Lajme Shqip Saturday, 18 January 2014 19:10

Familjarët e 2 vëllezërve Melsi dhe Elvis Çollaku, të cilët u vranë pak ditë më parë në kufirin shqiptaro-grek, kundërshtojnë konkluzionet e ekspertëve se në trupat e pajetë të dy djemve nuk janë konstatuar shenja dhune. Me fotot e dy viktimave dhe me pankarta ne duar, ata protestuan sot, duke kërkuar drejtësi dhe zbardhjen e së vërtetës. Ata kërkojnë ekspertizë të thelluar mjeko-ligjore. Duke i konsideruar shpifje deklaratat e policisë greke, ata bëjnë bashkëfajtorë me ta edhe policinë shqiptare, që sipas tyre pranoi në heshtje versionin e vrasjes së dy vëllezërve. “Policia jonë s’kundërshtoi shpifjet e policisë greke. Tahiri është kriminel, ai hodhi baltë mbi të vdekurit”- shprehen familjarët, duke kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, shkruan shekulli.

Ngjarja e rëndë ndodhi në 8 dhjetor, ku dy vëllezërit Çollaku mbetën të vrarë në afërsi të liqenit të Prespës së vogël, pas një shkëmbimi zjarri me policinë greke. Nga ngjarja mbeti i vrarë dhe një polic grek. Pak ditë më parë, dy nga familjarët e viktimave iu drejtuan Italisë për një ekspertizë më të specializuar mjeko-ligjore., me pretendimin se Policia e Korçës ka manipuluar dhe fshehur të vërtetën.  “Do marrim ekspertë të huaj për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Policia e Korçës e manipuloi dhe e fshehu të vërtetën e ngjarjes”, -kanë deklaruar familjarët e dy vëllezërve Çollaku, pak ditë më parë. Ata shprehen të bindur se Melsi dhe Elvis Çollaku janë torturuar nga policia greke, përpara se të qëlloheshin për vdekje. Familjarët e viktimave deklaruan gjithashtu se janë të gatshëm të bëjnë zhvarrosjen e trupave, me qëllim zbardhjen e së vërtetës. Gjithashtu, ata paralajmërojnë se nëse ngjarja nuk zbardhet, atëherë çështjen do ta çojnë deri në Gjykatën e Hagës.