Lajme Shqip Wednesday, 30 January 2013 17:40

Prishtinë – Kabineti qeveritar në mbledhjen e të mërkurës ka marrë vendim për ndarjen e mjeteve prej 97 mijë euro për meremetimin e varrezave të dëmtuara serbe.

Ndërkohë janë ndarë edhe 5 mijë euro për të mbuluar shpenzimet e familjes Sopa, me rastin e vdekjes së zyrtarit për informim të Qeverisë së Kosovës, Hamdi Sopa. Gjithashtu janë miratuar një sërë projektligjesh në mbledhjen e sotme, si dhe Projekt-Strategjia Kombëtare dhe Plani i Veprimit për Parandalimin e Krimit 2013-2017.

Pas miratimit të projektligjeve, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka folur për vendimin që ka marrë kryeministri ditë më parë për kompensimin e dëmeve të varrezave serbe.

Me këtë është pajtuar edhe ministri i Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic, i cili ka thënë se në bazë të një analize, nevojiten 97 mijë euro për mbulimin e këtyre shpenzimeve, raporton “Express”.

Për këtë ka kërkuar sqarim zëvendësministri i Financave, Ramadan Avdiu, i cili ka thënë se fillimisht ekzekutivi i vendit ka ndarë 20 mijë euro për kompensimin e dëmeve, duke pyetur se a hyn kjo shumë në shumën 97 mijë euro. Ministri Petrovic ka dhënë sqarim që kjo hyn në shumën prej 97 mijë euro dhe më pas është miratuar kjo.

Po ashtu kabineti qeveritar ka marrë vendim që të ndajë një shumë prej 5 mijë euro për familjen Sopa, për të mbuluar shpenzimet. Ditën e djeshme, Hamdi Sopa, zyrtar për informim në kryeministri, është vetëvrarë duke rënë nga banesa e tij 9-katëshe.

Në mbledhjen e sotme është miratuar Shqyrtimi i Strategjisë Kombëtare dhe Planit të Veprimit për Parandalimin e Krimit 2013-2017.

Po ashtu është miratuar Propozim-vendimi për aprovimin e statutit të Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka” dhe atij të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”. Ndërkohë është bërë thirrje që të përgatiten edhe statutet për Universitetin e Gjilanit dhe atij të Mitrovicës.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe Projektligjin për Produktet Medicionale dhe Pajisje Medicionale dhe Projektligjin për Blegtorinë.

Gjithashtu është miratuar edhe Projekt-rregullorja për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Po ashtu është miratuar Propozim-vendimi për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 65 mijë e 885 euro për mbulimin e shpenzimeve të punës së Sekretarisë së Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, pjesëtarit apo të internuarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për vitin 2013.(K.N/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 22 January 2013 12:46

PRISHTINE – Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të martën përmes një deklarate kanë dënuar sulmet kundër varrezave dhe monumenteve serbe në Kosovë.

Lidhur me sulmin ndaj varrezave dhe monumenteve ambasada e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-ve deklaruan sot në Prishtinë “Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së adhe dhe SHBA-ve dënojnë valën e fundit të sulmeve kundër varrezave dhe monumenteve serbe në Kosovë. Vargu i ngjarjeve që ndodhën në orët e fundit tregon se disa persona e konsiderojnë të justifikueshme shprehjen e mllefit, për shkak heqjes së lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë, duke dëmtuar varreza në Kosovë, në të cilat gjenden serbë të varrosur”.

Më tej thuhet se aktet e tilla janë plotësisht të papranueshme dhe kryesit e veprave duhet të sillen para drejtësisë.

“Ne iu bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës për të treguar përmbajtje dhe shprehim mbështetjen tonë të plotë për masat parandaluese të ndërmarra nga autoritetet e Kosovës”, – thuhet në deklaratë.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 31 July 2012 18:50

Prishtinë –Departamenti Amerikan i Shtetit në Raportin për Liritë Fetare në botë për vitin 2011 ka analizuar edhe gjendjen në Kosovë sa i përket respektimit të lirive fetare.

Kushtetuta dhe ligjet tjera mbrojnë lirinë fetare dhe në praktikë qeveria në përgjithësi ka respektuar liritë fetare thuhet në raport, duke potencuar se qeveria nuk ka shfaqur ndonjë tentativë drejt përmirësimit apo përkeqësimit të respektimit dhe mbrojtjes së të drejtës së lirisë fetare.

Megjithatë, sipas raportit, liderët fetarë kanë theksuar se mungesa e një mekanizmi që grupet fetare të regjistrohen dhe të fitojnë një status legal ka shkaktuar një numër sfidash praktike. Edhe pse shumë grupe kanë gjetur metoda alternative, shumë nga ta kanë raportuar sfida në pronësimin dhe regjistrimin e pronave, makinave, hapjes së xhirollogarive bankare dhe pagesës së tatimeve dhe pagave të të punësuarve.

DASH thekson se ka pasur raporte për abuzime ose diskriminim të komunitetit si pasojë e lidhjeve, besimit apo praktikave fetare. Raporti përmend vandalizimin e varrezave hebrenje në muajin nëntor në Prishtinë nga persona të panjohur. Po ashtu përmend incidente si vjedhje dhe vandalizëm kundër objekteve të Kishës Ortodokse Serbe si dhe incidentet që i quan të izoluara ku individë kanë gjuajtur me gurë autobusët me serbë, të cilët i vizitonin objektet fetare të Kishës Ortodokse Serbe.

Raporti për Liritë Fetare në pjesën për Kosovën, përmend raportimin e komunitetit islamik për pengimin e studenteve që të bartin shami në shkollat publike. Bashkësia Islame e Kosovës dhe organizatat myslimane joqeveritare kanë thënë se nxënëset me shami janë penguar nga pjesëmarrja në shkollat publike.

Në raport theksohen vendimet e Ministrisë së Arsimit, të Gjykatës Kushtetuese dhe së fundit të Kuvendit të Kosovës në lidhje me bartjen e shamisë në shkollimin parauniversitar. Ndërkaq, vë në pah shqetësimin e komunitetit protestant për pamundësinë që të ndërtojë një varrezë dhe një kishë në Deçan. Protestantët kanë vazhduar që të theksojnë diskriminimin institucional në nivel qendror dhe komunal. Ata janë ankuar se nuk po lejohen të krijojnë varrezë protestante, që ka rezultuar me varrimin e protestantëve në varrezat myslimane dhe klerikët myslimanë kanë kryer funeralin për ta.

Ata thonë se kjo është shkelje e të drejtave të tyre. Në raport është përmendur edhe miratimi i Ligjit për Prizrenin dhe Hoçën e Madhe dhe debatin e shkaktuar për shkak të frikës se më këto ligje do të krijohej status special për objektet kulturore serbe.

Anëtarët e Ambasadës amerikane, thuhet në raport, kanë vazhduar që të takojnë liderët politikë dhe fetarë për të kërkuar dialog ndërfetar dhe për të inkurajuar zgjidhjen e shqetësimeve të komuniteteve fetare. Përfaqësues nga Ambasada amerikane po ashtu i janë bashkuar diskutimeve të qeverisë dhe të Kishës Ortodokse Serbe  për të rifilluar punën e ngecur të Këshillit të Rindërtimit dhe Implementimit, që rindërton objektet fetare të dëmtuara gjatë trazirave të vitit 2004.

SHBA, theksohet në raport,  ka vazhduar të mbështesë përpjekjet për zgjidhjen e kontestit për një pronë ku përfshihet Manastiri i Deçanit dhe grupet lokale. Qeveria amerikane po ashtu ka themeluar një program për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore që përfshin rindërtimin dhe mbrojtjen e kishave në vend. (REL)

 
Lajme Shqip Wednesday, 01 February 2012 20:02

Prishtinë- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka pritur sot në një takim përfaqësues të komunitetit hebre të Kosovës, të kryesuar nga Votim Demiri.

Ministri Krasniqi tha se komuniteti hebre ka dhënë një kontribut të madh në ndërtimin e paqes dhe tolerancës në Kosovë. Ai tha se trashëgimia hebraike në Kosovë është pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore e fetare të Kosovës. Trashëgimia kulturore e fetare, tha ministri, është një pikë afruese mes qytetarëve dhe jo ndarjeje siç ka ndodhur në të kaluarën.

Komunitetit hebre, ministri Krasniqi i shprehu përkrahjen dhe bashkëpunimin e plotë në krijimin e hapësirës dhe kushteve për realizim të qëllimeve për paqe dhe tolerancë.

Nga ana e tij, z.Votim Demiri ka falënderuar ministrin Krasniqi për mbështetjen e dhënë deri më tani si dhe për përkushtimin e treguar që mbështetja dhe bashkëpunimi të rritet.

Me këtë rast ia ka dorëzuar ministrit një mirënjohje për kontributin në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë hebraike.

Votim Demiri shprehu konsideratat me të larta për reagimin e shpejtë të MKRS-së për të kthyer në gjendje të mëparshme varrezat e hebrenjve në Prishtinë, të cilat ishin dëmtuar me ngjyrë.

 
Lajme Shqip Thursday, 22 December 2011 15:51

Në takimin e Këshillit për Siguri në Bashki të Prishtinës, zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë bërë të ditur se varrezat herreje në lagjen Velania janë dëmtuar nga dy persona me mjekra, pjesëtarë të një sekti fetar.

“Inteligjencia e Kosovës ka siguruar informacion nga qytetarët që banojnë përreth ‘Varrezave të Jahudive’ se dëmtimi i varrezave në formën që është bërë është kryer nga dy persona me mjekra, që mendohet se i përkasin një sekti fetar të vendit”, ka thënë zëvendësdrejtori i Policisë Rajonale të Kosovës në Prishtinë, Rexhep Sijarina. Mirëpo, sipas tij, Policia ende nuk ka ndonjë të arrestuar apo të dyshuar për rastin.

Një fakt të tillë e kanë konfirmuar edhe banorë të lagjes Velania. Nën kushte anonimiteti, disa banorë kanë thënë se përdhosjen e varrezave e kanë kryer dy persona me mjekra.

Pak ditë pas përdhosjes së pllakave të mermerit të varrezave, pastrimin e tyre e kishte marrë përsipër Ambasada gjermane në Kosovë, e cila e ka përfunduar projektin. Për pastrimin e tyre, sipas zëdhënësit të Komunës së Prishtinës, Muhamet Gashi, ka qenë e gatshme edhe Komuna, por ai e ka falënderuar Ambasadën gjermane për një veprim të tillë. Përdhosja e varrezave të hebrenjve ka nxitur reagime të fuqishme nga të gjitha nivelet e institucioneve të Kosovës.

 
Lajme Shqip Saturday, 03 December 2011 13:08

Prishtinë-Udhëheqësi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Eduard Xhozef, nëpërmjet një deklaratë për mediat ka dënuar dëmtimin e varrezave hebraike në Prishtinë, duke bërë thirrje te autoritetet e rendit dhe ligjit që të hetojnë rreth këtij akti. Ai i ka bërë thirrje edhe komunës së Prishtinës që të merret me riparimin e dëmit të shkaktuar.

“Si organizatë udhëheqëse ndërkombëtare për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, OSBE dënon fuqishëm këtë akt të shëmtuar. Dëmtimi i varrezave të çfarëdo komuniteti është një fyerje e neveritshme dhe shenjë e urrejtjes. OSBE-ja promovon tolerancën, bashkëjetesën dhe respektin reciprok. Ne nuk do të hezitojmë të kërkojmë drejtësi në rastet kur këto norma rrezikohen”, ka thënë, ndër të tjera, Xhozef.

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka mandat të promovojë mbrojtjen e drejtave të njeriut, ndërtimin e demokracisë, si dhe zhvillimin e sigurisë publike. Varrezat hebraike në lagjen Velania në Prishtinë janë përdhosur tri ditë më parë nga persona të panjohur, të cilët mbi varre kishin shënuar simbole naziste.

 
Lajme Shqip Friday, 02 December 2011 18:00

Prishtinë-Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, dënon dëmtimin e varrezave hebraike në Prishtinë.

Në një letër dërguar Rabin Edëard Boraz, Ministri Hoxhaj ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh indinjatën e thellë për aktin vandal të përdhosjes së varrezave hebraike në Prishtinë.
“Qeveria e Kosovës dënon fuqimisht veprime të tilla dëmtuese dhe ofenduese. Me komunitetin hebraik ne ndajmë shumë ngjashmëri historike dhe kemi çmuar lart të kaluarën tonë të përbashkët në Kosovë.

Veprat e tilla të papranueshme konsiderohen ofendim për personat e varrosur në këtë varrezë të çmuar, ofendim ndaj të kaluarës që ndajmë bashkë me komunitetin hebraik”, shkruan Hoxhaj në këtë letër, duke shtuar se trashëgimia kulturore e Kosovës konsiderohet si trashëgimi kulturore e mbarë botës.

Ministri Hoxhaj theksoi se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të punojë në ruajtjen e vendeve kulturore e historike, siç janë Varrezat Hebraike, që është përgjegjësi jona e përbashkët.

Dëmtimin e varrezave hebraike në Prishtinë ditët e fundit e kanë dënuar edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe qeveria e Kosovës

 
Lajme Shqip Thursday, 01 December 2011 13:13

Prishtinë – Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë ka dënuar fuqimisht përdhosjen e varrezave hebraike në lagjen Velania të Prishtinës.

“Kjo vepër e urrejtjes përbën fyerje jo vetëm ndaj familjeve të të varrosurve aty dhe ndaj komunitetit hebraik në Kosovë dhe përtej, por po ashtu është fyerje ndaj shtetit dhe shoqërisë shumetnike kosovare. Kjo është një vepër e përbuzjes së normave më themelore të tolerancës, bashkëjetesës dhe respektit dhe nuk mund të tolerohet”, thuhet në komunikatën e ambasadës amerikane në Prishtinë, që e transmeton Radio Evropa e Lirë.

Kohëve të fundit, thuhet në komunikatën e ambasadës amerikane, “studentët e Universitetit Amerikan kanë marrë pjesë në një projekt të restaurimit të varrezave dhe ne e shohim këtë vepër të përdhosjes së varrezave si sulm ndaj veprës së tyre të miqësisë dhe vullnetarizmit”.

Ambasada Amerikane iu ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të kryejnë hetime të hollësishme lidhur me këtë incident dhe sjelljen e përgjegjësve para drejtësisë.

Me tone të ashpra kundër përdhosjes së varrezave hebraike ka reaguar edhe kongresisti amerikan Eliot Engel, që është edhe bashkë-kryetar i grupit të Kongresit për çështjet shqiptare.

Në një deklaratë për media kongresisti Engel i bëri thirrje qeverisë së Kosovës të ndëshkojë autorët e aktit në formën më të rëndë që parashikon ligji.

“Jam i indinjuar nga ky akt i urryer i përdhosjes së varrezës së hebrenjve në Prishtinë. Prekja e vendit të prehjes së anëtarëve të komunitetit të vogël hebraik në Kosovë është një akt urrejtjeje që nuk duhet të lejohet të hedhë rrënjë. I bëj thirrje qeverisë së Kosovës të hetojë imtësisht vandalizmin dhe të ndëshkojë autorët siç parashikohet me ligj”, ka thënë kongresisti Engel në deklaratën e tij.

Ai ka kujtuar se ka vizituar këtë varrezë me ish presidentin Ibrahim Rrugova në vitin 2005.

“E kisha për nder që së bashku me të të shprehja respektin për komunitetin hebraik të Kosovës, të cilin ai e kishte përqafuar si pjesë të historisë dhe trashëgimisë së Kosovës”, ka nënvizuar kongresisti Eliot Engel, që njihet si mik i madh i shqiptarëve.

“Ky akt në varreza është edhe më tragjik pasi vetëm kohët e fundit ajo ishte vendi i një projekti pune vullnetare të kryer së bashku nga studentët e Universitetit Amerikan të Kosovës dhe Kolegjit Dartmouth në Shtetet e Bashkuara. Shpresoj që puna e tyre e mirë të mos humbasë nga ky akt përdhosjeje dhe varreza të restaurohet dhe të mbrohet që të gjithë në Kosovë ta dinë se sa njerëz kanë banuar dhe vazhdojnë të jetojnë në këtë tokë”, thuhet në fund të deklaratës së kongresistit Eliot Engel. (Express & Koha)