Lajme Shqip Tuesday, 04 June 2013 13:47

Prishtinë – Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, sot i kanë dërguar Kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi dhe të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës një kërkesë për rishikimin e mandatit të EULEX-it.

Në kërkesë thuhet: “Kërkojmë nga ju, që sipas ligjit dhe rregulloreve në fuqi, të merrni iniciativën, që të thirrni sa më shpejt, një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku do të rishikohet mandati i EULEX-it”.

Arsyetimi i kësaj kërkese është përmbledhur në 5 pika kryesore, ndërsa është dhënë dhe një përmbledhje kronologjike e krimeve të kryera nga forcat e armatosura të RF të Jugosllavisë (Serbisë), gjatë luftës çlirmtare në Kosovë 1998-1999. Gjithashtu, janë përmendur rastet kur janë shuar familje të tëra, ku forcat jugosllave (serbe) nuk kanë kursyer as rreth 1000 fëmijë.

Në fund të kërkesës thuhet: “Por ky mision, duke anashkaluar vrasjet masive të shqiptarëve, të kryera nga forcat ushtarake e policore serbe, ka argumentuar që ka vetëm një detyrë në Kosovë: Shkeljen e vlerave të luftës, njollosjen e luftës së pastër të UÇK-së, baltosjen e figurave emblematike, Heronjëve dhe Dëshmorëve të Kombit, e të gjitha këto, për t’i ndihmuar Serbisë në luftën kundër Kosovës, luftë të cilën e humbi në betejë. Nga veprimet e EULEX-it, janë prekur të gjithë banorët liridashës të Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare, e në veçanti: Familjet e Dëshmorëve, Invalidët dhe Veteranët e Luftës. Kemi të bëjmë me një ofendim, nënçmim dhe shkelje të dinjitetit nga EULEX-it, ndaj tërë popullit shqipëtar, masë e cila ka kapacitete që të destabilizojë gjendjen, deri në shkallën më të lartë. Andaj, kërkojmë nga ju që të reflektoni në bazë të kompetencave që keni si deputetë dhe besimit që keni marë nga qytetarët. Duke pritur një veprim konkret nga ju, ne do vazhdojmë me aktivitetet tona të tjera, në mbrotje të vlerave të luftës sonë çlirimtare”, përfundon citati.

Vlen të ceket se kërkesa ka shkuar tek të gjithë deputetët pa asnjë përjashtim, me qëllim që secili të ketë mundësi të informohet me kërkesën e Organizatave të Luftës, si dhe të ketë mundësi të marë iniciativën për seancën e jashtëzakonshme që kërkohet, për rishikimin e mandatit të EULEX-it.

 
Lajme Shqip Monday, 27 May 2013 15:52

Qeveria dhe institucionet e vendit, besojnë në drejtësinë dhe pafajësinë e komandantëve dhe ushtarëve të UÇK-së, deklaroi sot kryeministri i Kosoves Hashim Thaçi.

“Ne kemi prezantuar qëndrimin e Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve. Ne besojmë në drejtësinë por dhe në pafajësinë e komandantëve dhe luftëtarëve të UÇK-së”, tha ai.

Ndërkaq sot në sheshin Nënë Tereza mijëra qytetarë protestuan për lirimin e tyre dhe kërkuan rishqyrtimin e mandatit të EULEX-it.

 
Lajme Shqip Friday, 24 May 2013 10:20


Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Sylejman Selimi pritet të paraqitet sot në seancën e procedurës paraprake ku një gjykatës i EULEX-it pritet të marrë vendim nëse ambasadorit Selimi do t’i shqiptohet masa e paraburgimit apo do të lihet i lirë.
Seanca gjyqësore do të mbahet në ora 15:00 dhe bashkë me ambasadorin do të paraqiten edhe Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Jahir Demaku, Zeqir Demaku e Hysni Thaçi, të cilët janë ndaluar në mbajtje nga EULEX-i. 
Grupi i Drenicës akuzohet për krime lufte për veprat-torturim, arrestime e trajtim çnjerëzor.

 
Lajme Shqip Thursday, 23 May 2013 10:54

Kryesuesi i Bashkësisë Islame të Kosovës Naim Tërrnava,  ka aplikuar për  statusin e veteranit të luftës së UÇK-së. Me të kanë aplikuar edhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij, raporoton “Koha Ditore”.

Sipas myftiut Tërnava, për të marrë statusin  e veteranit të luftës, është i mjaftueshëm edhe  kontributi i dhënë në luftë duke dhuruar disa mijëra marka e ndihma ushqimore dhe sanitare për refugjatët shqiptarë në zona të ndryshme të luftës.

Tërnava pohon se ka lobuar për të marrë statusin, dhe se ka takuar kryetarin e Komisionit për verifikimin e veteranëve të UÇK-së, Agim Çeku. Myftiu pohon se eprorë ka pasur Sylejman Selimin, Sami Lushtakun, Rrustem Mustafën, Kadri Kastratin etj. Këtë kontribut e ka dhënë nga 6 marsi 1998 deri më 13 qershor 1999.

Në atë periudhë kryetar i Bashkësisë Islame ka qenë Rexhep Boja, i cili i ka këshilluar kolegët e tij hoxhallarë që të mos bëjnë një gjë të tillë.

Por sikur Tërnava për veteran ka aplikuar edhe kryeimami Sabri Bajgora, si dhe komplet kryesia.