Lajme Shqip Thursday, 11 April 2013 08:53

Mitrovicë – Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, ka njoftuar se të martën, Departamenti për Mjekësi Ligjore dhe Njësia për Hetimin e Krimeve të Luftës e EULEX-it, me mbështetjen e Policisë së Kosovës, e kanë kryer një operacion në terren në varrezat myslimane, në pjesën veriore të Mitrovicës.

“Me këtë rast u gjetën mbetjet mortore të shtatë personave, që supozoheshin të zhdukur; ndërsa janë gjetur dhe dy pjesë të tjera skeletore”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.

Sipas njoftimit, “viktimat janë zhvarrosur prej varreve të pashënuara, që shtriheshin në pjesën e sipërme dhe atë të poshtme të varrezave” dhe se “gjatë këtij operacioni, janë lokalizuar edhe katër varre të mundshme”.

Misioni EULEX thotë se “ky ishte rezultat i disa javëve të analizave të dokumenteve të ndryshme, që datonin nga konflikti i viteve 1998-1999”.

Departamenti për Mjekësi Ligjore (DML) i EULEX-it “beson se në këtë lokacion mund të ketë edhe më shumë varre të tjera të pashënuara dhe do të kërkojë urdhëresa të tjera nga prokuroria për më shumë zhvarrosje në të ardhmen”.

Deri tash, gjatë këtij viti, EULEX-i dhe DML –ja “kanë kryer 18 operacione në terren në Pejë, pjesën jugore të Mitrovicës , në pjesën veriore të Mitrovicës, në Suharekë, Prizren, Gjakovë, Klinë dhe Skenderaj. Shtatë nga këto kanë rezultuar me zhvarrosje, ku janë gjetur mbetjet mortore të 28 personave”, thuhet në fund të njoftimit nga misioni EULEX.(Rel/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 12 November 2012 16:55

Prishtinë – Komisioni Qeveritar për persona të zhdukur në një takim me familjarë të personave të pagjetur ka raportuar për takimin e fundit që kanë pasur në Beograd me delegacionin serb. Sipas Kryetarit të KQPP Prenk Gjetaj, Rashka mbetet ende një lokacion i dyshuar, ku mund të jenë varrosur viktimat e krimeve serbe në Kosovë. Ai tha se është i nevojshëm një presion ndërkombëtar ndaj Serbisë në mënyrë që kjo e fundit të jap më shumë informacione rreth të pa gjeturve.

Nëntë lokacione të dyshuara si varreza masive janë në proces për hulumtime derisa edhe 14 të tjera priten të gërmohen ka bërë të ditur kryetari i Komisionit për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj.

Pas një takimi që pati ai me familjarë të personave të pagjetur, Gjetaj tha se disa nga lokacionet e dyshuara i përkasin veriut të vendit dhe për shkaqe sigurie ato ende nuk janë hapur. Ai po ashtu tha se Rashka në Serbi ende mbetet një rajon i dyshuar.

“Për çështjen e Serbisë ne vazhdimisht kemi thënë se rajoni i Rashkës është i dyshuar. Edhe ata në një mënyrë e kanë pranuar dhe faktikisht e dinë por duhet një trysni , një presion dhe në takimin e fundit në Beograd që e kemi pasur e kemi ngritur këtë çështje . Vetëm, me një presion ndërkombëtar mund të detyrohet Serbia se derisa ata kanë pranuar se gjendet një varrezë le të na tregojnë se ku gjendet ajo varrezë”, tha Gjetaj.

Gjetaj shpreson se çështja e personave të pagjetur do të avancohet edhe në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Ndërkaq në kuadër të projektit sheshi “Ibrahim Rugova” do të vendosen edhe fotografitë e personave që kërkohen prandaj në takimin e sotëm kjo çështje u diskutua edhe me ekspertët e urbanizmit të Komunës së Prishtinës.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 27 September 2012 14:16

Rahovec – Në fshatin Krushë e Madhe të Rahovecit, të mërkurën janë gjetur eshtra njerëzish. Lajmin e ka bërë sot të ditur Kadri Dellova, kryetar për hulumtimin e krimeve serbe të luftës në Krushë të Madhe.

Sipas tij, në shtëpinë e djegur të Murat Krasniqit, gjatë rrënimit të saj, eskavatoristi Milit H.Duraku ka hasur në disa eshtra të mbetura, që supozohet të jenë të shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës. Këtë e kanë konfirmuar edhe zyrtarë të Stacionit Policor në Rahovec.

Prizren, 27 shtator – Në fshatin Krushë e Madhe disa qytetar derisa po rrëzonin një shtëpi të djegur gjatë luftës kanë hasur në disa eshtra që dyshohet se janë të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës, por që deri tashti lajmin nuk e ka konfirmuar askush.

Kadri Dellova banor i këtij fshati ka thënë për KTV-në se sipas disa dëshmitarëve, këto eshtra mund te jenë të djemve të këtij fshati, të vrarë më 26 mars të vitit 1999 nga paramilitarët serbë. Ai ka thënë se në po të njëjtin vend pas luftës ekipi i patologëve nga Tribunali i Hagës ka gjetur disa varreza masive.

“Neve në Krushë po na habit fakti se edhe pse janë lajmëruar Policia e Kosovës dhe ekipi i Mjekësisë Ligjore deri tani nuk ka ardhur askush për të bërë hapjen, zhvarrimin dhe kërkimin e eshtrave të tjerë, e as të bëjë ekzaminimin”, ka thënë Dellova.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 02 August 2012 13:38

Prishtinë – Pas dy viteve punë intensive, ka përfunduar hulumtimi i lokacionit në Zhilivodë. Ekspertët e EUELX-it nga Departamenti për Mjekësi Ligjore (DML) nuk kanë gjetur mbetje mortore të njerëzve në këtë lokacion, hulumtimi i të cilit është bërë me urdhër të gjykatës.

“Hapësira që ishte lëndë e interesimit dhe e cila ishte përcaktuar në urdhrin e gjykatës përfshinte rreth shtatë mijë metra katrorë dhe përbëhej prej dymbëdhjetë minierave të thëngjillit të lidhura me tunele. Ato janë gërmuar përgjatë njëzet e katër javëve të punës më 2011 dhe 2012. Për shkak të karakteristikave të lokacionit është dashur që të hulumtohet e tërë zona. Aty nuk u gjetën mbetje mortore të njerëzve”, ka thënë Krassimir Nikolov, ushtrues i detyrës së Bashkëkryesuesit (EULEX), në Departamentin e Mjekësisë Ligjore (DML).

Sipas EULEX-it zjarri i fundit që e përfshiu këtë lokacion në Zhilivodë nuk ka mundur ta shkatërrojë ndonjë dëshmi të mundshme meqë zjarri ishte vetëm sipërfaqësor.

“DML i EULEX-it vazhdon të jetë i përkushtuar për përcaktimin e fatit të personave të pagjetur në Kosovë dhe do ta vazhdojë kërkimin për mbetjet mortore të njëzet e pesë personave për të cilët disa kanë menduar se gjenden në Zhilivodë”, thuhet në një komunikatë të EULEX-it.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 02 June 2012 14:56

Mitrovicë – Eshtra njerëzish janë gjetur të shtunën gjatë punimeve në ndërtimin e një objekti para hyrjes së spitalit të ri në Mitrovicë, me ç’rast dyshohet për varrezë masive në këtë vend.

Bajram Çerkini, kryetar i OJQ-së ‘Zëri i prindërve’ u shpreh të jetë i bindur se bëhet fjalë për një varr të freskët, meqë aty vërehet qartë gëlqerja, pastaj shtrati, mbulesat batanije etj. “Kjo është një gropë në të cilën ndodhen eshtrat jo vetëm të një trupi, por ska dyshim se bëhet fjalë për varrezë masive”, ka thënë Çerkini.  Sipas tij, në bazë të fqinjëve që jetojnë këtu afër, në këtë vend prej viteve të 90-ta ka pasur gjithmonë pjesëtarë të policisë dhe ushtrisë serbe, prandaj dyshohet për një ekzekutim të njerëzve të pafajshëm gjatë luftës së fundit nga ana e tyre

Rastin e ka konfirmuar edhe policia ne Mitrovice, zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicë, Besim Hoti ka theksuar se policia ka dalё nё vendngjarje duke siguruar lokacionin, ndërkohë që priten ekspertë të mjekësisë ligjore nga Prishtina. Ndërsa vendi ku janë gjetur eshtrat ndodhet shumë pranë objektit, i cili më parë ka qenë kazermë e ish-armatës jugosllave. (LajmeShqip.com)