Lajme Shqip Thursday, 15 August 2013 10:48

Prishtinë – Ministria e Punëve të Jashtme po e kërkon me ngulm fundin e UNMIK-ut.

Ministri Enver Hoxhaj ka thënë në një prononcim për gazetën Tribuna se prezenca e UNMIK-ut dhe Rezoluta 1244 janë duke e rënduar procesin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Gazeta ka raportuar një ditë më parë se institucionet e Kosovës po i druhen pamundësisë së ndryshimit të Rezolutës 1244 dhe përfundimit të misioneve ndërkombëtare në Kosovë, duke bërë kështu që vendi të mbetet në një protektorat të vazhdueshëm edhe pas më shumë së pesë vjet prej shpalljes së pavarësisë.

 
Lajme Shqip Monday, 08 July 2013 19:44

 

Bukuresht – Ministri i jashtëm i Rumanisë, Titus Corlatean, sot në Bukuresht është takuar me shefin e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Farid Zarif, me ç’rast është biseduar për këtë mision, pas arritjes së Marrëveshjes për normalizim ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Ministria e jashtme e Rumanisë ka njoftuar se në takim është shqyrtuar edhe zhvillimi i dialogut Beograd – Prishtinë, gjatë muajve të fundit, zbatimi i marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe afrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.
Ministri Corlatean ka theksuar interesin e Rumanisë për stabilizimin e përhershëm të rajonit, për eliminimin e shkaqeve të mosmarrëveshjeve dhe për reforma, të cilat mund të kontribuojnë në realizimin e kritereve në raport me BE-në.
“Perspektiva evropiane është stimulim i fuqishëm dhe mobilizues për të gjithë aktorët rajonalë”, tha ministri rumun.
Shefi i UNMIK-ut, Fardi Zarif, e ka përshëndetur “kontributin e rëndësishëm” të Rumanisë në stabilizimin e rajonit dhe për misionin ndërkombëtar në Kosovë.