Lajme Shqip Tuesday, 13 August 2013 23:13

Sali Berisha, kryeministër në largim, për deklaratat antishqiptare të nazistëve të Agimit të Artë në ceremoninë përkujtimore për Aristotel Gumën.

Berisha deklaroi se kjo ishte një vrasje e dytë për Gumën.

“Kjo ceremoni u politizua deri në nazizëm nga një grup fare i vogël ekstremistësh”, shkroi Berisha në FB.

“Një ceremoni përkujtimore mortore me politizim ekstrem dëshmon dhe njëherë mjerimin e atyre që duan të gjejnë në të vdekur gjurmët e një minoriteti që nuk ka ekzistuar kurrë në Himarë,” shtoi Berisha

Sipas tij përpjekjet për të gjetur nëpërmjet nekropolitikës minoritet në Himare janë donkishoteske dhe tragjikomike.

Berisha shkroi se Himara ndër shekuj ka qenë dhe mbetet djep i atdhetarizmit shqiptar me kontribute të mëdha në luftërat e vendit për liri, në letrat, artin dhe kulturën kombëtare.

“Në këtë zone, disa nga fshatrat dhe vetë Himara janë bilingualë, por me ADN dhe nëngrupe gjaku identike me fshatrat e tjera që në mijëra vjet nuk kanë folur një fjalë në gjuhën greke apo tjetër përveçse shqipes së bukur”, deklaroi Berisha. 

 
Lajme Shqip Tuesday, 19 February 2013 15:12

GJIROKASTER – 89 kuti me eshtra të paidentifikuara kanë të paktën 14 vjet që prehen në kishën e Bularatit, në pritje për t’u varrosur në varrezën greke të këtij fshati. Eshtrat janë të paidentifikuara dhe këtë e ka pranuar vetë zv/ministri grek i Mbrojtjes, Panajot Karabela në dhjetor 2012 gjatë një seance plenare në Parlamentin Grek. Në kohën kur Greqia pritet të fillojë procedurat për rinisjen e kërkimeve për eshtrat e ushtarëve grekë në Shqipëri, në Bularat të Gjirokastrës ka ende 89 kuti me eshtra të paidentifikuara.

Në varrezat e këtij fshati janë varret e 59 ushtarëve të tjerë grekë, tashmë të identifikuar, por Thimi Samarxhiu, gazetari investigativ i “Albanian Screen” ka arritur të sigurojë foto të kutive metalike me eshtra të tjera, që ruhen në ambientet e kishës së Bularatit. Siç shihet në këto foto të ofruara për “GSH” nga “AS”, eshtrat e pretenduara të ushtarëve të rënë grekë gjatë luftës italo-greke, qëndrojnë që prej vitit 1999 brenda kishës pa iu nënshtruar asnjë procedure për të verifikuar nëse me të vërtetë janë apo jo eshtra ushtarësh grekë. 

ZV/MINISTRI GREK

Numri 2 i dikasterit grek të Mbrojtjes tha se në Bularat ekzistojnë 89 kutitë metalike me eshtra, por që janë të paidentifikuara dhe s’dihet kujt i përkasin. “Në varrezat e Bularatit, që u ndërtua në vitin 1999, ekzistojnë 59 varre të ushtarëve të rënë me emrat përkatës dhe 89 kuti metalike me eshtra pa identitet. Në varrezat e Këlcyrës, që është 96-vendëshe, nuk ka eshtra të varrosura. Funksionon si varreza-boshe-monumentale. Dhe në të dyja varrezat zhvillohen ceremoni nderimi dhe përkujtimi më 28 tetor. Është diçka që parashikohet në marrëveshjen mes dy shteteve”, ka deklaruar Karabela në Parlamentin grek.
“Do të thosha gjithashtu që në shtator të këtij viti, atasheu ushtarak i Greqisë në Tiranë vizitoi në Gjirokastër dhe në Këlcyrë gjashtë nga vendet e para të gjetjes së eshtrave, me qëllim që të përcaktohej koha e nisjes së punimeve në terren nga pala shqiptare. Për këtë çështje dhe çështjet që kanë lidhje me të, brenda muajit dhjetor do të bëhet në Athinë një takim i dytë i komisionit miks të ekspertëve. Paralelisht, anëtarët e komisionit këtu dhe në Shqipëri do të punojnë për mbledhjen dhe verifikimin e materialit arkivor, gjetjen e mënyrës së identifikimit dhe marrjen e lejeve të kërkimeve dhe ndërtimit”, mbylli deklaratën e tij në dhjetor 2012, Panajot Karabela, zëvendësministër i Mbrojtjes i Greqisë. 

GERMIMET NE KORÇE
Në plot 31 zona të rrethit të Korçës pritet të gërmohet për gjetjen e eshtrave të ushtarëve grekë, të rënë gjatë luftës italo-greke. Shifra u konfirmua zyrtarisht nga zbardhja e një dokumenti të Ministrisë së Brendshme drejtuar autoriteteve vendore, sipas të cilës jepen edhe pikat koordinative të 31 vendeve që Greqia do kryejë gërmime në rrethin e Korçës. Dokumenti zyrtar sqaron se gërmime do të kryhen në 18 vende në Moglicë pa lënë mënjanë edhe fshatin Boboshticë të Korçës, e trazuar dhe e përfolur për varreza greke pas dhunimit të varrezave shekullore të fshatit, në emër të një memoriali grek nga ana e OMONIA-s në Korçë. Dokumentin bën të ditur se në qytetin e Korçës do të ketë tri pika gërmimi konkretisht në dalje të Parkut Rinia, tek ish-Trikotazhi që në bazë të kordinatave është në afërsi të tregut të fruta-perimeve, por edhe në zonën e cila ndryshe njihet si stacioni i furgonave të Tiranës.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 11 February 2013 19:29

KORCË – Zbardhen detaje të reja në lidhje me gërmimet për varre greke në Korcë.Sipas një marrëveshjen e arritur mes Greqisë dhe Shqipërisë është specifikuar edhe me koordinata se vetëm në rrethin e Korcës do të ketë gërmime në 31 vende për të zbuluar eshtra të ushtareve grekë të rënë gjatë luftës italo-greke ne vitin 1940-1941”.

Nënkryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo thotë se i është përgjigjur pozitivisht letrës së Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë për fillimin e e gërmimeve në qendër të Korçës, pasi kjo është një marrëveshje dy shtetërore,ndërsa ende nuk ka një datë zyrtare se kur do të nisin gërmimet. Gjithashtu Filo sqaron se bashkia nuk do të merret me mbikqyrjen e tyre pasi takon ministrisë përkatëse të bëjë një gjë të tillë
sinkron Filo

Nga ana tjetër për historianët gërmimet në qendër të Korcës për eshtra të ushtarëve pushtues grekë në fund të Luftës së Dytë Botërore janë me prapavijë politike ,pasi në Korcë nuk është zhvilluar asnjë betejë e luftës italo-greke.

Dokumenti zyrtar nga ana e ministrisë së brendshme thotë se gërmime do të kryehen edhe në 18 vende në Moglicë pa lënë mënjanë edhe fshatin Boboshticë të Korçës,kjo e fundit mjaft e trazuar dhe e përfolur për varreza greke pas dhunimit të varrezave shekullore të fshatit ,në emër të një memoriali grek nga ana e Omonias në Korcë.(LajmeShqip.com)