Lajme Shqip Monday, 16 December 2013 11:14

Tiranë-Të gjitha linjat e autobusëve në kryeqytet kanë nisur sot një protestë, të lajmëruar që më parë, për pagat e shoferëve dhe fatorinove. Greva ka nisur në orën 05:30 të mëngjesit dhe pritet të vijojë deri në orën 08:30. Autobusët qëndrojnë pa lëvizur në stacione, ndërsa qindra qytetarët po ecin në këmbë.

Sindikatat e punonjësve të Transportit Urban në Tiranë kërkojnë rritjen e pagave për punonjësit e linjës urbane dhe rritje të çmimit të biletës ose ribursim të saj nga ana e shtetit. Po kështu, linjat e urbanëve, kërkojnë uljen e akcizës së naftës.

Ndërkohë, njoftimi për zhvillimin e grevës është vendosur në çdo mjet të transportit publik në kryeqytet. Në njoftim shkruhet:  “Njoftohen qytetarët se ditën e hënë, datë 16.12.2013, transporti i shërbimit urban në Tiranë do të fillojë në orën 08:30. Nga ora 5:30 deri në orën 8:30, Shoqata e Punonjësve ka shpallur grevë”.

 

Kreu i sindikatës: Grevë 24-orëshe nëse nuk plotësohen kërkesat tona

I pyetur nga mediat, kreu i Sindikatës së Punonjësve të Transportit Urban, Zija Hasanaj, ka sqaruar se shkak për nisjen e grevës është mosmarrja e pagave të shoferëve dhe fatorinove prej disa muajsh. Ndërkaq, kërkesa e sindikatës drejtuar Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Ekonomisë, konsiston në vendosjen e çmimeve dhe tarifave të tjera të biletës, si dhe ribursimin e biletave të studentëve dhe personave në nevojë.

Hasanaj ka paralajmëruar, se nëse qeveria nuk merr asnjë masë për kërkesat e tyre, ditën e hënë të javës së ardhshme do të zhvillohet grevë 24-orëshe.

Ndërkohë prej kohësh, Shoqata e Transportit Urban Qytetas ka ngritur shqetësimin për situatën e vështirë ekonomike në të cilën ndodhen kompanitë. Kjo për shkak të çmimit të rritur të karburantit, investimeve me mjete të reja dhe mossubvencionimit nga qeveria, për grupet që udhëtojnë pa pagesë.