12
 
Lajme Shqip Saturday, 20 April 2013 20:33

Prokuroria shqiptare ka filluar me iniciativën e saj, pas disa sinjalizimeve të UEFA-s, një hetim të gjerë për manipulimin e ndeshjeve të futbollit në kampionatin shqiptar. Duke parë se raportet e herëpashershme të UEFA-s të dërguara në adresë të FSHF rreth trukimeve kanë rënë në vesh të shurdhër dhe nuk është marrë asnjë masë konkrete ndaj manipuluesve të rezultateve, institucioni që drejton futbollin evropian ka vendosur që të dërgojë një kopje edhe në Prokurorinë e Përgjithshme të Shqipërisë, e cila është vënë menjëherë në lëvizje.

Gjatë javëve të fundit, janë siguruar përgjimet e telefonatave të drejtuesve të klubeve për ndeshjet që dyshohet si të manipuluara. Më pas, janë marrë në pyetje si vetë këto drejtues klubesh, ashtu edhe gjyqtarët e takimeve në fjalë apo edhe futbollistë.

Gjithçka është zhvilluar thuajse në fshehtësi të plotë si dhe është vendosur të anashkalohet FSHF, e cila deri tani nuk ka mbajtur një qëndrim konkret ndaj rasteve të dyshuara për manipulime.

Sipas asaj që ka publikuar sot e përditshmja sportive shqiptare “Panorama Sport”, një nga emrat që po hetohet aktualisht është ai i presidentit të Besës, Nexhat Bizhdili, nga përgjimet e telefonatave të të cilit është arritur në konkluzionin se ai kishte gisht në manipulimin e ndeshjeve. Ndonëse Bizhdili e ka hedhur poshtë këtë hipotezë, mendohet që Prokuroria e Përgjithshme ka prova të pakundërshtueshme të implikimit të tij, pasi në përgjimet telefonike në fjalë, numri 1 i skuadrës kavajase ka dhënë disa rezultate ndeshjesh, të cilat më pas janë konfirmuar saktësisht në fushën e lojës.

Nuk është bërë e ditur ende se për cilat ndeshje bëhet fjalë, por e vetmja gjë që dihet është se janë të këtij edicioni të Kategorisë Superiore. Sipas raporteve ndërkombëtare, kampionati shqiptar i futbollit mban numrin rekord të ndeshjeve të manipuluara në 3 vitet e fundit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 10 October 2012 15:19

Ndërsa në Itali bëhen gati për furtunën e radhës rreth manipulimit të rezultateve, duket se “mjeshtërat” e trukimve nuk kanë hequr dorë nga modifikimi i rezultateve. Nga Franca mbërrijnë sinjalet e radhës për një ndeshje të dyshimtë në Itali, ndonëse nuk bëhet fjalë ende për një hetim zyrtar.

Në një postim në Facebook, në një adresë ku jepen këshilla mbi bastet sportive, është deklaruar se ndeshja e Serisë B mes Spezia dhe Livorno do të fitohej nga të parët, edhe pse kishin një rezultat koeficient shumë të lartë.

“Vini bast për Spezia me koeficientin 3.55. Ndeshja është blerë, mafia është bashkëpunëtore”, lexohet në njoftimin e publikuar nga Pronostiquer Pro. Rezultati përfundimtar 5-1 në favor të Spezia lë pak dyshime dhe ndeshja në fjalë duket me të vërtetë një nga ata që kanë rezultate të pabesueshme.

Lajmërimi është vendosur të hënën rreth orës 17:45, vetëm 3 orë para fillimit të sfidës, ndërsa nuk kanë munguar edhe komente të tjera rreth kësaj sfide.

“Livorno ia ka ofruar ndeshjen mafias. Informacioni është tërësisht i sigurt”, shkruhet në këtë njoftim që ka rezultuar i saktë dhe që ka bërë të lumtur të gjithë ata që kanë vendosur të ndjekin këshillën e Pronostiquer Pro.

Tani i mbetet autoriteteve italiane të zbulojnë se sa të vërteta ka pas dhe nëse ashtu siç pretendohet, mafia ka rifilluar të kontrollojë ndeshjet e kampionatit italian. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 10 October 2012 08:04

Shefi i Policisë së Italisë, Antonio Manganeli, ka bërë të qartë se publiku italian duhet të përgatitet për një tjetër furtunë në futboll, të lidhur me procesin e manipulimit të rezultateve sportive. Sipas tij, çështja nuk ka dalë ende në sipërfaqe në shtrirjen e saj të plotë dhe zbulimet e reja mund të jenë më tronditëse”.

“Disa gjëra jokorrekte kanë dalë në skenë, disa të tjera do të publikohen së shpejti dhe mund të sjellin përgjigje të mëtejshme, edhe më të bujshme se të parat”, ishte deklarata e tij që la të kuptonte se vazhdonte përfshirja e emrave të njohur në trukimin e rezultateve sportive.

Ai ka treguar se si ka ndryshuar “moda” e basteve, për të patur sa më pak dyshime dhe për të mos ndikuar në rezultatin përfundimtar të takimit, pasi bastexhinjtë tashmë merren vetëm me episode të veçanta.

“Nuk flasim më për futboll të manipuluar plotësisht, nuk hidhen më baste për rezultatin e një ndeshje, tani vihen baste mbi faktin se një lojtar nxjerr topin jashtë. Mund të vësh baste mbi goditjet nga këndi apo kush është i pari që prek topin me kokë. Është e mundur të kapitalizosh shuma të mëdha parash edhe në këtë mënyrë”, shpjegoi ai. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 09 May 2012 13:22

Procesi për trukimet e ndeshje në kampionatin italian të futbollit ka filluar zyrtarisht me dorëzimin e njoftimeve që u janë dërguar klubeve dhe individëve për hetime sportive ndaj tyre.

Klubet e Serie A: Atalanta, Novara dhe Siena ishin mes 22 skuadrave të cilat u lajmëruan nga Federata Italiane se janë nën hetim rreth këtij skandali.

Klubet e tjera, të Serie B dhe Lega Pro janë: Albinolefe, Ankona, Askoli, Avesa, Kremonese, Empoli, Frosinone, Groseto, Livorno, Modena, Monza, Padova, Peskara, Piaçenca, Ravena, Rexhina, Rimini, Sampdoria and Specia. Siç shihet qartë, këtu përfshihet pjesa më e madhe e skuadrave të Serie B dhe në bazë të dënimeve të dhëna nga Federata Italiane rreth kësaj çështje, mund të ndryshojë krejtësisht renditja e këtij kampionati.

FIGC bëri të ditur se nën hetim janë 61 persona dhe 33 ndeshje, por deri tani të gjitha akuzat për manipulim rezultati të Atalantas, Novaras dhe Sienës janë për periudhën kur këto tre skuadra ishin në Serinë B.

Ndër emrat që do të paraqiten para prokurorit sportiv Stefano Palaci, bie në sy ai i kosovarit Rijat Shala. Sipas asaj që është mësuar nga verbalet e policisë, ky i fundit ka pranuar 150 mijë euro nga “ciganët”, mafia sllave e basteve, për t’ua shpërndarë shokëve të skuadrës para ndeshjes së Kupës së Italisë kundër Kievos, të humbur më pas me rezultatin 3-0.

Por çështja nuk mbaron këtu, pasi kjo është vetëm lista e hartuar në bazë të të dhënave të mbledhura nga Prokuroria e Kremonës. Palaci pret një dosje po aq të madhe nga Prokuroria e Barit, nga e cila pritet të dalin emrat e ekipeve dhe lojtarëve të tjerë të Serie A. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 13 April 2012 08:36

Ish-mbrojtësi Karlo Gervasoni, është kthyer në një nga personazhet kyç të historisë së trukimit të ndeshjeve, pasi gjatë dëshmisë së radhës ka treguar detaje të tjera të hollësishme rreth mënyrës se si manipuloheshin ndeshjet në Serinë A.

Sipas tij, “cigani” Almir Gegiç, investoi 400 mijë euro për të trukuar ndeshjen Leçe-Lacio të majit 2011 dhe se në këtë marrëveshje ishin përfshirë lojtarë të të dy skuadrave. “U janë dhënë para 2-3 lojtarëve të Lacios dhe 3-4 lojtarëve të Leçes”, ka deklaruar ai. Si për të përforcuar mendimin e tij, ka treguar se Hristjan Ilievski, shefi i “ciganëve”, i ka shfaqur një fotografi që kishte bërë me lojtarin e Lacios, Stefano Mauri, personi që organizoi manipulimin në skuadrën kryeqytetase.

Më pas ai ka treguar për ndeshje dhe emra të tjerë për 42 takime të kategorive të ndryshme, ku bie në sy manipulimi ndeshjes Kievo-Udineze të 15 majit 2011.

Ndërkohë, një nga deklaratat më të bujshme është akuza që ka bërë për skuadrën e Sienës, ku sipas asaj që kishte mësuar mbrojtësi nga “ciganët”, presidenti i klubit kishte blerë dy futbollistë kundërshtarë për të trukuar ndeshjen Modena-Siena të shkurtit 2011. Të dhënat për këtë ndeshje ishin aq të sigurta, sa ishin konfirmuar edhe nga një mik i Gervasonit në Kazakistan.

Seancat dëgjimore të personazheve të përfshira në trukimin e ndeshjeve vazhdojnë, ndërsa pritet të mësohet dhe deponimi i mesfushorit kosovar Rijat Shala, i cili përmendet si një nga protagonistët e trukimit të ndeshjes së Kupës së Italisë, Kievo-Novara. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 02 April 2012 12:48

Në një vizitë të zhvilluar në Maltë, presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, ka bërë të qartë se të gjitha vendet duhet t adoptojnë “tolerancën zero” ndaj rasteve të manipulimit të ndeshjeve. Sipas tij, të gjithë ata që shpallen fajtorë, duhet të përjashtohen përjetësisht nga sporti i futbollit.

“UEFA ruan pozicionin e saj për tolerancën zero ndaj trukimeve të ndeshjeve, sidomos kur bëhet fjalë për përfshirjen e futbollistëve”.

“Lojtarët e përfshirë në manipulimet e ndeshjeve nuk duhet të lejohet të luajnë më futboll”.

“Ky fenomen po e vret këtë lojë dhe lojtarët duhet të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre. Në çështjet si racizmi, fokusohemi më shumë te tifozët, por në këtë rast ne mendojmë për lojtarët. Ky problem po prek shpirtin e kësaj loje”, tha Platini.

Malta është përfshirë vazhdimisht në skandale manipulimi ndeshjesh por presidenti i aktual i Federatës Malteze të Futbollit, Norman Darmanin Demajo, pak ditë më parë deklaroi se së shpejti do të bënte publike fakte për një skandal të jashtëzakonshëm që përfshinte kombëtaren e këtij vendi.

Mendohet se lojtarët e kombëtares malteze kanë manipuluar rezultatin e ndeshjes ndaj Norvegjisë për eliminatoret e Euro 2008, të përfunduar me rezultatin 4-0 në favor të skandinavëve. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 02 April 2012 11:04

Në natën e të dielës, Prokuroria e Barit ka lëshua mandatet për arrestimin dhe marrjen në pyetje të 20 personave të përfshirë në skandalin e manipulimit të ndeshjeve në Itali. Sipas asaj që mësohet nga burimet e kësaj prokurorie, personat në fjalë, mes të cilëve shumë futbollistë, kanë manipuluar ndeshjet e skuadrës së Barit në edicionin e kaluar duke përfituar shuma të mëdha. Një nga emrat e përmendur është edhe ai i shqiptarit Armand Caca.

Arrestimi më i bujshëm ka qenë ai i Andrea Masielo, mbrojtësi i Atalantës që sezonet e kaluara aktivizohej pikërisht me Barin. Lojtarit i janë vënë prangat bashkë me dy shokë të tij bastexhinj, të cilët kanë përftuar shuma të mëdha duke vënë baste sipas këshillave të mikut të tyre futbollist.

Ndërkohë, bëhet e ditur se të hetuar bashkë me Masielon janë edhe ish-lojtarë të tjerë të Barit: Daniele Portanova (Bolonja), Alesandro Parisi (Torino), Simone Bentivolio, Marco Rosi, Abdelkader Gezal, Marko Esposito, Antonio Belavista dhe Nikola Belmonte.

Mes emrave të tjerë të hetuar figuron edhe ai i shqiptarit Armand Caca, i cli sipas burimeve policore nuk është një futbollis por një person i përfshirë në mënyrë direkte në trukime nëpërmjet futbollistëve të skuadrës të Barit.

Shpesh nëpër dëshmi të personave të përfshirë në këtë çështje është diskutuar se në trukimet e ndeshjeve në Itali ishte e përfshirë edhe mafia shqiptare, po deri tani asnjë emër shtetasi shqiptar nuk kishte figuruar në dosjen e hetimeve. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 28 March 2012 13:07

Skandali i trukimeve të ndeshjeve në Itali ka marrë një kthesë shumë të rëndësishme pasi dy nga personat që akuzohen si protagonistë direkt të grupit të “ciganëve”, kroatët Vinko Saka dhe Alija Ribiç, janë dorëzuar në policinë italiane.

Të dy kërkoheshin me mandat ndërkombëtar nga Interpoli, por ata kanë vendosur të dorëzohen vetë dhe në orën 7 të mëngjesit kanë zbritur nga trageti në Ankona, duke u paraqitur para zyrtarëve të policisë italiane. Ata janë shoqëruar menjëherë në burgun e Kremonës, ku gjatë javës do të merren në pyetje nga hetuesi Guido Salvini.

Kontaktet mes tyre dhe drejtësisë italiane kanë qenë të shpeshta gjatë javëve të fundit dhe dorëzimi ka qenë konsensual. Ata kanë bërë të ditur edhe nëpërmjet dëshmive me shkrim që kanë lëshuar më parë se janë thjesht bastexhinj dhe se nuk janë pjesë e asnjë organizate kriminale.

Edhe ata mbrojnë teorinë e maqedonasit Hristijan Ilievski se ishin vetë futbollistët që i organizonin manipulimet e ndeshjeve dhe pastaj ua shitnin informacionin bastvënësve të ndryshëm.

Nëpërmjet këtij interpretimi, ata shpresojnë që në rastin më të keq të kryejnë disa muaj burg dhe më pas të jenë të lirë nga çdo lloj procedimi penal, për të vazhduar “punën” e lënë në mes që kur shpërtheu skandali në Itali. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 26 March 2012 14:35

Prokuroritë e Kremonës, Barit dhe Napolit po bëhen gati tashmë të fillojnë publikimin e detajeve të skandalit të basteve në Itali, me rezultate të jashtëzakonshme. Sipas asaj që bëjnë të ditur mediat italiane, urdhër-arrestet për personat e përfshirë do të lëshohen diku nga fundi i muajit prill, por është e sigurt që kjo lëvizje do të tronditë me rrënjë sistemin e futbollit në Itali e jo vetëm.

Në fillim ishte Prokuroria e Kremonës që hapi çështje, duke iu bashkuar më pas asaj të Napolit e Barit. Nga kjo e fundit ka dalë në skenë edhe bashkëpunimi mes mafias së “Sacra Corona Unita”, “ciganëve”, klubeve e lojtarëve. Në Bari rezultojnë të hetuar 17 persona, mes të cilëve 6 futbollistë. Sipas asaj që mësohet, situata është aq tragjike sa hetuesit po analizojnë thuajse 50% të ndeshjeve të luajtura nga skuadra e këtij qyteti në sezonin e kaluar.

Në Kremona, hetuesit kanë në vëzhgim 120 persona, nga të cilët 41 janë futbollistët që ka përmendur Karlo Gervasoni.

Me vazhdimin e hetimeve, duke i hyrë më në thellësi çështjes, hetuesit kanë zbuluar edhe fakte të tjera si tentativën e “ciganëve” për të blerë disa skuadra të Serisë B dhe Prima Divisione, tentativa manipulimi të ndeshjeve paraeliminatore të Ligës së Kampioneve dhe Europa League, ashtu si edhe ndeshje si Argjentina-Bolivi, Estoni-Bullgari dhe Lituani-Bolivi. Janë të paktën 200 ndeshje të tjera në kategoritë inferiore gjermane, hungareze, boshnjake, kroate, zvicerane e franceze.

Në Napoli, ndeshjet nën hetim janë që tani 150 dhe mes të hetuarve është edhe trajneri Hektor Kuper. Ndërkohë, disa nga personazhet kanë dalë në publik duke bërë emra lojtarësh e skuadrash të tjera.

Mes emrave të futbollistëve që pritet të merren në pyetje është edhe ai i futbollistit me origjinë kosovare, Rijat Shala, për pjesëmarrje në trukimin e ndeshjes Kievo-Novara, si person i përfshirë direkt.

Emra të famshëm që do të paraqiten para hetuesve janë ata të Bertani (Sampdoria), Pesoli (Siena), Benasi (Leçe), Pelisier (Kievo), Luçiano (Kievo), Padeli (Udineze), Rosi (Çezena) dhe Parisi (Torino). (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 11 March 2012 21:56

Gazeta italiane “La Repubblica” ka botuar sot një reportazh të gjatë për një prej personazheve kryesorë të trukimit të ndeshjeve të kampionatit italian, maqedonasin Hristijan Ilievski. Ky i fundit, në kërkim nga policia e gjysmës së Evropës dhe Interpoli, banon qetësisht në mes të Shkupit, aty ku cilësohet i paprekshëm falë popullaritetit që ka në vend dhe parave që ka fituar duke manipuluar rezultatet e takimeve.

Që në fillimin e reportazhit të gazetarëve italianë që e kanë patur shumë të lehtë ta gjejnë në kundërshtim me policinë vendase që “nuk di ende se ku gjendet ky person”, bëhet e qartë se ai pranon gjithçka: manipulimet, kërcënimet dhe fitimin e miliona eurove, ndërsa konfirmon se Seria A dhe Seria B në Itali është plotësisht e manipuluar.

Në reportazh tregohet se si Ilievski urren shqiptarët dhe gazetarët italianë tregojnë sesi ai rri duke sharë sa herë që sheh një të tillë, ndonëse kalon qetësisht me makinën e tij BMW X5 mes përmes lagjes së shqiptarëve në Shkup.

Shkaku për këtë urrejtje është se Ilievski është një ish-agjenti i policisë speciale maqedonase, atij grupi që mori pjesë në luftën e Kosovës, ku ka marrë si dhuratë edhe një vragë të thellë mbi vetull, nga i vjen edhe nofka “njeriu me shenjë” që i kanë vënë futbollistët italianë. Për të “respektuar” në mënyrën e duhur këtë nofkë, Ilievski ka bërë tatuazh edhe fytyrën e Al Paçinos, alias Toni Montona, në pulpën e këmbës, duke e treguar me krenari.

Para gazetarëve, Ilievski është treguar i sinqertë e ndonëse nuk ka treguar shumë emra, ka konfirmuar ata më të njohurit si Sinjori (sipas tij shefi i basteve në Itali), Mikoluçi, Gervasoni, Zamperni, Mauri apo Bentivoljo. Ndërkohë, ka shtuar se në këtë mesele është përfshirë rëndë edhe Xhuzepe Skuli, një emër i njohur i futbollit italian që luan për Xhenoan, falë edhe faktit se është nipi i një prej bosëve më të madh të mafias kalabreze, Xhuzepe Morabito.

“Njeriu me shenjë” ka treguar se ai vepronte në pjesën më të madhe të kohës vetëm si bastexhi, pasi ishin vetë futbollistët që e kontaktonin duke i dhënë rezultate të sakta, të siguruara nga vetë lojtarët apo nga akordet mes ekipeve. Sipas tij, Sampdoria, Kaljari, Bari, Leçe, Siena dhe Kievo ishin të gjitha skuadra që manipuluan rregullisht ndeshjet e tyre, ndërsa në këtë mënyrë u vendos edhe kush do të shkonte në Kupat e Evropës, kush do të shkonte në Serinë B e kush do të mbijetonte në Serinë A. Kuptohet, çdo akord sillte qindra mijëra euro në xhepat personave të përfshirë.

Në të gjithë këtë reportazh, Ilievski ka bërë të qartë se në këtë histori, fajtorët realë janë futbollistët italianë, të etur për para, ndërsa ata shfrytëzohen për fitime marramendëse nga mafia, ku përfshihet edhe ajo shqiptare.

“Në Angli nuk ndodh, ndërsa në Itali po: bien dakord pastaj vënë baste dhe shesin informatat. Kur na e shesin neve, ose kur ne e zbulojmë vetë, vëmë baste të rënda. Në të kundërt, lojtarët ia shesin dikujt tjetër. Mafies siciliane, asaj shqiptare, hungarezëve apo Bepe Sinjorit që është një nga shefat e basteve sportive në Itali. Të tërëve me pak fjalë”, ishte tregimi i “njeriut me shenjë” i cili pavarësisht famës së një bosi të mafias, jeton i mbrojtur nga shumë truproja, nga frika se mos pëson të njëjtin fat me personazhin nga i cili ka marrë këtë nofkë. (LajmeShqip.com)

12