Lajme Shqip Wednesday, 28 December 2011 16:39

Samir Ujkani tashmë është gati për skenën e rëndësishme dhe nga sezoni i ardhshëm do të jetë përsëri pjesë e skuadrës së Palermos, ku do t’i jepet mundësia për të qenë titullar. Lajmi është konfirmuar “indirekt” nga presidenti i ekipit që zotëron gjysmën e kartonit të futbollistit shqiptar, Mauricio Zamparini, i cili ka hedhur poshtë çdo hipotezë për afrimin e portierëve të tjerë.

Duke folur për gjendjen e skuadrës dhe duke uruar që Palermo të mbetet mes 10 skuadrave më të mira në Itali, Zamparini ka bërë të qartë se Ujkani nga qershori do të kthehet përsëri në radhët e skuadrës siciliane. “Konsilji nga Atalanta? E përgënjeshtroj këtë mundësi. Ne kemi tashmë Benusin si alternativë dhe në qershor do të na kthehet Ujkani nga Novara. Në portë jemi rregulluar mirë”, ishin fjalët e presidentit të Palermos.

Aktualisht, portier titullar në radhët e kësaj skuadre është greku Tzorvas por ky i fundit nuk ka shkëlqyer në ndeshjet e fundit dhe mosha e tij (29 vjeç) nuk e bën atë një alternativë për të ardhmen. Si rrjedhojë, Palermo ka menduar që të kthejë në origjinë Ujkanin duke i propozuar rinovimin e kontratës dhe duke i dhënë mundësinë që të jetë titullar.

Gardiani i kombëtares shqiptare ka qenë titullar i padiskutueshëm në portën e Novarës për tre sezonet e fundit, i dhënë hua nga Palermo. Falë paraqitjeve të tij të shkëlqyera, Novara arriti të ngjitej nga Seria C në Serinë A dhe kjo ka bërë që Ujkani të jetë në vëmendjen e shumë klubeve të rëndësishme italiane. Vetë lojtari ka theksuar edhe më parë se do të pranonte një kthim në Palermo nëse do të kishte mundësinë që të luante titullar, në të kundërt do të kërkonte transferimin përfundimtar në radhët e një ekipi që do i mundësonte aktivizimin e vazhdueshëm. (LajmeShqip.com)