Lajme Shqip Wednesday, 21 November 2012 10:40

Prishtinë – Robby Zocher, është polic gjerman që rrezikon jetën përditë në luftën kundër krimeve të rënda në veri të Kosovës. 

Me një qershor ai ishte në mesin e ushtarëve të Kforit kur nga ana tjetër e barrikadës, serbët shtëne me armë kundër tyre. Vendi ku ai vepron është qyteti kosovar i Mitrovicës, i ndarë në mes nga lumi Ibër. Qytet ky ku ndahen shqiptarët dhe serbët e ku fjala nuk është mjeti i duhur për zgjidhjen e problemeve, por arma. Veriu i Mitrovicës, shkruan Tyringer Allgemajne është vendi i punë së policit Zocher.

Kë më shumë se një vit e gjysmë që ai ndjek kriminelët në këtë pjesë të Kosovës në kuadër të misionit evropian  Euleks. Që nga maji i vitit të kaluar, kur ka marrë detyrën në veri të Kosovës, polici Zoher tregon se ka hetuar 62 raste të krimit. Ai thotë se vjedhja dhe mashtrimi nuk bien në fushëveprimin e tij – objekt i hetimeve për të janë sulmet me armë e granata. Vetëm në javën e fundit ka pasur katër sulme me granata e armë, thotë ai për gazetën gjermane. Nga këto sulme nuk kursehen as makinat e policisë së Kosovës, por as ato të Euleksit. Në shumicën e rasteve, polici Zoher hetimet i kryen në mënyrë interne, vetëm me policë të Euleksit dhe pa pjesëmarrjen e hetuesve vendorë. Ndonëse ka përvojë shuam të gjatë në zbulimin krimeve, kjo nuk arrihet me aq sukses në veri të Kosovës. Ai shprehet e i dëshpëruar sidomos për raste kur krimi zbulohet, identifikohen kryesit e krimit, por ata nuk arrestohen.

Ai nënvizon rastin e vrasjes së policit të Kosovës me 25 korrik të vitit 2011. “Serbët kishin sulmuar konvojin e policisë së Kosovës dhe kishin vrarë një polic të njësisë speciale. Ne kemi shpallur gjashtë fletë – arrestime ndërkombëtare, e përkundër kësaj ende nuk është arrestuar asnjëri nga kriminelët e kërkuar. Personalisht thotë se nuk ka pasur frikë për jetën e  tij. Ai  tregon se ka përvojë pasi ka qenë me misione të ngjashme edhe në Bosnjë e Afganistan dhe se më shumë se gjysmën e viteve të punës i ka kaluar në misione jashtë vendit.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 01 August 2012 19:48

Prishtinë – Forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, u bënë thirrje sot autoriteteve përgjegjëse të ndërhyjnë për të ndaluar bllokadën e paligjshme të lëvizjes së mallrave në pjesën serbe të vendkalimit kufitar verior ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Jarinë.

Nëpërmjet një komunikate për opinion, zyrtarët e këtyre forcave thanë se “për të ruajtur mjedisin e qetë dhe të sigurt, KFOR-i ka vendosur disa pika kontrolli të automjeteve për të ndaluar qarkullimin e mallrave nëpër rrugë të paautorizuara përgjatë vijës administrative kufitare. Aktualisht, KFOR-i nuk ka as mision e as mundësi për t’i kontrolluar automjetet e rënda në pikat e kontrollit të automjeteve. Prandaj, KFOR-i kërkon që trafiku i mallrave të kryhet duke përdorur ekskluzivisht kalimet kufitare të autorizuara”.

Forcat paqeruajtëse, javën e kaluar vendosën të pengojnë lëvizjen e automjeteve të mallrave nëpër rrugët dytësore përreth vendkalimeve kufitare në veri, pasi që një grup serbësh vuri pengesa në rrugë në anën serbe të kufirit për të detyruar automjetet e rënda të kalojnë në rrugë dytësore, me qëllim që siç është thënë, të mos lejohet zhdoganimi i tyre nga autoritetet e Kosovës.

Përfaqësues të serbëve në veri, por edhe në Beograd thanë se me veprimet e tij, KFOR-i po pengon furnizimin e qytetarëve në veri.

Por, forcat e NATO-s thanë se pohimet e tilla janë të pasakta meqë hyrja në Kosovë mund të bëhet lehtësisht nëpërmjet vendkalimeve kufitare.

Zyrtarët e KFOR-it thanë se nuk do të lejojnë asnjë zhvillim në terren i cili kërcënon mjedisin e qetë dhe të sigurt apo që kufizon lirinë e lëvizjes. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 31 October 2011 17:31

Mitrovicë – Sonte pritet të lirohen 15 kamionët e kompanisë EuroKop, për historinë e ndalimit të të cilëve ka raportuar në vazhhdimësi portali LajmeShqip.com. Në fund të shtatorit ishin liruar edhe shoferët e kësaj kompanie, që ishin mbajtur në paraburgim në Kosovë.

Lirimi do të bëhet me urdhër të Prokurorit Komunal të Mitrovicës, pasi që është kryer verifikimi i tyre, përmes Interpolit, ku çdo gjë ka rezultuar në rregull.

Ndërkaq, ër pesë kamionët tjerë, procedurat janë në zhvillim e sipër, ka bërë të ditur avokati mbrojtës i Kompanisë EuroKop, Mahmut Halimi.

Forca të shumta të policisë kanë ardhur në terminalin doganor të Mitrovicës, ku pritet të vijnë shoferët për t’i tërhequr kamionët nga Jugu në Veri.

Ndërkohë, Terminali Doganor ka kërkuar 24 mijë euro kompensim për qëndrimin e këtyre kamionëve në terminal. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 06 October 2011 14:35

Mitrovicë – Ashtu sikurse pati raportuar ekskluzivisht, më 24 shtator, Portali LajmeShqip.com, edhe Policia e Kosovës ka konfirmuar, të enjten, se fati i kamionëve të Euro-Kopit të Serbisë është në duar të policisë evropiane të Interpoolit, nga e cila po pritet raporti. Lajmin ekskluziv mund ta lexoni këtu.

Policia e Kosovës ia ka dorëzuar kërkesën Interpolit për verifikimin e mëtutjeshëm të dokumentacionit të komionëve dhe është në pritje të rezultateve, ka thënë zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.

Sipas tij, janë duke vazhduar ende hetimet në lidhje me rastin e kamionëve të kompanisë Euro-Kop, nga Rashka e Serbisë, të cilët për shkak të hyrjes ilegale në territorin e Kosovës, janë ndaluar më 21 shtator.

Kamionët janë duke u mbajtuar nën përkujdesje në terminalin doganor në jug të Mitrovicës. Ndërsa, hetimet janë në proces, sa i përket xehes që ndodhet në kamionë, nuk ka asnjë problem në lidhje me dokumentacionin e tyre, ka thënë Hoti.

Por, pa marrë parasysh, vendimi që do të merret në lidhje me rastin e kamionëve, xehja duhet t’i kthehet kompanisë Trepça.

“Xehja duhet të kthehet andej prej kah ka ardhur. Kemi pasur një kërkesë nga kompania Trepça, nga Zveçani, për përcjellje të xehes, andaj kësaj kompanie edhe do t’i kthehet ajo”, ka thënë Hoti. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 28 September 2011 21:32

Mitrovicë – Trembëdhjetë shoferët e firmës Euro-Kop nga Rashka, Gjykata e Mitrovicës sot i ka liruar nga paraburgimi dhe ua ka caktuar masën e dëbimit nga Kosova.

Gjykata e Mitrovicës, me seli në Vushtrri, përfundoi gjykimin e 13 shoferëve, të cilët ishin privuar nga liria në terminalin doganor në Mitrovicë para një jave. Gjykata i shpalli ata fajtorë për veprën penale Kalim i paautorizuar i kufirit shtetëror të Kosovës, dhe iu shqiptoi dënime individuale në të holla, në lartësi prej 250 eurosh secilit.

Ndërsa, çështja e kamionëve ka mbetur e ndarë nga ndjekja penale e shoferëve, dhe ajo do të jetë objekt ose i procedurës doganore ose i ndonjë vepre tjetër të mundshme të procedurës penale.

 
Lajme Shqip Saturday, 24 September 2011 17:15

Mitrovicë – 30 ditë paraburgimi për 13 shoferët e kamionëve të kompanisë Euro-Kop nuk janë ndarë rastësisht. Burime të Portalit LajmeShqip.com, brenda hetuesve ndërkombëtarë, bëjnë të ditur se kjo histori është më e thellë se një thyerje e kufirit.

Në hetime rreth kamionëve të kompanisë Euro-Kop, nga Rashka, tanimë është kyçur edhe policia ndërkombëtare, Interpol, kanë njoftuar burime të Portalit LajmeShqip.com.

Burimet gjithashtu bëjnë të ditur se në dokumentacionin e këtyre 20 kamionëve ka shumë pasaktësi, që nga regjistrimi e deri te kontrolli teknik dhe pronësia. Sipas burimeve, kompania Euro-Kop këta komionë i ka marrur në lizing (lloj kredie) nga Raiffaisen Bank, me seli në Novi Sad, dhe për ta deri më tani nuk është paguar asnjë cent, ndërkohë që banka është duke i kërkuar të hollat.


Kamionët e kompanisë Euro-Kop duke kaluar nga Veriu në Jug të Mitrovicës që mabnë targat e Novi Sad (NS 116 ..)  (Foto: LajmeShqip.com – 20.09.2011)

Policia e Kosovës, me sektorët e Krimeve Ekonomike, Autokrimeve, të Krimeve Serioze dhe hetuesit e Policisë Kufitare, është duke i ndjekur hetimet në fusha të ndryshme, për të sqaruar të gjitha dyshimet e mundshme të këtyre kamionëve, që nga dokumentacioni i transportit të koncentratit të xeheve, dokumentacioni i qarkullimit të kamionëve, pronësia dhe përfshirja e tyre e mundshme në vënien e barrikadave në rrugë, në veri të Kosovës.

Sipas burimit, më 15 shtator, në një vend kontrolli teknik në Beograd, është kryer kontrollimi teknik i tyre, ndërsa kamionët e Euro-Kopit ka muaj që janë në Kosovë, edhe pse kufiri me Kosovën dhe Serbinë në Bërnjakë dhe Jarinjë, është mbyllur më 25 korrik. Se dokumentacionet e kamionëve të Euro-Kop janë të falsifikuara, flet edhe fakti se ata kanë pasur targa KV, të qytetit Kralevë të Serbisë, ndërsa tani kanë targa të Novi Sadit, NS. Ndërrimi i targave nga KV në NS është bërë për shkak se këta kamionë, sipas burimeve, janë të kapos së krimit të veriut të Kosovës, Zvonko Veselinoviq, dhe se kanë marrë pjesë në vendosjen e barikadave në veri të Kosovës që nga 25 korriku, kur Policia e Kosovës ka tentuar të marrë kontrollin në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjakë.

Po të mos ishin pronë e Zvonko Veselinoviqit, kamionët e Euro-Kop-it strukturat paralele dhe kriminale serbe, që veprojnë në veri të Kosovës, nuk do t’i kishin lejuar ata që nga veriu të udhëtonin në jug të Mitrovicës dhe Mal të Zi. Këta janë pikërisht kamionët e Zvonko Veselinoviqit, i cili kohë më parë ia ka grabitur në formë reketi pronarit të firmës Euro-Kop, nga Rashka, Mile Gjurashkoviqit dhe Gago çurçiqit. Po këto burime kanë theksuar se hise në këta kamion ka edhe Gorica Gajeviq, ish-zv/kryetar e partisë JUL, që udhëhiqej nga gruaja e diktatorit serb, Sllobodan Millosheviq, Mira Markoviq.

Burimet më tej kanë shtuar se kamionët e Euro-Kop-it, për një kohë të gjatë do të mbesin në terminalin doganorë në jug të Mitrovicës, deri sa të kryehen të gjitha verifikimet.

Në anën tjetër, 13 ngasësve të tyre, Gjykata Komunale e Mitrovicës ua ka shqiptuar nga 30 ditë paraburgim, për shkak të hyrjes ilegale në Kosovë.

Portali LajmeShqip.com kishte raportuar i pari se si kamionët e Zvonko Veselinoviqit, kapos së krimit për veriun e Kosovës, nën përcjellje të Policisë së Kosovës, nga veriu i Mitrovicës kanë kaluar në jug dhe se këta kamionë, që kishin marrë pjesë në bllokimin e rrugëve në veri dhe në bartjen e zhavorrit, janë të kompanisë Euro-Kop, nga Rashka e Serbisë, kurse mbanin targa të Novi Sadit.

Gjithashtu, portali kishte raportuar edhe për detajet tjera të kësaj historie dhe se si Zvonko Veselinoviq i kishte marrë këta kamionë shkaku i fajdeve prej pronarit të firmës Euro-Kop. (LajmeShqip.com)