12
 
Lajme Shqip Monday, 17 December 2012 15:53

PRISHTINE – Pjesëtarët e Policisë së EULEX-it i kanë penguar biznesmenët nga veriu i Kosovës që të bllokojnë pikëkalimin kufitar të Jarinjës, raportojnë mediat e Beogradit.

Ata kishin paralajmëruar ta bënin bllokimin në shenjë pakënaqësie përse nuk po zbatohet Marrëveshja për menaxhimin e integruar të pikëkalimeve, IBM. Policia e EULEX-it, e pajisur me mjetet komplete për shpërndarjen e demonstratave, në orën dhjetë bllokoi komunikacionin në Jarinjë, nga ana e Kosovës.

Sipas informatave, policia e EULEX-it vendosi tela me gjemba në rrugën Leposaviq – Rashkë dhe vendosi pengesa të tjera. Siç raporton KiM radio, në anën tjetër të telave gjembor ishin mbledhur disa qindra serbë.

Në Jarinjë, njoftohet se ndodhen pjesëtarët e Policisë së EULEX-it dhe të KFOR-it me mjete të blinduara dhe topa uji e gaz lotsjellës. Bllokada ishte paralajmëruar të zgjaste nga ora 10:00-12:00. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 04 December 2012 13:50

Prishtinë –  Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e dënon ashpër dhunën dhe dëmtimin e objekteve në vendkalimin kufitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në Jarinjë, nga një grup i qytetarëve të dhunshëm serbë.

Dëmtimi i objekteve kufitare dhe dhuna e ushtruar nga grupe të caktuara, që e pengojnë vendosjen e rendit dhe ligjit, është e papranueshme dhe nuk i kontribuon normalizimit të situatës në komunat në veri të Kosovës.

Presidentja Jahjaga thekson se kjo dhunë çon drejt përshkallëzimit të situatës dhe dëmton përpjekjet e institucioneve të vendit dhe atyre ndërkombëtare për të vendosur rendin dhe ligjin dhe për të garantuar një jetë normale për qytetarët që jetojnë atje.

Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM), ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, garanton stabilitet për të dyja shtetet, fuqizon sundimin e rendit dhe të ligjit në vendkalimet kufitare si dhe ndihmon në normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore. Kjo marrëveshje siguron qarkullimin e lirë të mallrave në përputhje me normat ndërkombëtare.

Presidentja Jahjaga vlerëson se marrëveshjet e arritura ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të ndërmjetësuara nga BE-ja dhe të përkrahura fuqishëm nga SHBA-ja, duhet të zbatohen, sepse ato ndihmojnë në lehtësimin e jetës së qytetarëve në të dyja anët e kufirit.

Presidentja Jahjaga i bën thirrje Republikës së Serbisë që të shuajë strukturat ilegale në komunat në veri të territorit të Republikës së Kosovës, të cilat po e mbajnë peng jetën e qytetarëve atje.    Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, kërkon nga institucionet e sigurisë rivendosjen e rendit dhe të ligjit në vendkalimet kufitare për zbatimin e Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit. Zyra per informin e presidentes se Republikes.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 19 June 2012 12:03

Prishtinë (PLOTESUAR 17:00)- Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dënon sulmin ndaj trupave paqeruajtëse të NATO-s, në afërsi të fshatit Bërnjak, komuna e Zubin Potokut, me ç’rast u lëndua një ushtar i kësaj force.

Presidentja Jahjaga vlerëson se sulmi ndaj paqeruajtësve të KFOR-it është i papranueshëm dhe i patolerueshëm dhe në kundërshtim të plotë me misionin e forcës paqeruajtëse për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt në Kosovë, për të gjithë qytetarët e saj. Presidentja e Republikës së Kosovës mbështet fuqishëm aksionin e forcave paqeruajtëse të NATO-s për heqjen e barrikadave, zhbllokimin e rrugëve dhe vendosjen e rendit dhe ligjit në mënyrë që qytetarët e komunave në veri të territorit të Kosovës të gëzojnë të drejtat e tyre.

Tiranë – Ministria e Punëve të Jashtme dënon ashpër sulmet e përsëritura ndaj forcave paqeruajtëse të KFOR-it, në pikën e kalimit kufitar në Bërnjak, në veri të Kosovës.
MPJ, nëpërmjet një deklarate për shtyp, shpreh mbështetjen e saj të plotë ndaj trupave të KFOR-it, të cilët, “në zbatim të misionit dhe mandatit të tyre për të siguruar lirinë e lëvizjes edhe në veri të vendit, kanë ndërmarrë operacione për heqjen e barrikadave dhe mbylljen e kalimeve kufitare të paligjshme”.

MPJ përshëndet gjithashtu thirrjet e Qeverisë së Kosovës drejtuar qytetarëve të saj për të ruajtur qetësinë dhe për t’u bërë pjesë e institucioneve demokratike e kushtetuese të Republikës së Kosovës, në të mirë të zhvillimit të vendit të tyre. (LajmeShqip.com)

************************************

Prishtinë (PLOTESUAR 13:15)- Lëvizja e qytetarëve dhe automjeteve në pikën kufitare Bërnjak në veri të Kosovës, pas sulmit me granata në kampin e KFOR-it, me ç’rast një ushtar i KFOR-it është plagosur  është normalizuar sërish, bëjnë të ditur burimet e portalit.

Sipas këtyre burimeve, të martën është shtuar dukshëm numri i ushtarëve në afërsi të Bërnjakut, ndërsa KFOR-i ka ngritur shkallën e gatishmërisë në nivelin më të lartë. “Prezencë e shtuar e KFOR-it dhe shkallë e lartë e gatishmërisë vërehet edhe në Jarinjë”, kanë thënë burimet, duke shtuar se situatë të ngjashme KFOR-i është duke aplikuar pothuajse në tërë territorin e veriut të Kosovës.

Në kohën kur po raportojmë, në Mitrovicë vërehen helikopterë të KFOR-it duke vëzhguar situatën nga ajri. Ndryshe, pas sulmit me granata që ka ndodhur të martën rreth orës 4:00 të mëngjesit në Bërnjak, KFOR-i pati bllokuar tërësisht këtë pikë kufitare për qarkullim. (LajmeShqip.com)

***********************************

Prishtinë (PLOTESUAR 12:45)- Qeveria e Republikës së Kosovës dënoi sot  ashpër sulmin me granatë dore ndaj KFOR-it, që ndodhi sot në mëngjes në vendkalimin kufitar në Bërnjak, si pasojë e të cilit u lëndua një ushtar i KFOR-it.

“Ky sulm i radhës mbi forcat paqëruajtëse të KFOR-it, që bëhet nga strukturat kriminale në veriun e Kosovës, është i dënueshëm nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, gjithashtu Qeveria e Kosovës i jep mbështetje të plotë KFOR-it në përmbushjen e misionit të tij për sigurimin e lëvizjes së lirë edhe në atë pjesë të territorit të Kosovës. (LajmeShqip.com)

***************************************

Zubin Potok – Persona të panjohur kanë hedhur sot në mëngjes rreth orës katër dy bomba dore në pikëkalimin kufitar Bërnjak, afër Zubin Potokut.

Mediet serbe njoftojnë se njëra bombë ka shpërthyer e tjetra jo. Bombat janë prodhim serb M75. sipas këtyre burimeve është plagosur një ushtar francez, por pa rrezik jete.

Njoftohet po ashtu se  bombën pashpërthyer  e kanë shkatërruar ushtarët e KFOR-it.

Ushtarët e kontingjentit francez të KFOR-it e kanë mbajtur të bllokuar drejtimin rrugor Mitrovic-Rribariq derisa nuk është bërë shpërthimi i kontrolluar i bombës.

Njoftohet po ashtu se pikëkalimi Bërnjak është hapur për komunikacion. Zëdhënësi rajonal i policisë së Kosovës, Sali Mehmeti ka konfirmuar hedhjen e bombave bë Bërnjak dhe fillimin e hetimeve.  Të shtunën KFOR-i mbylli rrugët alternative rreth Bërnjakut. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 05 June 2012 14:52

Prishtinë – Zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi tha për R.E.L se “Bllokimi i rrugëve, sulmi ndaj zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe ushtarëve të KFOR-it, si dhe nxitja e drejtpërdrejtë apo e tërthortë për dhunë, janë vepra të paligjshme dhe si të tilla, mund të shpijnë deri tek arrestimi apo ndjekja penale e personave të përfshirë”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi.

  “EULEX-i dëshiron ta bëjë të qartë se sundimi i ligjit duhet të mbizotërojë dhe se kërcënimet dhe dhuna janë vepra të kriminelëve. E kriminelët do të hetohen dhe aty ku ka prova të mjaftueshme, do të sillen para drejtësisë”, ka shtuar ai.

Me këtë rast, misioni i EULEX-it i ka rikujtuar të gjithë se “duhet të ketë liri të lëvizjes të pakushtëzuar në gjithë territorin e Kosovës e veçanërisht në veri”.

Reagimi i EULEX-it ka pasuar një vendim të të ashtuquajturit Shtabi i Emergjencës në veri të Mitrovicës, i udhëhequr nga strukturat paralele serbe sipas të cilit, EULEX-it i ndalohet të lëvizë lirshëm në veri të Mitrovicës. “Çdo përpjekje të dhunshme për të kaluar përmes qytetit ose për të hequr barrikadat, do ta konsiderojmë si agresion të hapur, ndërsa përgjegjësinë për pasojat e mundshme do ta bartin ata që fillojnë veprime të tilla”, thuhet në vendimet e shtabit.

Ky organ kishte vendosur që ta kthejë si të detyrueshme kujdestarinë në barrikada për të gjithë qytetarët, për shkak të siç thuhet, kërcënimit të sigurisë dhe pronës. Në vendimet e këtij organi paralel thuhet se ndalohet bartja dhe përdorimi i armëve të zjarrit, ndërsa në rast të rrezikut, lëshimi i sirenave nënkupton se të gjitha dyqanet duhet të mbyllen menjëherë.

Kurse, për qytetarët që pranojnë të punojnë në zyrën administrative të Qeverisë së Kosovës në veri, thuhet se “do të sanksionohen” sipas ligjeve të Serbisë. Të premten, dy ushtarë të KFOR-it dhe të paktën tre serbë lokalë janë plagosur gjatë aksionit të Forcës Paqeruajtëse për heqjen e barrikadave në Rudarë afër Zveçanit.

Lidhur me situatën aktuale në veri, për Radion Evropa e Lirë është prononcuar edhe zëdhënësi i KFOR-it, Dan Harvi. “Aktualisht, situata është e qetë. KFOR-i inkurajon të gjithë njerëzit e përgjegjshëm që të mos bëjnë deklarata nxitëse dhe që me mendjet e tyre të veprojnë në mënyrë paqësore”, ka thënë zëdhënësi Dan Harvi.  (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 05 June 2012 07:05

Bruksel – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen ka shprehur lavdata në Bruksel për ushtarët e KFOR-it dhe mënyrën se si e kanë zhvilluar operacionin e heqjes së barrikadave në javën e kaluar në veri të Kosovës.

Duke folur për konfrontimin e ushtarëve të KFOR-it me radikalët serbë Rasmussen ka thënë se “trupat tona kanë vepruar në vetëmbrojtje”.

Ai ka siguruar se KFOR-i do të zbatojë mandatin për të ofruar liri të lëvizjes për të gjithë, transmeton REL. Të premten, dy ushtarë të KFOR-it dhe të paktën tre serbë lokalë janë plagosur gjatë aksionit të Forcës Paqeruajtëse për heqjen e barrikadave në Rudarë afër Zveçanit.

Aksioni për heqjen e barrikadave në rrugë të vendosura nga serbët e veriut është përcjellë me tensione. Njësitë e KFOR-it kanë përdorur makinerinë e rëndë dhe ekskavatorët me qëllim të heqjes së barrikadës në Rudarë.

Por, me të nisur aksionin, strukturat paralele të pushtetit serb kishin lëshuar alarmet, me çka i sinjalizuan banorët serbë që të dalin në mbrojtje të barrikadës së ngritur. Për heqjen e barrikadës në Rudarë, KFOR-i është detyruar të përdorë edhe gazin lotsjellës për shpërndarjen e turmës së njerëzve të revoltuar. Me rritjen e tensioneve, KFOR-i ka përfshirë në aksion edhe helikopterët.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 04 June 2012 17:00

Prishtinë – Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi pas mbledhjës së Kryesise se Kuvendit të Kosovës vlersoi  pozitivisht largimin e barikadave nëpër rrugët në veri të vendit nga forcat e KFOR-it. Ai tha se qytetarëve të vendit duhet tu garantohet liria e lëvizjës. Me këtë rast edhe qeveria ka marrë një iniciativ pozitive për zgjidhjen e problemit në veri tha Krasniqi.

Qeveria realisht ka marë një iniciativ për formimin e një zgjidhjeje pozitive dhe është në përpjekje që hap pas hapi të zbatohet dokumenti gjithëpërfshirës i dokumentit të Ahtisarit. Kosova duhet të bisedoj me të gjithë qytetarët dhe të përpiqet të ngrijë kualitetin e jetës së tyre në çdo pjesë të Kosovës.

I pyetur se a është kundër përfshirjes së Beogradit në dialogun e Qeverisë së Kosovës me serbët e veriut, Krasniqi ka thënë se nuk ka ndonjë informacion të tillë, përveç asaj që është shkruar në media. Kryetari Krasniqi ka sugjeruar edhe politikën kosovare që të ketë kujdes me politikën serbe, pasi kjo politikë e Serbisë gjithnjë ka prodhuar dhunë.

Krasniqi ka thënë se komunitetit ndërkombëtar, në mënyrë të veçantë Brukseli, duhet të ketë një komunikim më të ashpër që të detyrojë Beogradin të shpërbëjë strukturat paralele. Seanca e radhës e Kuvendit të mbahet të enjten, më 7 qershor. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 04 June 2012 13:49

Mitrovicë – Ish-administratori rajonal i UNMIK-ut në Mitrovicë, Xherard Galluçi, ka thënë se aksioni i KFOR-it në Rudarë të Zveçanit paraqet sulm ndaj paqes dhe sigurisë, që “është edhe në kundërshtim me rolin e forcës paqeruajtëse”.

“Barrikadat nuk lëndojnë askënd, ndërsa banorëve lokalë u japin ndjenjën e sigurisë në mesin e provokimeve të vazhdueshme të Qeverisë në Prishtinë”, ka thënë Galluçi, raportojnë mediat serbe.

Të premten e kaluar, misioni paqeruajtës i NATO-s ka ndërmarrë aksion për heqjen e barrikadës në fshatin Rudarë, ku edhe ka hasur në rezistencën e serbëve lokalë. Gjatë përleshjeve janë lënduar dy ushtarë të KFOR-it dhe të paktën tre serbë. Galluçi ka thënë se përgjegjës për konfliktin dhe të plagosurit është KFOR-i.

Në vitin 2008, kur ishte administrator rajonal në Mitrovicë, Galluçi pat kritikuar edhe intervenimin e UNMIK-ut dhe të KFOR-it për të liruar objektin e gjykatës së uzurpuar nga serbët në veri. Qëndrimi i tij kishte shkaktuar pakënaqësi te liderët kosovarë. (LajmeShqip.com) 

 
Lajme Shqip Monday, 04 June 2012 12:29

Mitrovicë – Drejtuesit e Komunës së Mitrovicës, kanë përshëndetur largimin e barrikadës në afërsi të Rudarit nga ana e KFOR-it dhe kanë kërkuar që të vazhdohet me largimin e barrikadave të tjera. Kjo u shtrua të hënën në takimin e Komitetit për Siguri që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe ku qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.
 
Nënkryetari i komunës, Riza Haziri, tha se KFOR-i ka bërë një punë të mirë që duhet të vazhdoj. “Barrikadat e vendosura në rrugët e veriut e kanë vështirësuar së tepërmi jetën e qytetarëve atje. Ato janë të papranueshme andaj strukturat e sigurisë nuk duhet të hezitojnë që t’i largojnë ato dhe të krijojnë kushte për liri të lëvizjes”.
 
Ai theksoi se duhet të largohet edhe barrikada në urën e Ibrit, e cila është duke krijuar një imazh të keq dhe të frikshëm. “Barrikada në urën e Ibrit duhet të largohet, meqë është një imazh që ushqen ekstremistët serbë, të cilët duan që situata të jetë sa më kaotike”.
 
Nënkryetari Haziri, ka dënuar sulmin e ekstremistëve serbë kundër KFOR-it, me ç’rast kanë mbetur të plagosur dy ushtarë. Tha se njerëzit që kanë shtënë në drejtim të ushtarëve të KFOR-it janë njerëz të MUP-it dhe kjo dëshmon se të gjitha incidentet atje dirigjohen nga Beogradi.
 
Ndërsa, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se ditëve të fundit e sidomos ditën  që është realizuar aksioni i KFOR-it për largimin e barrikadës në Rudare, ekstremistët serbë kanë qenë shumë  të ashpër edhe me qytetarët serbë që nuk kanë dashur të dalin në rrugë. Tha se ata i kanë rrahur edhe një numër të studentëve serbë që i kanë kundërshtuar urdhrat e tyre.
 
Nexhip  Gashi nga Drejtoria rajonale  e policisë, tha se situata është e qetë. Ai theksoi se në lagjet shumetnike në veri është rritur prania e policisë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 03 June 2012 13:21

Prishtinë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dënuar dhunën kundër KFOR-it dhe EULEX-it të premten në veri të Kosovës, pas reagimit të serbëve lokalë kundër heqjes së një barrikade rrugore në fshatin Rudar, ku të plagosur mbetën dy ushtarë gjermanë.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mark Toner, siç ka transmetuar agjensia Tanjug, ka vënë në dukje se SHBA-ja i ka bërë thirrje  Qeverisë së Serbisë të ndalojë mbështetjen materiale për institucionet paralele në Kosovë.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit ka thënë se SHBA-ja mbështet plotësisht KFOR-in dhe EULEX-in për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të lehtësojë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave në Kosovë, dhe në të dy drejtimet e kufirit Kosovë-Serbi.

“Liria e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave në interes të Kosovës dhe Serbisë, në përputhje me aspiratat evropiane të dy vendeve. Bllokadat e rrugëve, barrikadat dhe dhuna i shërbejnë përkeqësimit të jetës së përditshme të njerëzve në Kosovë dhe pengojnë lëvizjen e lirë”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit. Ai është shprehur se SHBA-ja vazhdon të monitorojë me shumë kujdes zhvillimin e situatës në veri të Kosovës, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të ruajnë qetësinë dhe të përmbahen nga retorika dhe veprimet nxitëse dhe të mundësojnë lirinë e lëvizjes. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 02 June 2012 19:37

Prishtinë– Në një kumtesë dërguar medieve Vetëvendosje thotë se përplasja që ndodhi në datën 1 qershor në veri të Kosovës edhe një herë vë në pah brishtësinë e sigurisë në Kosovë.

Këto ngjarje konfirmojnë edhe një herë qëndrimin  Vetëvendosjes  se Kosova ka nevojë për ushtri të sajën. Vetëvendosje e dënon sulmin e djeshëm kundër forca të KFOR -it dhe kërkon largimin e MUP të Serbisë nga ajo pjesë e vendit.(LajmeShqip.com) 

12