express/

 
Lajme Shqip Tuesday, 04 June 2013 13:16

Derisa po zhvilloheshin aktivitetet e organizuara në kuadër të Forumit të Miqësisë Kosovë – Mal i Zi, aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje zhvilluan një aksion protestues përmes shpalosjes së një pankarte ku ishte shkruar “Në Mal të Zi shqiptarët shtypen. Kjo nuk është miqësi!”

Gjatë këtij aksioni, aktivistët i shpërndanë të pranishmëve edhe një trakt ku ishin shënuar disa prej shkeljeve të të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, që sipas VV-së, “shqiptarët diskriminohen në punësim, në investime, janë të shpronësuar me dhunë, e kanë trashëgiminë kulturore të pambrojtur, nuk e kanë të drejtën e arsimit në gjuhën shqipe, nuk kanë të drejtë të përdorin lirshëm simbolet kombëtare” etj.

Ndërkohë siç njofton Vetëvendosje, “disa minuta pas shpalosjes së pankartës dhe pas shpërndarjes së traktit, Policia në mënyrë të padrejtë arrestoi katër aktivistë të Lëvizjes të cilët po e mbanin pankartën në dorë. Aktivistët u dërguan në stacionin e Policisë së Kosovës në Graçanicë”

Të arrestuar janë Anita Shabani, Etleva Malushaj, Nora Fetoshi dhe Pajtim Demaj.

 

 
Lajme Shqip Monday, 03 June 2013 21:30

Kryetari i lëvizjës së zëshme opozitare në Kosovë Albin Kurti la të zbrazët formualarin e deklarimit të pasurisë për vitin 2013. Ai   ka deklaruar zero pasuri të luajtshme të paluajtshme si dhe ka raportuar se nuk ka asnjë euro të mbajtura në bankë

Veprim të njejtë politikani opozitarë në Kosovë kishte bërë edhe në dy vitet e kaluara më 2011 e 2012 prej se është bërë zyrtar i lartë publikë si deputet i parlamentit.

Kurti i Vetëvendosjës nuk deklaroi sikur zyrtarët tjerë pasurinë e përbashkët familjare por la të zbrazët formularët.

Lëvizja Vetëvendosje para se të hynte në zgjedhjet e vitit 2010 kishte njoftuar se lideri i saj ka shitur banesën e tij në vlerë prej 70 mijë euro në Prishtinë për të ndihmuar partinë.

Ai në vitin 2011 nuk kishte deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion për transaksionin që kishte bërë dhe sa kishte shitur zyrtarisht banesën.

I vetmi fakt që ka deklaruar Kurti në formularët e deklarimit të pasurisë është paga e tij si deputet që është 17 mijë e 856 euro në vit si dhe një honorar vjetor që merr nga Gazeta Zëri në Prishtinë në vlerë prej 1 mijë e 384 euro.

 

 
Lajme Shqip Thursday, 30 May 2013 15:23

Ministri Rexhepi duke iu përgjgjur pyetjeve parlamentare deklaroi se në fund të hetimeve për skandalin e pasaportave do të merret vesh se ai nuk ka të bëjë me këtë çështje.

Deputeti i Vetëvendosjes Afrim Hoti e pyeti Rexhepin se çfarë ka ndodhur me 1.4 milionet e zhdukura dhe i kërkoi që të jape dorëhehqje.

Shtetasja gjermane Natalie Velija e cila ishte nënkontraktuese në mes të kompanisë austriake OESD që kishte fituar tenderin për prodhimin e pasaportave dhe MPB-së eshte e dyshuara kryesore ne kete rast. Të dyshuar tjerë janë edhe vëllezërit Fisnik dhe Betim Blakaj nga Istogu.

 
Lajme Shqip Wednesday, 29 May 2013 18:41

Qeveria e Kosovës aprovoi të mërkurën planin e zbatimit të marrëveshjës së arritur në Bruksel mes Kosovës e Serbisë dhe e procedojë për miratim në parlamentin e Kosovës.

Vetvëvendosje parlajmëron protestë në ditën kur në Kuvend do të diskutohet për ratifikimin e marrëveshjës.

VV-ja pret nga LDK-ja si forca më e madhe opozitare që të mos e votoj planin e zbatimit të marrëveshjës.

“Rëndësia e LDK-së dhe forcave tjera opozitare vjen edhe rritet për shkak se ratifikimi i kësaj marrëveshje kërkon dy të tretat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, tha Molliqaj në konferencën për shtyp të Vetevendosje.

Deputeti Glauk Konjufca ka thënë se plani i zbatimit e detyron Qeverinë që ti ofrojë amnisti strukturave kriminale serbe në veri.

“Qeveria jonë i ka siguruar se nuk do t’i ndjekë kurrë dhe se ata do të shëtitën të lirë”, ka thënë Konjufca.


 
Lajme Shqip Wednesday, 29 May 2013 11:45

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka konsideruar se ajo dhe kolegët e saj deputetë, nuk meritojnë më shumë se 750 euro pagë në gjendjen aktuale ekonomike të Kosovës, duke pranuar kështu se paga rreth 2 mijë euro që e merr çdo muaj nga buxheti i Kosovës është e tepërt.

Sipas Haxhiut, institucioni i Kuvendit duhet të reflektojë dhe veprojë në bazë të gjendjes sociale në vend.

“Aktualisht paga bazë e një deputeti është 1488 euro, dhe me shtesa të cilat i marrin arrin në 2000 euro dhe kjo është e papranueshme. Prandaj e them që edhe pjesëmarrja në komisione edhe në seanca plenare do duhej të përfshihej në këtë pagë prej 750 eurosh”, ka vlerësuar Haxhiu.

Megjithatë, ajo ka pranuar se organet vendimmarrëse nuk janë të disponuara që t’i bëjnë këto ndryshime, derisa ka premtuar se me Vetëvendosjen në pushtet ulja e pagave për deputet do të jetë prioritet.

Haxhiu është e angazhuar që në ligjin e ri për deputetët të mos lejojë përfshirjen e pensionit suplementar, pasi ka vlerësuar se kjo do të ishte një “dhuratë” për të dhe kolegët e saj

 
Lajme Shqip Thursday, 16 May 2013 11:10

Prishtinë – LDK-ja dhe Vetëvendosja kërkojnë që zgjedhjet lokale të mbahen në vjeshtë. Koha e përshtatshmë për zgjedhje sipas tyre është pjesa e dytë e shtatorit, apo fillimi i tetorit, në mënyrë që të evitohet vjedhja e votave si në zgjedhjet e kaluara. Pikërisht për këtë fakt LDK-ja është e bindur se i humbi zgjedhjet e kaluara.
E për Vetëvendosjen, nëse presidentja Jahjaga nuk e cakton datën e zgjedhjeve deri më 29 maj, atëherë ajo do të bëhet bashkëfajtore në procesin e vjedhjes së votave. Albulena Haxhiu ka thënë se Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet në fuqi përcaktojnë se zgjedhjet duhet të mbahen në mënyrë periodike çdo katër vjet.
Por, shoqëria civile vlerëson se Presidentja po pret takimin e radhës mes kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq në Bruksel, për të shpallur datën e zgjedhjeve lokale. Ndërsa këshilltari i presidentes Atifetet Jahjaga, Arbër Vllahiu, i ka thënë KTV-së se presidentja do ta caktojë datën e zgjedhjeve lokale atëherë kur të përfundojnë të gjitha konsultimet me të gjithë liderët e partive politike.

 
Lajme Shqip Tuesday, 14 May 2013 15:57

Një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje, në përbërjen e Albin Kurtit, kryetar i saj dhe i Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës, Shpend Ahmeti, nënkryetar i parë, Visar Ymeri, deputet dhe kryetar i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës, Florin Krasniqi, deputet i kësaj lëvizjeje dhe Boiken Abazi, koordinator i sekretariateve në Lëvizje, do të qëndrojnë për një vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke filluar nga data 24 maj, u njoftua përmes një komunikate.

Gjatë qëndrimit në SHBA ky delegacion do zhvillojë takime me përfaqësues dhe organizata të shtetit dhe me komunitetin shqiptaro-amerikan në SHBA. Anëtarët e tij do t’i informojnë mikpritësit me situatën aktuale ekonomiko-politike në Kosovë.

 Sipas komunikatës, delegacioni do të qëndrojë në Washington DC, New York, Boston, Detroit, Chicago dhe Dallas.

 Albin Kurti është i ftuar në cilësinë e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës për t’i mbajtur disa ligjërata në disa organizata në SHBA, dhe po ashtu në këtë cilësi do të zhvillojë edhe takime me kongresmenë e përfaqësues të tjerë të shtetit amerikan.