Lajme Shqip Friday, 23 March 2012 10:04

Kombëtarja shqiptare e futbollit U-17 nuk ka arritur të tregojë thuajse asgjë në ndeshjen e parë të raundit elitë për Kampionatin Evropian, duke u mundur 4-0 nga Holanda.

Në një takim që ka folur krejtësisht për vendasit, kombëtarja shqiptare e drejtuar nga Xhemal Mustedanagiç, i ka rezistuar vetëm një pjesë loje Holandës, e cila luan në fushën e saj pasi e organizon këtë mini-turne.

Në minutë e 26-të, De Vilhena ka patur mundësi të kalojë menjëherë në avantazh ekipin e tij, por ka humbur një penalti përballë portierit Teqja duke e dërguar topin jashtë. Megjithatë, ai ka përfituar nga një pasiguri e mbrojtjes për të shënuar në minutën e 37-të, duke mbyllur pjesën e parë në avantazh të vendasve.

Fillimi i pjesës së dytë është shkatërrimtar për kombëtaren kuqezi që pëson 3 gola të shpejtë brenda 5 minutash, nga e minuta e 47 deri në minutë e 52-të me anë të De Vilhena, Haje dhe Vloet. Fatmirësisht, portieri Teqja ka pritur penalltinë e Ake në minutën e 63-të për të evituar një disfatë edhe më të rëndë.

Si rrjedhojë, kuqezinjtë janë mundur 4-0, ndonëse janë përgatitur për një muaj që të marrin pjesë në mënyrë sa më dinjitoze në këtë turne dhe ishin përforcuar edhe me 3 lojtarë me origjinë kosovare që luajnë në kampionatet evropiane, Beqiri, Murati dhe Lokaj. Gjithsesi, prova e parë ka qenë zhgënjyese pasi skuadra kuqezi ka regjistruar vetëm një gjuajtje në portën kundërshtare gjatë të gjithë ndeshjes.

Nesër, ata kanë një provë më të vështirë duke luajtur përballë Serbisë, e cila ka fituar ndeshjen e saj të parë 1-0 përballë Irlandës dhe është pretendente për të kaluar në fazën finale, ku kualifikohet vetëm ekipi i parë i grupit. (LajmeShqip.com)