Lajme Shqip Thursday, 07 March 2013 09:20

Karlo Ançeloti i është gëzuar shumë kualifikimit të skuadrës së tij në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve, duke vazhduar të jetë në garë për të gjitha aktivitetet e rëndësishme ku PSZH merr pjesë.

“Duke parë atë që kemi dhuruar në dy ndeshjet, mendoj se kualifikimi është mëse i merituar, edhe pse në këtë ndeshje të dytë kemi luajtur shumë të tensionuar”, pranoi trajneri italian i skuadrës franceze.

“Është paradoks por kemi luajtur më mirë pas golit të Valencias dhe reagimi i skuadrës ishte i menjëhershëm. Pas golit, për disa minuta na përfshiu frika se mos eliminoheshim, por skuadra reagoi mirë dhe gjeti shumë shpejt golin e barazimit”, tha ai pas ndeshjes të përfunduar me rezultatin 1-1.

Më pas, trajneri italian ka komentuar edhe problemet që skuadra e tij shfaqi në sulm, ku ndjehej mungesa e Zlatan Ibrahimoviç që është kthyer në një pikë referimi për parisienët në këtë sezon.

“Zlatan është i rëndësishëm për ne, por këtë radhë të tjerët u paraqitën shumë mirë. Gameiro dhe Matuidi bënë diferencën. Futja në fushë e Gameiro ishte çelësi që zgjidhi ndeshjen. Ndërsa Matuidi ishte fantastik, aktualisht ai është ndër lojtarët më të mirë në Evropë në rolin e tij”, tha Ançeloti për mesfushorin francez. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 06 March 2013 23:13

PSZH është çerekfinalist në Ligën e Kampioneve pasi ka kaluar jo pa vështirësi Valencian. Ndonëse ndeshja e luajtur në Paris është mbyllur në barazim 1-1, skuadra e drejtuar nga Karlo Ançeloti ka kaluar në turin tjetër falë rezultatit të takimit të parë të luajtur në Spanjë, ku francezët fituan me rezultatin 2-1.

Pa Ibrahimoviç në fushën e lojës, PSZH nuk është dukur aq kërcënues dhe nga ky fakt kanë përfituar spanjollët, të cilët kanë krijuar lojë dhe raste për të shënuar. Falë trysnisë së tyre ka ardhur edhe goli i avantazhit, me autor Xhonas, në minutën e 55-të të takimit, duke hapur kualifikimin, pasi tashmë Valencia ishte vetëm një gol larg kalimit të turit.

Por për të shpëtuar Ançelotin ka menduar Ezekuiel Laveci, i cili ka gjetur rrugën e rrjetës ashtu si në sfidën e parë mes dy skuadrave, duke barazuar shifrat në minutën e 66-të të ndeshjes. Më pas, Ançeloti ka udhëzuar skuadrën e tij të mbronte këtë rezultat, duke preferuar të mos rrezikojë dhe parisienët kanë rezistuar deri në vërshëllimën përfundimtare për të siguruar kalimin në turin tjetër të Ligës së Kampioneve. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 13 February 2013 10:03

Karlo Ançeloti nuk ka kursyer kritikat ndaj gjyqtarëve pas fitores 2-1 të PSZH në Ligën e Kampioneve, për dy episode që sipas tij i kanë dhënë mundësinë Valencias të qëndrojë në garë dhe të rrezikojë kualifikimin e parisienëve.

“Ndërhyrja e Ibrahimoviç është një faull normal, nuk e kuptoj se si mund të jepet kështu një karton i kuq. Kjo është shumë e pabesueshme për mua. Edhe goli i anuluar i Verratit ishte i rregullt, nuk kishte pozicion jashtë loje”, tha trajneri italian për episodin që do të çonte ndeshjen në rezultatin 3-0 për skuadrën e tij.

“Skuadra në fushën e lojës u shpreh shumë mirë, duke bërë gjëra të rëndësishme si nga ana mbrojtëse, ashtu edhe në aspektin sulmues. Jam shumë i lumtur për atë që djemtë arritën të shprehin në fushën e lojës ndaj një skuadre të mirë si Valencia.”.

“Por edhe në ndeshjen e kthimit duhet shumë kujdes, ishte një mëkat që pësuam golin e Rami në minutën e fundit dhe më pas erdhi karton i kuq i Ibrahimoviç”, tha ai për sulmuesin suedez që do të mungojë në sfidën e dytë, ashtu si mesfushori Verrati të cilit iu bënë dy kartonë të verdhë pas atij që mori mbrëmë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 12 February 2013 23:30

Paris Sent Zhërmen ka marrë një rezultat shumë të rëndësishëm për kualifikimin në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve, duke fituar në fushën e Valencias me shifrat 2-1. 

Dukej se Ançeloti kishte ndarë mirë detyrat për skuadrën e tij në këtë transfertë në Spanjë, duke treguar se e ka marrë seriozisht aktivitetin. Ndonëse me Ibra, Laveci, Pastore, Verrati e Lukas njëkohësisht në fushë, PSZH është e organizuar dhe nuk i lejon asnjë hapësirë kundërshtarëve.

Ndërkohë, kombinimi Pastore-Laveci sjell golin e parë të PSZH që në minutën e 10-të, duke shfrytëzuar edhe një ndërhyrje aspak të sigurt të portierit Guaita. Më pas, PSZH kthehet mbrapa dhe shfrytëzon kundërsulmin, i cili është ai që sjell golin e dytë në minutën e 43-të kur Lukas pason për Pastoren që dyfishon rezultatin për ekipin e tij.

Por PSZH nuk arrin të shënojë golin e tretë për të mbyllur ndeshjen dhe ndëshkohet në minutën e 90-të, kur Rami me kokë shkurton diferencën duke bërë më pak të hidhur këtë rezultat. Për të ndihmuar disi spanjollët mendon edhe Ibrahimoviç, i cili bën një ndërhyrje të ashpër ndaj Guardado dhe largohet me karton të kuq në minutën e 92-të, që do të thotë se do të mungojë në ndeshjen e kthimit që luhet në Francë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 11 February 2013 20:01

Trajneri i Valencias, Ernesto Valverde, mendon se mbrojtësi francez i skuadrës së tij, Adil Rami, mund të ndalë pa probleme Zlatan Ibrahimoviç në përballjen me PSZH në Ligën e Kampioneve. Spanjollët luajnë në shtëpi ndeshjen e parë dhe tekniku mendon se ekipi që drejton mund të shfaqet si i barabartë me skuadrën që ka mbledhur një tufë lojtarësh të mirë duke shpenzuar shuma të çmendura në merkato.

“Ibrahimoviç është një lojtar i madh, duhet të jemi të ndërgjegjshëm për këtë, jo vetëm Rami, por e gjithë mbrojtja jonë. Ai është një lojtar i aftë për gjëra të mahnitshme, jo vetëm për shkak të shtatlartësisë, por edhe gjithashtu për mënyrën si luan. Ai është një golashënues që kthehet shumë mbrapa për të marrë topin kur skuadra e tij nuk po luan mirë”, tha Valverde.

“Por ne jemi të bindur se Rami mund të merret lehtësisht me Ibrahimoviç, ashtu si edhe me lojtarët e tjerë të PSZH, pasi kjo skuadër nuk është vetëm Ibra”.

Trajneri mendon se ekipi i tij mund të përmbysë çdo parashikim duke luajtur si i barabartë dhe duke kërkuar kualifikimin përballë francezëve, ndonëse që në momentin e shortit të gjithë kanë parashikuar kualifikimin e lehtë të PSZH.

“Po kalojmë një formë të mirë dhe jemi të motivuar. Ndeshje të këtij lloji janë një mundësi e shkëlqyer për ne, janë mundësi që i kemi para dhe nga të cilat duhet të përfitojmë”, tha Valverde. “Shorti ishte para shumë kohësh dhe tani jemi në një pozicion më të mirë”. (LajmeShqip.com)