Lajme Shqip Wednesday, 05 October 2011 13:24

Tiranë – Paketa e propozimeve të Partisë Socialiste për uljen e TVSH-së për ushqimet dhe ilaçet, nuk shihen si zgjidhja e mundshme për uljen e barrës mbi konsumatorin nga ekspertë të ekonomisë.

Anëtari i Komisionit parlamentar të Ekonomisë, deputeti i Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu deklaroi se ulja e TVSH-së për produktet e konsumit nuk shihet aspak si një zgjidhje, pasi nuk do të ulte koston e tyre.

“Ulja e TVSH-së që propozohet nga PS-ja është vetëm një politikë populiste dhe me prapaskena politike”, tha Shehu.

Në këtë drejtim ai shtoi se nuk ka mekanizëm që tregon se efekti i uljes së TVSH-së shndërrohet në ulje të çmimeve të mallrave të konsumit për konsumatorët.

“Në këtë situatë në mënyrë të natyrshme dalim në konkluzionin se kjo nuk është taksë për të favorizuar qytetarët, por tregarët”, nënvizoi ai.

Shehu theksoi se TVSH-ja nuk është në planet e maxhorancës për t’u riparë. Duke u ndalur konkretisht në TVSH-në për ilaçet, Shehu tha se koston e rirtjes së çmimit nga vendosja e TVSH-së për ilaçet e mbulon ISKSH-ja me fondet e saj.

Partia Socialiste dërgoi një ditë më parë në Kuvend draft- propozimin për tatimin e vlerës së shtuar (TVSH).  PS propozon që ilaçet të përjashtohen nga TVSH dhe të mos tatohen produktet e grurit.

“Propozimi i grupit parlamentar të PS është një përpjekje serioze, për të rritur efikasitetin e administratës tatimore, uljen e evazionit të madh fiskal dhe mundësimin e luftës ndaj korrupsionit, me qëllim dhe në funksion të rritjes së konsumit dhe uljes së varfërisë në vend”, thuhet në materialin dërguar sot Kuvendit.

Sipas PS-së, përshkallëzimi i TVSH-së me 0, 10 dhe 20%, teknikisht nuk duhet të sjellë probleme në zbatim, pasi vendosja e kasave fiskale duhej tashmë të kishte ulur në mënyrë të dukshme evazionin fiskal në të gjitha hallkat.

Nevojat për mallrat vaj, sheqer, oriz plotesohen të gjitha nga importi dhe përgjysmimi i TVSH-së për këto mallra do të sillte një efekt në buxhetin e shtetit jo më të madh se 1,8 mld lekë. Ndërsa tatimi me 0% TVSH i grurit, miellit, bukës, qumështit dhe vezëve do të ketë një efekt jo më shumë se 1,9 mld lekë.

 
Lajme Shqip Tuesday, 04 October 2011 16:21

Tiranë – Partia Socialiste propozon një nismë në parlament për heqjen e TVSH-së për disa produkte bazë ushqimore, e cila sipas saj do të ishte e vetmja rrugë për lehtësimin e barrës së rëndë fiskale, që rëndon mbi çdo qytetar shqiptar.

Nisma e re e opozitës, e dorëzuar zyrtarisht në Kuvend, parashikon heqjen e TVSH-së mbi bukën, qumështin, vezët dhe ilaçet, si edhe përgjysmimin e TVSH-së mbi produktet e tjera ushqimore bazë.

“Duke vlerësuar momentet e vështira që po kalojnë shtetasit shqiptarë, rritjen e çmimeve të të gjitha mallrave, si dhe uljen drastike të fuqisë blerëse, deputetët e opozitës propozojnë këtë pr/ligj, me qëllim kryesor për të lehtësuar përballimin e jetesës së shqiptarëve, nëpërmjet lehtësimit të barrës fiskale dhe ndikimit direkt tek çmimi i këtyre produkteve”, thuhet në relacionin e pojektligjit.

 
Lajme Shqip Saturday, 17 September 2011 15:05

Tiranë – Deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, gjatë një konference për shtyp të shtunën, deklaroi se heqja e TVSH-së për produktet bazë ushqimore, do të ishte e vetmja rrugë për lehtësimin e barrës së rëndë fiskale, që rëndon mbi çdo qytetar shqiptar.

Kodheli, njëkohësisht, nënkryetare e komisionit parlamentar të Ekonomisë, bëri sot publike nismën e re të opozitës për heqjen e TVSH-së mbi bukën, qumështin, vezët dhe ilaçet, si edhe përgjysmimin e TVSH-së mbi produktet e tjera ushqimore bazë.

“Ne do të luftojmë në parlament që ky çlirim i rëndësishëm i barrës së taksave mbi familjet shqiptare të ndodhë pa pritur që të vijmë në qeveri. Të shohim si do të reagojë oborri i pushtetit”, tha Kodheli.

Përsa i përket nismave të prezantuara nga opozita, nëse ato janë kushte që PS-ja të ulet për reformën zgjedhore, Kodheli theksoi se, deputetët e majtë janë në parlament për të përcjellë zërin e njerëzve që përfaqësojnë. Sipas saj, të qënit pranë qytetarëve fillon dhe me një nismë, siç është heqja e TVSH-së për produktet bazë ushqimore.