Lajme Shqip Monday, 10 February 2014 13:32

Ka dhënë dorëheqje edhe Kryetari i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, Muharrem Nitaj.

“Në pamundësi për të kryer detyrat në përputhje me kompetencat që kam dhe duke mos dashur të jem pjesë e një dështimi katastrofik në Universitetin e Prishtinës, jap dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Këshillit Drejtues të UP-së”, shkruan në arsyetimin e tij, kryetari i Këshillit Drejtues të UP-së, Muharrem Nitaj.

Ai ka shkruar se situata e krijuar në Universitetin e Prishtinës, është më e rënda e krijuar që nga viti 2000, dhe sot janë atakuar funksionet më vitale të tij. Në një situatë të tillë, kërkohen vendime të rëndësishme për Universitetin dhe në pamundësi për t’i ndërmarrë ato nga pozita që kam, vendimi më i arsyeshëm për mua, është dorëheqja e parevokueshme.

“Do të ishte katastrofike sikur rënia e Universitetit të Prishtinës, të shënonte fillimin e rënies së shtetit, prandaj studentët, profesorati dhe opinioni publik do të duhej të viheshin në mbrojtje të tij. Politika edhe këtë herë e ka plagosur rëndë institucionin më të lartë të dijes në vend! “, ka shkruar Nitaj. 

 
Lajme Shqip Sunday, 09 February 2014 00:04

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ibrahim Gashi, sonte ka njoftuar për dorëheqjen e tij. Dorëheqja e Gashit, vjen pas protestave të vazhdueshme të studentëve, pas publikimit të lajmit se ai ka qenë autor i punimeve shkencore që janë publikuar në revista të rreme.

Kjo ishte kërkesa e parë e studentëve protestues. Ata kërkojnë edhe dorëheqjen e Këshillit Drejtues dhe kanë një sërë kërkesash tjera që kanë të bëjnë kryesisht me funksionimin më të mirë të Universitetit të Prishtinës.

Gashi, në njoftimin e tij për dorëheqje që e ka bërë në lajmet qendrore të Radio Televizionit të Kosovës, ka thënë se nuk ka mundur ta përballojë gjithë këtë presion dhe se shpreson që pas tij, do të zgjedhet rektor dikush që do të punojë mirë në UP.

E pas Gashit, menjëherë ka dhënë dorëheqje edhe prorektori për mësim i Universitetit të Prishtinës, Nuri Bexheti.

NJOFTIM

I ndërgjegjshëm për situatën e krijuar në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”dhe duke mos e përjashtuar veten as nga sukseset e as nga dështimet e tij, unë Nuri Bexheti, prorektor për mesimdhënie dhe çështje të studentëve, jap dorëheqjen time të parevokueshme nga kjo pozitë.

E marr këtë vendim me bindje se kjo do t’i kontribuojë para së gjithash qetësisë në Universitetin e Prishtinës dhe zgjidhjes së të gjitha çështjeve të hapura.

Kolegëve që tashmë e kanë marrë mandatin që të qojnë këtë institucion në zgjedhje të reja, iu uroj sukses dhe shpreh bindjen time se Universiteti I Prishtinës do t’i mbijetojë goditjeve më të ulëta që ndonjëherë janë bërë ndaj tij.

Me respekt,

Nuri Bexheti 

 
Lajme Shqip Friday, 24 January 2014 16:33

Prishtinë-Një grup studentësh të përkrahur edhe nga Organizata Studentore, kanë protestuar para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, duke kërkuar dorëheqjen e rektorit Ibrahim Gashi. Veç kësaj ata kanë kërkuar edhe heqjen e politikës nga Universiteti, respektivisht ndikimin e partisë në pushtet në institucionet arsimore, transmeton KTV .

 “Kërkesat tona janë, dorëheqja e menjëherë e rektorit Ibrahim Gashi, inicimi i hetimeve për të gjitha keqpërdorimet që janë bërë gjithë këto vjet në UP, si dhe largimi i politikës veçanërisht partisë në pushtet nga Universiteti”, ka thënë Roland Sylejmani, një nga organizatorët e protestës. 

Për rreth një orë studentët protestues kanë kërkuar që të dalë dikush nga rektorati për të biseduar me ta por kjo nuk ka ndodhur dhe pas një ore studentët janë shpërndarë të qetë. Ata kanë paralajmëruar se protesta të tilla do të ketë deri sa të njoftohen se është shkarkuar rektori Gashi ose ka dhënë dorëheqje. Pjesëtarë të Policisë së Kosovës gjatë tërë kohës kanë qëndruar në oborrin e rektoratit. Rektorati dyert i pati të mbyllura edhe për gazetarët. /Koha/

Foto: Koha/ 

 
Lajme Shqip Thursday, 23 January 2014 18:13

Një grup studentësh të përkrahur edhe nga Organizata Studentore, kanë marrë një iniciativë për të protestuar nesër nga ora 13:30 para Rektoratit për të kërkuar dorëheqjen e rektorit Ibrahim Gashi.

Përveç dorëheqjes së rektorit Gashi, studentët kërkojnë edhe heqjen e politikës nga Universiteti respektivisht ndikimi i partisë në pushtet në institucionet arsimore.

“Nesër nga ora 13:30 do të protestohet përpara rektoratit me kërkesën për dorëheqje të rektorit Ibrahim Gashi për shkak të skandaleve të fundit.

Protesta është organizuar nga një grup studentësh me përkrahjen e Organizatave Studentore si SKV dhe Klubi Politik i Studentëve”, ka thënë Roland Sylejmani, një nga organizatorët e protestës.

“Kërkesat tona janë, dorëheqja e menjëherë e rektorit Ibrahim Gashi, inicimi i hetimeve për të gjitha keqpërdorimet që janë bërë gjithë këto vite në UP si dhe largimi i politikës veçanërisht partisë në pushtet nga Universiteti.

Ne konsiderojmë se janë pikërisht ata që e kanë sjellë këtë institucion në gjendjen çfarë është tani”, ka shtuar më tutje Sylejmani.

Protesta është lajmëruar edhe në organet e rendit të Policisë së Kosovës dhe gjithçka do të bëhet në koordinim me ta.

Ky organizim studentorë u bënë thirrje të gjithë studentëve që nesër të dalin dhe të përkrahin fuqimisht këtë iniciativë e cila ka për qëllim përmisimin e gjendjes në Universitetin Publik. /Zëri/

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 22 January 2014 12:00

Rektori, një dekan dhe disa profesorë të UP-së kanë publikuar gjatë dy vjetëve punime në një “revistë shkencore” të Indisë dhe kjo u ka shërbyer për t’u avancuar në grada akademike. Kanë mashtruar me këto publikime, shkruan sot “Koha Ditore”. Ajo është një revistë e rreme dhe publikon çfarëdo përmbajtjeje, në rast se autori paguan një shumë parash. E tregon këtë shembulli i Filan Fistekut me “Manifestin” e Marksit 

Duke vepruar në kundërshtim me etikën, është marrë “Manifesti” i Marksit. Fillimisht i është ndërruar titulli nga “Parimet e komunizmit” në “Parimet e menaxhimit të manifestuar në universitetin publik në një vend në zhvillim: rasti i Kosovës”. Pastaj është kopjuar përmbajtja e 12 pikave të para të “Manifestit” dhe me disa ndryshime është përcjellë për botim në revistën e Indisë.

Mashtrimet që ka bërë Universiteti më i madh publik që ka Kosova nuk ndërlidhen vetëm me kuadrin akademik. Ky institucion, imazhi i të cilit ka rënë me të madhe pas lufte, ka paguar gati 3 900 euro në 2012-n, për një “çmim” me vlerë të dyshimtë./Koha/