Lajme Shqip Friday, 08 March 2013 18:26

Valdet Rama do të veshë fanellën e kombëtares shqiptare të futbollit në ndeshjen kundër Norvegjisë, duke bërë debutimin e tij me kuqezinjtë. Mesfushori që ka kaluar te Real Vajadolid gjatë merkatos së janarit, ka bindur trajnerin De Biasi i cili ka dhënë “ok” që ai të grumbullohet dhe të jetë një armë më shumë për takimin e Oslos.

Lajmi është dhënë nga mediat spanjolle, të cilat e kanë konfirmuar në burimet pranë klubit të tij. Rama ndiqej prej kohësh nga stafi i përfaqësueses shqiptare por vendimi për afrimin tij pranë kombëtares kuqezi është marrë pasi ai siguroi kalimin nga kampionati suedez në radhët e Real Vajadolid në Spanjë. Edhe pse nuk është aktivizuar ende me skuadrën spanjolle, ai pritet që shumë shpejtë të ketë mundësinë për të dhënë kontributin e tij në javët e mbetura të këtij sezoni, ndërsa kjo skuadër është qetësisht në mesin e tabelës së klasifikimit.

Rama është një mesfushor krahu ofensiv dhe pritet që të jetë një alternativë më shumë për lojën e kuqezinjve në ndeshjen ndaj Norvegjisë. Ndonëse De Biasi nuk ka publikuar ende listën e kombëtares, pritet që ajo të ketë më shumë lojtarë se zakonisht, pasi katër ditë pas takimit zyrtar me Norvegjinë, Shqipëria de të luajë një miqësore me Lituaninë në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 07 February 2013 18:01

Valdet Rama mund të jetë emri i ri i kombëtares shqiptare të futbollit, pasi ka zgjuar interesimin e trajnerit të përfaqësueses kuqezi, Xhani De Biasi. Sipas asaj që ka deklaruar vetë futbollisti për mediat kosovare, ai së shpejti do të veshë fanellën kuqezi.

“Jam i interesuar t’i bashkohem Kombëtares së Shqipërisë. E di që kam kualitetin që kërkohet për të luajtur për të. Besoj se do të isha i vlefshëm. Kam ndjekur ndeshjet e Shqipërisë dhe mendoj se do mund të luaja në disa pozicione, në krahun e majtë të mesfushës, krahun e djathtë apo edhe në mes”, ishin fjalët e mesfushorit për “Koha Ditore”.

Nuk bëhet e qartë nëse siç pretendohet ka pasur një telefonatë mes tij dhe trajnerit Xhani De Biasi, por përfaqësues të FSHF-së do të udhëtojnë shumë shpejt drejt Spanjës për ta takuar atë dhe për të filluar procedurat e pajisjes së tij me pasaportën shqiptare.

Valdet Rama është një emër që ka qarkulluar prek kohësh në FSHF por asnjëherë nuk është konkretizuar interesimi i tij, ndonëse ai ka spikatur që në moshë të re me ekipin e Volfsburg.

Në rastet kur ai është thirrur për grumbullim më përfaqësuesen U-21, dëmtimet e kanë bërë të pamundur ardhjen e tij në Shqipëri, ndaj tani, pasi u afirmua si futbollist dhe u transferua te Real Vajadolid, më në fund duket se po bëhet realitet dëshira e lojtarit për të veshur fanellën e kombëtares shqiptare të futbollit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 01 February 2013 09:45

Valdet Rama është prezantuar si blerja e re e skuadrës së Real Vajadolid, me të cilën ka lidhur fillimisht një kontratë deri në fundin e sezonit, me të drejtë rinovimin e saj nëse gjërat shkojnë siç pritet nga të dy palët. Lojtari që aktivizohej në Suedi me Orebro, ka zgjidhur personalisht kontratën me klubin e mëparshëm, për t’iu bashkuar ekipit spanjoll.

“Jam shumë krenar dhe i lumtur që më jepet kjo mundësi për të luajtur te Real Vajadolid. Do të bëj maksimumin për të dhënë më të mirën time dhe për t’iu përgjigjur besimit që drejtuesit e klubit kishin ndaj meje. Tani dua të tregoj më të mirën dhe të bind të gjithë për rendimentin tim dhe se mund të qëndroj këtu për shumë vite me radhë”, tha ai në konferencën për shtyp të prezantimit para mediave spanjolle.

Lojtari kosovar, që ka edhe pasaportën gjermane, ka shpjeguar pak se si luan ai, ashtu si edhe sa njohuri ka për skuadrën e re.

“Kur luaj në krahun e majtë, pozicion në të cilin jam aktivizuar më shumë zakonisht, kam tendencën të depërtoj në qendër dhe të kërkoj më shumë portën. Ndërsa në të djathtën kam më shumë prirje për të bërë harkime në zonë”.

“E njoh Real Vajadolid pasi ndjek kampionatin spanjoll dhe njoh edhe lojtarët e kësaj skuadre si Ebert. Meqë menaxheri im më tha që në fillim të muajit se ekzistonte mundësia për transferim në këtë skuadër, kam ndjekur me vëmendje ndeshjet e këtij ekipi dhe më pëlqen mënyra se si ka luajtur”, deklaroi Rama në ditën e prezantimit të tij si lojtari i ri i Real Vajadolid.

Mesfushori kosovar ka qenë shpesh në planet e drejtuesve të FSHF për ta afruar me kombëtaren shqiptare, që nga periudha kur shpërtheu te të rinjtë e Volfsburg, por dëmtimet apo problemet me transferimet nga një skuadër në tjetrën kanë bërë që atij të mos i jepet ende një mundësi për të veshur fanellën kuqezi. (LajmeShqip.com)