Lajme Shqip Monday, 28 May 2012 16:02

Tiranë – Pedagogët dhe i gjithë stafi i Universitetit “Kristal” do të hetohen për rastin e diplomës false të Renco Bossit, i biri i ish-kreut të Lega Nord në Itali. 

I thirrur në komisionin parlamentar të medias dhe arsimit, pikërisht për kriteret e licencimit dhe dhënies së diplomave nga arsimi i lartë privat, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, pranon se arsimi i lartë ka ende sfida. Ai deklaroi se sistemi ynë arsimor, pavarësisht këtij rasti, nuk është i imunizuar nga shkeljet. Tafaj shtoi se është detyrim që “çdo shkollë private të ruajë regjistrat dhe amzat”. 

“Kristali s’ka pasur asnjëherë vlerësim maksimal. Është vlerësuar për investime në hapësira e staf pedagogjik”, tha Tafaj. Ministri i Arsimit theksoi se nga mbi 40 institucione të arsimit të lartë në Shqipëri, vetëm 3 privatë e kanë statusin e universitetit, pasi ofrojnë dhe diplomë të nivelit të tretë, pra për master e doktoraturë.

Nga kontrollet e bërë tek Universiteti “Kristal”, para skandalit të diplomës të Renco Bosit, sipas ministrit, cilësia rezulton të ketë qenë mesatare. Ky universitet , të cilit tashmë i është pezulluar licenca, është vlerësuar kryesisht për stafin pedagogjik dhe auditoret që ka krijuar për studentët e vet. Ndërsa për opozitën situata me arsimin e lartë privat është dëshpëruese, sipas të djathtëve, kjo është një trashëgimi e socialistëve.

Tafaj nënvizoi se rruga për ta kthyer potencialin sasior të universiteteve në potencial cilësor është e gjatë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 23 May 2012 16:15

Tiranë -Këshilli i Ministrave vendosi sot “pezullimin e pjesshëm dhe të përkohshëm të liçencës së shkollës së lartë universitare jopublike, universiteti “Kristal”,  për të gjitha programet në të dyja ciklet e studimit, që ofron ky institucion i arsimit të lartë”.

Sipas vendimit të publikuar në faqen e Këshillit të Ministrave thuhet se “Shkolla e lartë universitare jopublike, universiteti “Kristal”, gjatë periudhës së pezullimit, nuk do të pranojë studentë të rinj në asnjë nga programet e studimit që ky universitet ofron”. Në vendim saktësohet se “periudha e pezullimit të licencës së këtij institucioni të arsimit të lartë zgjat për 1 (një) vit, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi”.

“Shkolla e lartë universitare jopublike, universiteti “Kristal”, ndërmerr masat e duhura që studentët e regjistruar pranë këtij institucioni të vijojnë apo të përfundojnë studimet në programet përkatëse, sipas kohëzgjatjes normale. Ministria e Arsimit dhe Shkencës, gjatë periudhës së pezullimit, merr masat për ushtrimin e inspektimit periodik, çdo 3 (tre) muaj, në këtë institucion, për përmirësimet e bëra në përmbushjen e standardeve shtetërore të cilësisë”, thuhet më tej në vendimin e qeverisë.

Githashtu në vendim sqarohet se “në përfundim të periudhës së pezullimit të licencës, shkolla e lartë universitare jopublike, universiteti “Kristal”, i nënshtrohet akreditimit institucional sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi. Në përfundim dhe në varësi të rezultatit të procesit të akreditimit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës propozon masat përkatëse për këtë institucion të arsimit të lartë”. (LajmeShqip.com)