12
 
Lajme Shqip Wednesday, 02 April 2014 11:56

Kater komunat e veriut të Kosovës ende nuk e kanë ndryshuar qëndimin e tyre ndaj shtetit të Kosovës, edhe pse i janë nënshtruar procesit zgjedhor nëntorin e kaluar. Ato përsëri vazhdojnë të lëshojnëdokumente me përmbajtje tërësisht serbe.

Por sikur kjo të mos ishte e mjaftueshme komunat serbe tëveriut edhe komunikimin me institucionet zyrtare në Prishtinë e realizojnë me dokumente ku është mbishkrimi “Republika e Serbisë”.

“Koha Ditore” raporton se e tillë është edhe një shkresë e Komunës së Zubin-Potokut, që mban datën 28 shkurt 2014. Përmes kësaj shkrese me simbole të Serbisë dhe mbishkrimin “Republika e Serbisë”, është kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të zëvendësojë dy anëtarë të Kuvendit të kësaj komune.

 
Lajme Shqip Friday, 14 February 2014 13:07

Kryetari i Gjykatës Themelore të Mitrovicës Veriore do të jetë nga nacionaliteti serb, ndërsa kryeprokurori – i nacionalitet shqiptar, kanë thënë burime të gazetës. Ata do ta drejtojnë Gjykatën në të cilën struktura etnike do të jetë 60 për qind shqiptare e 40 për qind serbe. Zyrtarë qeveritarë nuk kanë pohuar e as mohuar nëse ky është pajtimi i arritur në takimin e fundit mes kryeministrave Thaçi e Daçiq. Sipas analistëve, kjo do të shkelte parimin kushtetues të Kosovës për reflektim të strukturës etnike në sistemin gjyqësor, meqë do të kishte një mbizotërim të një komuniteti mbi një tjetër./koha/

 
Lajme Shqip Thursday, 12 December 2013 10:52

Edhe pse pranimin e serbëve të veriut të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet e fundit lokale Qeveria e vendit e sheh si dëshmi për dëshirën e tyre që të integrohen në Kosovë dhe të pranojnë shtetin e Kosovës, vetë përfaqësuesit e këtyre serbëve, sikur edhe zyrtarët e shtetit të Serbisë, nuk lëshojnë asnjë rast që të porosisin se në asnjë mënyrë nuk kanë ndryshuar qëndrimin kundër, siç thonë ata, “të ashtuquajturës pavarësi të Kosovës”.

Edhe vetë kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili në Bruksel pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se “Serbia dhe serbët i kanë arritur të gjitha qëllimet me pjesëmarrjen në zgjedhjet dhe në dialog”, ka thënë se pranimi për t’u integruar në Policinë e Kosovës nuk do të thotë në asnjë mënyrë se e pranojnë “të ashtuquajturin shtet të Kosovës”.

Përfaqësuesit e Serbisë nuk kanë fshehur asnjë herë se të gjitha veprimet që i kanë bërë në dialogun për Kosovën janë në shërbim të parimit të Serbisë në procesin e integrimeve në BE.

Në Parlamentin Evropian javën e shkuar thuhet se ishte zhvilluar një diskutim mjaft konstruktiv për Kosovën dhe dialogun. Në të, sipas burimeve të gazetë “Koha Ditore”, kishin marrë pjesë këshilltarë të lartë nga Zyra e presidentit të Serbisë, ndërsa nga Kosova kishte marrë pjesë Arbër Vllahiu, këshilltar i presidentes Atifete Jahjaga.

Por atmosferën pozitive dhe konstruktive thuhet të ketë prishur në fund Kërstimir Pantiq, fitues në zgjedhjet për kryetar komune në veri të Mitrovicës.

Sipas burimeve, ai thuhet se gjatë debatit kishte heshtur dhe nuk ka thënë asnjë fjalë, madje as kur e kanë pyetur se a ka për të thënë diçka. Por në fund, sipas të njëjtave burime, Pantiq ka marrë fjalën dhe duke iu drejtuar raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, ka thënë: Dua t’ju them dy gjëra qartë: kurrë në veri nuk do ta shihni flamurin e Kosovës dhe kurrë nuk do ta pranojmë pavarësinë e Kosovës. /Koha ditore/

 
Lajme Shqip Tuesday, 03 December 2013 15:33

Prishtinë- Kreu i listës “Srpska”, Krstimir Pantiq, nuk vonoi shumë, menjëherë pasi u zgjodh kryetar i veriut të Mitrovicës dërgoi mesazh për Qeverinë e Kosovës, duke u bërë me dije se tashmë kjo listë ka nëntë prefektë që e mbështesin qeverinë e Serbisë dhe nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Është renditur e 6-ta si më e votuara nga gjitha partitë në Kosovë, fitoi 9 komuna, aq sa fituan edhe partitë më të mëdha, PDK dhe LDK. Kreu i listës “Srpska” tha se tani janë më të fortë se asnjëherë, ku bashkë me 9 komunat e fituara do të punojnë për Serbinë dhe kundër Kosovës.

Ai e tha qartë se kryetarët e rinj të komunave që kanë fituar nuk do të njohin institucionet e Kosovës dhe se veprojnë nën direktivat direkte që vijnë nga Beogradi.

“Kemi fituar 9 komuna, ku qytetarët e tyre serbë nuk do të njohin kurrë pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Pantiq për gazetën “Zëri”. I bindur për shtrirjen shumë të shpejtë jo vetëm në komunat veriore por edhe në pjesën jugore, ai tha: “Tani jemi më të fortë se asnjëherë gjatë këtyre 14 viteve të fundit, për të përfaqësuar politikat e Serbisë në hapësirat ku kemi fituar”, u deklarua Pantiq për “Zërin”.

Ndonëse e certifikuar vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve, lista “Srpska” ka fituar bindshëm në krahasim me kandidatët tjerë serbë në garë. Nga dhjetë komuna me shumicë serbe Pantiq ka fituar nëntë prej tyre.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, lista “Srpska”, është renditur partia e 6-të më e votuara në Kosovë, nga gjithsej 43 parti të certifikuara garuese në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

 

Brukseli të reagojë ndaj Pantiqit

 

Analisti dhe drejtues i KIPRED, Ilir Deda, tha thënë se lista “Srpska” e dalë dhe përkrahur si listë nga bisedimet në Bruksel, atëherë të njëjtit edhe duhet të reagojnë ndaj deklaratave e qëllimeve të tilla.

“Me vetë faktin që jep këso deklarata konfliktnxitëse shihet se roli i ‘Srpskas’ është i prirë të jetë negativ. E thënë nga Pantiq i cili flet në emër të Beogradit, duhet të reagojë Bashkësia Ndërkombëtare, shtetet perëndimore duhet të dalin me qëndrime e mesazhe të qarta në drejtim të Serbisë lidhur me rolin e kësaj liste”, tha Deda.

Sipas tij, është vetë Bashkësia Ndërkombëtare që ka lejuar instalimin e kësaj liste, të cilët më me rëndësi e kanë pasur arritjen e marrëveshjeve në Bruksel se sa stabilitetin në Kosovë.

Analisti Shenoll Muharremi, thotë se është absurde që BE si lehtësuese e dialogut të pranojë zgjedhje të tilla si kjo e listës “Srpska” me karakter etnik kur dihet mirë që parimet e BE-së janë plotësisht në harmoni me shumetnicitetin dhe diversitetin.

“Padyshim që kjo është një ngjarje me ndikim ndërsa tani Qeveria e Serbisë ka ndikim drejtpërdrejt në 9 komuna si dhe së shpejti do të kontrollojë Asociacionin e Komunave Serbe”, tha Muharremi.

Sipas tij, edhe pse Asociacioni ka status të organizatës joqeveritar, grupimi i 10 komunave serbe, si tërësi do ketë peshë shumë më të madhe dhe ka mundësi ta fragmentojë sistemin e qeverisjes lokale në Kosovë me potencial negativ që këto 10 komuna të duken si rajon apo grup në veti.

 

Kuçi: Pantiq mund të flasë çfarë të dojë

Zëvendëskryeministri Kuçi tha se ai është i lirë të flasë çfarëdo, por në fund veprimet duhet t’i ketë në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

“Çdokush që vepron dhe jeton në Kosovë duhet të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Pantiq mund të flasë çfarëdo se jetojmë në vend që respektohet liria e fjalës, por çdo veprim jashtë Kushtetutës dhe ligjit është i sanksionuar”, shtoi ai.

Për ndikimin direkt që ka Beogradi në këto komuna flet edhe Oliver Ivanoviq nga iniciativa qytetare, kundërkandidati që humbi kundrejt Krstimir Pantiq për vetëm 300 vota.

Ai nuk pajtohet me deklaratën e Pantiqit se si komuna do të jenë krejtësisht të pavarura nga Prishtina, ashtu siç nuk do të jenë të pavarura as nga Beogradi.

Sipas tij, nga vetë fakti që si asociacion ka dalë prej bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit me ndërmjetësimin e BE-së, pritet të ketë bashkëpunim mes këtyre tri palëve.
“Aktiviteti i asociacionit definohet në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit dhe këtu nuk mundet Serbia të ketë rolin si i vetëm”, tha Ivanoviq.

 

 
Lajme Shqip Saturday, 02 November 2013 16:48

Mitrovicë- Të shtëna të pandërprera armësh janë dëgjuar rreth orës 13:00 në veri të Mitrovicës, të cilat kanë shqetësuar tej mase banorët e kësaj pjese të qytetit.

Burime të Kosovapress-it bëjnë të ditur se dhjetëra persona nga një kolonë e automjeteve që qarkullonte nga veriu i Mitrovicës në drejtim të Zveçanit, kanë shtënë me kalashnikovë nga automjetet e tyre dhe këto të shtëna kanë zgjatur me minuta të tërë.

“Janë të shtëna gëzimi, sepse Zvonko Veselinoviq marton vajzën sot”, kanë thënë burimet, duke shtuar se të shtënat po vazhdojnë afër motelit ‘Te Coca’ në Zveçan, ku po mbahet ceremonia e dasmës.

Mësohet se për argëtimin e mysafirëve të shumtë të ftuar nga Serbia, Bosnja dhe vende tjera të rajonit, shumica e të cilëve janë pjesë e nëntokës, po përkujdeset këngëtarja beogradase, Svetllana Razhnjatoviq – Ceca, e veja e ish kriminelit Zhelko Razhnjatoviq, i njohur me nofkën Arkan.

Sipas burimeve, edhe këngëtarja nga Beogradi është parë duke shtënë me kallashnikov.

Burimet më tej kanë shtuar se përkundër të shtënave të pandërprera afër këtij moteli në Zveqan, pjesëtarët e Policisë së Kosovës nuk kanë reaguar deri tani fare.

Kosovapress-i ka provuar të kontaktoj disa herë me përgjegjësit e policisë në veri për të marrë ndonjë deklaratë në lidhje me ngjarjen, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur. /Kosovapress/

 
Lajme Shqip Monday, 23 September 2013 10:26

Mitrovicë- Rreth 150 pjesëtarë të Policisë së Serbisë, nga e enjtja pasdite, kanë hyrë në veri të Mitrovicës. Burime të gazetës “Koha Ditore” nga veriu bëjnë të ditur se këto prurje janë në shërbim të ndriçimit të vrasjes së pjesëtarit të EULEX-it, porse pritet të shërbejnë deri në përfundim të procesit zgjedhor, më tre nëntor, me qëllim të “mbajtjes nën kontroll të situatës së sigurisë” në atë pjesë.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, të Policisë së Kosovës e të EULEX-it kanë deklaruar se “nuk janë të informuar për diçka të tillë”.

Sipas burimeve të gazetës, pjesëtarët policorë serbë kanë hyrë në Kosovë nëpërmjet dy pikave kufitare, Jarinje e Bërnjak, dhe po shërbejnë në veri me rroba civile.

“Për këtë rast institucionet e sigurisë së Kosovës, si ato vendore, ashtu ndërkombëtare, janë në dijeni. Policët e shtetit të Serbisë të premten dhe të shtunën janë parë duke operuar nëpër veriun e Mitrovicës në Lagjen e Boshnjakëve, ku të premten në mëngjes ka ndodhur një incident. Dhe policët serbë të autorizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë kanë kontrolluar dhe bastisur disa shtëpi në veri të Mitrovicës dhe të Kosovës”, i kanë thënë “Kohës Ditore” burime në kushte anonimiteti.

Burimet thonë se cak i këtyre bastisjeve ishin kryesisht personat me të kaluar kriminale dhe ata që janë përfshirë në rrjete të ndryshme të krimit të organizuar.

 
Lajme Shqip Tuesday, 10 September 2013 14:17

Beograd- Qeveria e Serbisë ka shpërndarë sot kuvendet paralele të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Në njoftimin e ekzekutivit serb thuhet se në këto komuna janë emëruar kryetarë dhe anëtarë të organeve të përkohshme.

Qeveria e Serbisë, në seancën e sotme, po ashtu ka formuar një ekip menaxhues për krijimin e asociacionit të komunave serbe në Kosovë.

Ky mekanizëm, i cili ka për qëllim integrimin e serbëve në institucionet shtetërore të Kosovës, parashihet me Marrëveshjen për Normalizim të Marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.

Serbët e veriut, megjithatë janë shprehur kundër pjesëmarrëjes në zgjedhjet lokale të Kosovës, të parapara për 3 nëntor.

 
Lajme Shqip Tuesday, 23 July 2013 13:27

Mitrovicë – Një automjet zyrtar, i misionit të EULEX-it është sulmuar me shishe birre, në qendër të qytetit në veri të Mitrovicës. Lajmin e ka konfirmuar Policia e Kosovës.

Rasti i sulmit dhe i dëmtimit të veturës është regjistruar, pak minuta para mesnatës, rreth orës 23:50min, ndërsa zyrtarët e komponentës së EULEX-it, kanë njoftuar Policinë e Kosovës, lidhur me rrethanat e paraqitura, thuhet në komunikatën e policisë.

Sipas deklaratës së siguruar nga Policia e Kosovës, thuhet se zyrtarët e EULEX-it, derisa ishin në kryerje të detyrës zyrtare të patrullimit në rrugët e qytetit në veri, përkatësisht në rrugën “Mbreti Petër”, persona të panjohur, kanë hedhur shishe xhami (shishe birre), mbi njërën nga dy veturat në lëvizje të EULEXit.

Zyrtarët e EULEX-it, janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe janë drejtuar në stacionin policor veri për regjistrim të rastit.

Janë regjistruar dëme materiale në xhamin e parmë nga ana e djathtë e automjetit zyrtar të EULEX-it.

Deri më tani, nuk është raportuar për identifikim dhe arrestim të personave të dyshimtë të përfshirë në këtë akt kriminal. Po ashtu, nuk është raportuar për lëndime të shkaktuara ndaj zyrtarëve të EULEX-it.

 
Lajme Shqip Saturday, 13 July 2013 15:44

Mitrovicë – Autoritetet policore bëjnë të ditur se zyrat e MUP-it serb, të cilat deri më tash kanë funksionuar në veri të Kosovës, janë mbyllur krejtësisht.
Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani.
Ai tha se procesin e mbylljes së atyre zyrave e kanë vëzhguar EULEX-i dhe Policia e Kosovës.
“Po, mund t’ju konfirmoj se në bazë të informacioneve të deritanishme që kemi të gjitha zyrat e MUP-it serb janë mbyllur. Mbyllja e këtyre zyrave ka filluar muajin e kaluar duke filluar nga Komuna e Leposaviqit, Zveqanit, Zubin Potokut, dhe javën e kaluar janë mbyllur edhe në qendër në pjesën veriore të Mitrovicës”, tha Kelani.
Pra të gjitha mbylljet e këtyre zyrave janë monitoruar nga EULEX-i dhe me pas edhe nga Policia e Kosovës. Kështu që tani janë të konfirmuara për momentin si të mbyllura”, shtoi ai.
Mbyllja e këtyre zyrave vjen, pas marrëveshjes se arritur në mes të Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e raporteve në mes të dy vendeve.

 
Lajme Shqip Friday, 12 July 2013 14:57

Mitrovicë- Lilana Lumoviq, sekretarja e të ashtuquajturit “Kuvend të Kosovës dhe Metohisë” thotë se serbët kanë të drejtën sovrane që të themelojnë një parlament të tillë, dhe të tregojnë se janë kundër zbatimit të marrëveshje së Brukselit, e cila i ndan nga Serbia.

Ajo u dërgoi një deklaratë medieve beogradase të premten ku ka shkruar se më 4 korrik serbët e Kosovës themeluan këtë kuvend, duke zbatuar të drejtën e garantuar përmes sovranitetin qytetar.

“Në rrethanat e tilla, është e drejtë e qytetarëve të Serbisë, që në saje të zbatimit të Kushtetutës së Serbisë të themelojnë Kuvendin e Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë, dhe që qytetarët e Republikës së Serbisë nuk janë objekt, por subjekt i së drejtës, që do të thotë janë bartës të sovranitetit, andaj edhe kanë të drejt vetvetiu që të vendosiu për të ardhmen e tyre”, ka shkruar Lumoviq.

Sa i përket marrëveshjes së Brukselit, Lilana Lumoviq thotë se ajo në esencë do të thotë se “Serbia heq dorë së ushtruari pushtet në një pjesë të territorit të saj [Kosovë]” dhe se atë pjesë “ua lë separatistëve”.

Në deklaratën e saj, ajo ka thënë edhe se Rezoluta 1244 e KS të OKB-së parasheh në mënyrë eksplicite se Kosova është pjesë integrale e Serbisë, dhe se në asnjë akt të saj nuk e pezullon kushtetutës e Serbisë në territorin e Kosovës.

12