Lajme Shqip Sunday, 03 November 2013 18:39

Zgjedhjet në Mitrovicën e veriut kanë kaluar në një atmosferë tejet të tendosur, pasi thuajse në të gjitha vendvotimet ka pasur prani të grupeve ekstremiste, të cilët kanë bërë presion për të penguar votimin te ata qytetarë që kanë shprehur këtë gatishmëri. 

Qytetarët serb të cilët kanë vendosur të dalin në zgjedhje, marrin nga më të ndryshmet si, “shifrari”, “tradhtar”, etj. 

Pjestarë të organizatave ekstremiste si “Obraz”, “Çetnikët nga Valjevo “, dhe mbështetës të partisë së ish kryeministrit serb Vojisllav Koshtunica, kanë qëndruar në afërsi të vendvotimeve, ku gjithashtu kanë qenë të pranishëm edhe pjestarë të EULEX-it, por kjo nuk i ka penguar ata, që t’u bien në qafë, serbëve që kanë vendosur të marrin pjesë në zgjedhje. 

Kjo atmosferë, gjithashtu ka pasur edhe një efekt tjetër, atë të pjesëmarrjes së ulët në zgjedhje.

 
Lajme Shqip Friday, 20 September 2013 10:35

Mitrovicë- Një ditë pas vrasjes së një pjesëtari të EULEX-it dhe plagosjes së dy të tjerëve gjatë një sulmi në afërsi të Zveçanit, ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës.

Edhe pse pos dëmeve materiale nuk ka pasur të lënduar, kjo ka shqetësuar shumë banorët e veriut. Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Mitrovicës, Behxhet Bala, tha se situata paraqitet e tensionuar ditëve të fundit.

”Në veri të Mitrovicës situata është shumë më e tensionuar sepse kanë ndodhur disa incidente që po e tensionojnë atë pjesë. Dje ka ndodhur një vrasje e policit, ndërsa sot në ora 6 të mëngjesit ka ndodhur edhe një eksplodim në atë pjesë të qytetit”, theksoi ai

Zyrtarët komunalë thonë se këto incidente kanë për qëllim pengimin e mbajtjes së zgjedhjeve me 3 nëntor në veri. Ata kërkojnë shtimin e masave të sigurisë në atë pjesë të qytetit./rtk/

 
Lajme Shqip Thursday, 01 August 2013 12:44

Mitrovice – Rruga magjistrale Prishtinë – Leposaviq, e cila ishte bllokuar në Rudar, në veri të Mitrovicës, është liruar për qarkullim, të mërkurën, pas orës 20.

Serbët lokalë kanë larguar përkohësisht nga rruga mjetet që i kishin vendosur, në shenjë proteste ndaj arrestimit të dy bashkëkombësve të tyre. Protestuesit e kanë marrë vendimin për zhbllokim pas lirimit nga arresti të Sllobodan Repiqit, por kanë kërkuar që të lirohet edhe Zharko Veselinoviqi, të cilit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Përndryshe, ata janë kërcënuar se do të bllokojnë përsëri qarkullimin në rrugë, madje jo vetëm në Rudar, por në të katër komunat me shumicë serbe në veri: Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë të veriut.

Në kumtesën e nënshkruar nga nënkryetari i komunës paralele të Zveçanit, Dragisha Milloviq, thuhet se serbët e veriut të Kosovës do të vendosin përsëri barrikada dhe do të protestojnë paqësisht në rast se përsëritet praktika e “arrestimit të pabazë” të tyre, shkruan Koha.

Në kumtesë u adresohen falënderime edhe përfaqësuesve të UNMIK-ut, KFOR-it dhe EULEX-it për, siç thuhet, “kontributin e dhënë për mbajtjen nën kontroll të situatës së sigurisë”.

Veselinoviqi dhe Repiqi ishin arrestuar të premten, në Rudar, nga Policia e EULEX-it dhe Policia e Kosovës, në bazë të dyshimit se kanë marrë pjesë në tentimin e vrasjes së zëvendës-drejtorit të Zyrës Administrative të Kosovës në Mitrovicë, në dhjetor të vitit të kaluar.

 
Lajme Shqip Wednesday, 31 July 2013 13:15

Mitrovicë – Magjistralja Mitrovicë – Leposaviq vazhdon të jetë e bllokuar edhe të mërkurën nga serbët lokalë në Rudarë, ndërkohë që ata kanë paralajmëruar bllokimin edhe të rrugëve tjera në veriun e Kosovës.

Shkak i fillimit të protestave të serbëve dhe bllokimit të rrugës në Rudarë, ka qenë arrestimi nga policia e EULEX-it, i dy personave, Sllobodan Repiq dhe Zharko Veselinoviq.

Protestuesit kanë theksuar se nuk do ta ndërpresin protestën derisa të akuzuarve nuk ju mundësohet të mbrohen në liri.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës i kanë njoftuar se situata e sigurisë së përgjithshme që nga arrestimi i dy personave dhe bllokimi i rrugës në Rudarë nga serbët lokalë, nuk ka ndryshuar.

Zëdhënësi i kësaj policie për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se prezenca fizike e serbëve lokalë në pikën ku është bllokuar rruga është duke vazhduar, por nuk ka pasur ndonjë incident tjetër.

“Magjistralja Mitrovicë – Zveçan është e bllokuar në të dyja drejtimet e qarkullimit, ndërsa nuk ka zhvillime tjera ose reagime të tjera sa i përket aspektit të sigurisë. Sot, gjatë ditës, pritet që të arrestuarit të paraqiten para gjyqtarit të procedurës paraprake dhe do të shohim zhvillimet e mëtutjeshme”, ka thënë Hoti.

Të hënën në Rudarë, pjesëtarët e misionit EULEX dhe të Policisë së Kosovës e kanë arrestuar Sllobodan Repiqin, lidhur me plagosjen e një serbi që punonte në Zyrën e Qeverisë së Kosovës në Mitrovicë, në dhjetor të vitit 2012, si dhe Zharko Veselinoviqin, për shkak të armëmbajtjes pa leje.

Ndaj arrestimit të dy serbëve kanë reaguar edhe liderët e serbëve të veriut.

Ata pretendojnë se ekziston një listë me disa mijëra serbë, të cilët EULEX-i i ndjek për t’i arrestuar.

Njëri prej liderëve serb, Dreagisha Milloviq ka theksuar se arrestimet e serbeve janë shpeshtuar kohët e fundit dhe kjo po e nxitë reagimin e qytetarëve.

“Kjo e ka nxitur reagimin e qytetarëve dhe ata e kanë bllokuar magjistralen. Shtrohet pyetja se kush do të arrestohet ende? Le ta publikojnë listën për 3 mijë serbë”, ka thënë Milloviq.

Në anën tjetër, zyrtarët e EULEX-it janë cituar nga mediet serbe të kenë thënë se
“fletë-arrestet sekrete nuk ekzistojnë dhe se nuk ka bazë ligjore për një gjë të tillë”.

Ndërkaq, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Hoti, ka theksuar se nuk ka parashenja se situata në veri të vendit, mund të përshkallëzohet në atë masë që do të mund ta rrezikonte sigurinë e përgjithshme, pavarësisht sinjaleve të këqija që kanë dërguar dy sulmet mbi automjetet e EULEX-it në veri të Kosovës.

“Kjo mjafton të jetë si një shenjë, e cila mund të ndikojë kryesisht te sulmet individuale ose te veprimet tjera kriminale, të cilat mund të sjellin pasiguri ose jo stabilitet. Mirëpo, nuk ka indikacione ose nuk ka sinjale të përgjithshme se mund të ketë ndonjë përshkallëzim të përgjithshëm të situatës së sigurisë. Ne kemi grupe të njerëzve, përkrahës të këtyre individëve (të arrestuarve), të cilët kryesisht kërkojnë lirimin e tyre, por çështja e ligjit është ligj në vete dhe ajo duhet patjetër të zbatohet”.

Ndryshe, që nga dita e hënë kur është bllokuar rruga në Rudarë, qarkullimi i automjeteve të misionit EULEX është ndërprerë.

 
Lajme Shqip Tuesday, 30 July 2013 17:21

Prishtinë – Për shkak të arrestimit të dy serbëve nga ana e EULEX-it, vazhdon të jetë e bllokuar magjistralja në Zveçan. Serbët të hënën rreth 15:00, pas arrestimit të dy bashkëkombësve të tyre, bllokuan rrugën me kamionë mallrash.
Besim Hoti zëdhënës i policisë së Kosovës, sqaron se rruga edhe sot vazhdon të jetë e bllokuar.
“Serbët kanë bllokuar dy anët e magjistrales në Rudare për shkak të arrestimeve që ka kryer EULEX”, thotë Hoti për Express.
Sipas tij përveç bllokimit, është raportuar se serbët në shenjë revolte, kanë sulmuar makinat e EULEX. “Dje kanë sulmuar dy makina me gurë, derisa edhe mbrëmë në orët e vona të natës 10 persona të maskuar kanë sulmuar edhe një makinë tjetër të EULEX që ishte në lëvizje”, sqaron Hoti.
Raportohet se pas sulmit dy pjesëtar të misionit evropian morë lëndime trupore. Krejt kjo ka ndodh pasi EULEX ka arrestuar dy serb të dyshuar për krime dhe Policia e Kosovës, atyre u ka caktuar masën e paraburgimit prej 48 orë.
Njëri prej të arrestuarve është Zharko Veselinoviq , vëllai i kontroversit, biznesmenit nga veriu Zvonko Veselinoviq. Ai u arrestua me pretekstin për një tentim vrasje në pjesën veriore të Kosovës, gjatë vitit 2012.
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin kërkon sqarime rreth arrestimeve më të reja të serbëve në Kosovë dhe që të arrestuarit të procedohen sa më parë që të mbrohen në liri. “Nuk guxojmë të lejojmë që askush të na provokojë për dhunë. I ftoj serbët për qetësi”, i ka deklaruar Vulin RTS-së.
Ai ka shfaqur shqetësimin për arrestimet e djeshme. EULEX-i ka arrestuar dy serbë, njëri nga të cilët është vëllai i Zvonko Veselinoviqit. Sipas tij ky është arrestimi i katërt brenda 48 orëve.
“Nuk guxojmë të lejojmë që kushdo të na provokojë. I ftoj serbët në Kosovë për qetësi, meqë Prishtina ka dëshirë të madhe të mos zhvillohen zgjedhjet në veri”, deklaroi Vulin në ditarin e RTS-së.

 
Lajme Shqip Thursday, 04 July 2013 15:07

Mitrovicë – Serbët e veriut kanë formuar sot “Kuvendin e Kosovës dhe Metohisë”.

Në krye të tij është zgjedhur kryetari i Kuvendit Komunal të Leposaviqit, Sllavko Stevanoviq, raporton REL.
Mbledhja është mbajtur në Zveçan, ndërsa organizatorët e saj kanë thënë se qëllimi i saj ka qenë t’iu tregohet autoriteteve në Serbi, komunitetit ndërkombëtar dhe udhëheqjes së Prishtinës se serbët e veriut të Kosovës, me mjete demkokratike, luftojnë kundër integrimit në shoqërinë kosovare.
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Millovan Drecun, ka deklaruar sot se themelimi i “Kuvendit të Kosovës e Metohisë” mund të dobësojë pozitën e serbëve në Kosovë

 
Lajme Shqip Saturday, 08 June 2013 11:25

Prishtinë – Zyra e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë ka njoftuar se fondi për veriun do të themelohet këtë muaj. Ky fond që është paraparë të mbikëqyret nga përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë mund të përfshij vetëm katër komunat e veriut. Ndërkohë që mësohet se akoma po vazhdon beteja mes palëve në Bruksel që pjesë e fondit të jenë edhe komuna Jugore e Mitrovicës si dhe Skenderaj e Vushtrria.

Marrëveshja midis kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë që t`i bashkojnë paratë e përbashkëta në një fond të vetëm për veriun, i cili fillimisht është paraparë të jetë rreth 16 milionë euro do të jetësohet këtë muaj.

“Kjo është një nga çështjet e para për të cilat është arritur pajtim dhe se ky fond do të themelohet brenda qershorit”, i ka thënë Radio Kosovës, Stojan Pelko, zëdhënësi i Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar.

Pelko nuk ka bërë të njohura detajet rreth strukturës së fondit. Por burime të Radio Kosovës brenda ekipit negociator të Kosovës kanë shpjeguar se projeksioni i fondit për të cilin është arritur marrëveshje do të ndryshoj sërish.

Sipas të njëjtave burime Asociacioni i komunave serbe pritet të ketë rol domethënës në menaxhimin këtij fondi.

Nga ekipi i Kosovës në bisedime nuk është konfirmuar se çfarë saktësisht do të përfshij ky fond që është planifikuar të menaxhohet nga përfaqësues të BE-së, por që informacionet e rregullta për administrimin e tij t’i kenë të dyja qeveritë, ajo e Kosovës dhe e Serbisë. Por, vetëm është konfirmuar se do të themelohet këtë muaj.

Deri më tani pala kosovare ka këmbëngulur që fondi të mbulojë një territor më të gjerë që përveç Zveçanit, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe komunës veriore të Mitrovicës të përfshij edhe tri komunat e tjera Skenderaj, Vushtrri dhe Mitrovicën Jugore. Deri më tani sipas burimeve brenda ekipit negociator gjasat janë që vetëm Mitrovica jugore të përfshihet në benefitet e këtij fondi.

Ky fond është produkt i një pajtimi të përkohshëm që kryeministrat e Kosovës e Serbisë kishin arritur gjatë bisedimeve të janarit për çështjen e doganave që përfshin derdhjen e taksave të mbledhura në veri dhe donacione të tjera në një fond të veçantë.

 

 
Lajme Shqip Thursday, 06 June 2013 10:42

Leposaviq – Serbët në veri të Kosovës, pritet të vendosin për themelimin apo jo të Kuvendit Serb të Kosovës.

Kjo çështje kundërshtohet nga Beogradit. Deputeti i Partisë Demokratike opozitare, Marko Jakshiq, citohet të ketë thënë se ende është i paqartë formimi i këtij organi, pasi sipas tij, ka presion të madh ndaj përfaqësuesve politik të serbëve në Kosovë.
“Nuk e di a do të kemi shumicën e nevojshme për këtë gjë”, citohet të ketë thënë Jakshiq.