Lajme Shqip Saturday, 29 June 2013 21:44

Turi i Francës ka nisur edicionin e tij të 100-të me një garë shumë kaotike ku ka ndodhur thuajse gjithçka. Një autobus i bllokuar në vijën e finishit ka sjelle ndryshimin e vendit ku do të përfundonte gara, duke shkaktuar kaos te çiklistët që përgatitnin spritnin e si rrjedhojë një rrëzim masiv.

Autobusi, që i përkiste ekipit australian “Orica-GreenEdge”, u bllokua në vijën e finishit, pasi ngeci te barriera e vendosur mbi finish, kur çiklistët ishin vetëm 10 kilometra larg. Organizatorët vendosën të lëviznin finishin, duke e afruar me 3 kilometra, por në momentin kur iu komunikua drejtuesve të skuadrave, kaosi që pasoi mes çiklistëve që po komunikonin me drejtuesit dhe po ndryshonin strategjitë, solli një rrëzim masiv vetëm 6 kilometra nga fundi.

Në atë moment, autobusi u lëviz nga vendi ku kishte ngecur dhe finishi u kthye përsëri në vendin ku kishte qenë. Por sprinti i kësaj etape të parë përfundoi pa disa prej sprinterëve më të mirë në botë, që mbetën të përfshirë në rrëzimin masiv dhe u vonuan për të mbërritur në fundin e etapës.

Si rrjedhojë, etapa e parë i shkoi gjermanit Marcel Kitel, i cili siguroi fitoren e kësaj etape si dhe mori fanellën e parë të verdhë të karrierës së tij. Për shkak të kaosit të krijuar, drejtuesit e garës vendosën që të gjithë çiklistëve t’u njihet koha si e barabartë, ndërsa në mëngjes do të mësohet numri i të tërhequrve pasi shumë çiklistë të rrëzuar kanë pësuar çarje dhe tronditje. (LajmeShqip.com)