Lajme Shqip Sunday, 23 February 2014 16:25

Nenad Rikallo, anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, tha sot se përqindja e popullatës që i është përgjigjur ftesës për të dal në votime ditën e diele, është e njëjta me ciklin që u zhvillua më 1 dhjetor.

Ai ka përcjell rezultatet jo-zyrtare, sipas të cilave, deri në orën njëmbëdhjetë 1,548 qytetarë kanë votuar.

Prej këtij numri sipas tij, 1,404 fletëvotime janë të rregullta, kurse 144 janë vota me kusht.

Rikallo ka nënvizuar se vërehet një përgjigje më e mirë e qytetarëve pas orës 12, në qendrat e votimit në Suhadoll, Mahallën e Boshnjakëve dhe tek Përmendorja.

Sipas tij, shqiptarët “po dalin më në numër sesa në zgjedhjet e mëparshme”.

“Meqë është vetëm një komunë në pyetje, ne në KQZ presim që deri në orën 23h të dalim me rezultatet përfunditare”, ka thënë Rikallo.

Ai shtoi se rezultatet e para për partitë politike do të nxirren qysh në orën nëntë të mbrëmjes.

Mbi 28 mijë qytetarë të Mitrovicës së Veriut zgjedhin votojnë sot për të zgjedhur kryetarin e tyre të ardhshëm.

Në garë për të parin e komunës janë katër kandidatë, dy shqiptarë e dy serbë.

Zgjedhjet në këtë qytet të ndarë përmes lumit Ibër, janë duke u mbajtur nën masa e sigurisë së  250 policëve të Kosovës, të mbikëqyrur nga pjesëtarët e misionit evropian, dhe paqeruajtësit e NATO-s.

Zgjedhjet në këtë komunë, po përsëriten për të tretë herë.

Në raundin e parë, procesi zgjedhor u ndërpre për shkak të dhunës në dy qendra të votimit atje, ndërsa në ciklin e dytë, kryetari i zgjedhur, Krstimir Pantiq refuzoi të betohet sipas ligjeve të Kosovës.

Të gjitha qendrat e votimit thuhet se janë hapur me kohë, ndërsa nuk është raportuar për ndonjë parregullsi.